Libri për UÇK-në vazhdon rrugëtimin në Zvicër – promovim edhe në Bad Ragaz

Pas një promovimi të suksesshëm në Uster, politologu Bardhyl Mahmuti vazhdoi rrugëtimin e tij me librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – në shënjestër të vazhdueshme”, kësaj here në Bad Ragaz. Ky përurim u organizua nga Shoqata e mërgimtarëve shqiptarë “Atdheu” në Bad Ragaz, në bashkëpunim me Shoqatën “Mëmëdheu” nga St. Gallen.

Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Shoqatës “Atdheu”, z. Gazmend Nuhiu, i cili i uroi mirëseardhje autorit dhe të pranishmëve në emër të organizatorëve. Në nderim të të rënëve për lirinë e kombit, u mbajt një minutë heshtje, me përkujtim të veçantë për veprimtarët dhe veteranët e njohur: Skender Murati, Kamber Osmani, Muharem Dina dhe Sefedin Krasniqi.

Një pasqyrë të shkurtër të përmbajtjes së librit e dha z. Adnan Asllani, i cili ndriçoi momentet historike dhe faktet kyçe që përbëjnë bazën dokumentare të këtij botimi. Më pas, vetë autori, z. Bardhyl Mahmuti, rrëfeu me kompetencë dhe emocion për zhvillimet politike dhe ushtarake që përshkruajnë luftën e UÇK-së dhe sfidat që e kanë shoqëruar këtë kapitull të historisë së Kosovës.

Moderimi nga z. Isuf Sherifi i dha ngjarjes frymë dinamike dhe bashkëbiseduese. Pjesëmarrësit patën rastin të parashtrojnë pyetje dhe të angazhohen në diskutime me autorin, duke thelluar interesimin për të vërtetën e luftës çlirimtare dhe përpjekjet për shtetformim.

Për shpërndarjen dhe shitjen e librit informoi z. Agush Buja, një aktivist i njohur i diasporës, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në organizimin e kësaj ngjarjeje.

Promovimet e këtij libri dëshmonë jo vetëm për interesimin e madh të mërgatës shqiptare, por edhe për rëndësinë e ruajtjes dhe dokumentimit të së vërtetës historike lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.