Librat e Kolonel Ahmet Krasniqit u pritën me interesim të veçantë në Zvicër

Në dy qytete u bë promovimi i librave të Ish-Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit, në përgatitje të Skënder Zogajt, meqë rast në Burgdorf/Be u hap edhe ekspozita me temë: “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës

Teksti e fotot; Rexhep Rifati  

Kah mot në mesin e mërgimtarëve në Zvicër, nuk ka mbretëruar një interesim kaq i madh për librin, sa kësaj radhe me rastin e promovimit të dy veprave të heroit të Kosovës, Ish- Ministër të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.
Promovimi i librave: “ Shtatëmbëdhjetë Shtatori” (Ditar nga burgu) dhe “Shqiptarët në luftën kroate” (Analiza ushtarake), siç tha redaktori, shkrimtari, publicisti Skënder Zogaj, i cili edhe ka përgatit botimin e tyre, potencoi se ndien kënaqësi të veçantë, që promovimet e para po bëhen në mesin e mërgimtarëve e tek pastaj në Prishtinë ( më 6 Qershor 2019 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës).

Promovimi parë u bë mbrëmë në Klubin “Dardania”-në qytetin e Zofingenit, nën drejtimin e ish-ushtarakut, Jahir Malota, ngase edhe vet promovimi ishte organizua nga bashkëpunëtorët e Ish-Ministrit të Mbrojtjes, në Zvicër, Gjermani, Suedi dhe Kosovë. Krahas fjalës së rastit të redaktorit, Skender Zogaj pati edhe një fjalë rasti nga eksperti i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazit, por edhe një debat interesant nga ana e vet pjesëmarrësve në këtë promovim.
Ndërsa sot, më 26 Maj 2019 në Burgdorf /BE, me organizimin e nëndegës së LDK-së së këtij lokaliteti, para se të mbahej promovimi i lirave, në Kuadër të Ditës së Presidentit, u bë hapja e ekspozitës me titull:  “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës, e treta me radhë, vetëm në shtetin helvetik për shkak të interesimit të vazhdueshëm të mërgimtarëve.

Me këtë rast këtu ishin ekspozua qindra foto nga aktiviteti i Presidentit Rugova, si dhe eksponate të veshjeve dhe të artefakteve të tjera të lidhura veprimtarinë shumëvjeçare të Rugovës, qoftë si kryetar i LDK-së apo si burrështetas. Për rendësin e dhe përmbajtjen e ekspozitës të pranishmëve iu folën bashkautorët: Dr. Sadik Krasniqi dhe Mr. Besnik Rracaj nga Sektori i Historisë i institucionit të Muzeut të Kosovës.
Në vazhdim, nën drejtimin e Haki Latifit u bë promovimi, i dy veprave të Kolonel Ahmet Krasiqit, ku pos fjalëve të rastit pati edhe një debat interesantë, sidomos nga ata që kanë qenë bashkëpunëtorë apo edhe e kanë njehur nga afër Kolonelin. Duke iu përgjigj të pranishmëve, redaktori, Skënder Zogaj, tha se ai në tersi ka ruajtur origjinalitetin e shkrimeve të Ahmet Krasniqit, duke mos ndërhy në tekste, pasi ka dashtë që ato të jenë plotësisht autentike, porse në të ardhmen nuk e përjashton mundësinë për botimin e një libri të tij autorial, me këndshikimet si e ka njohur ky dhe të tjerët Ahmet Krasniqin, si ushtarak e strateg, por edhe si  njeri dhe veprimtar të shquar të çështjes kombëtare.

Organizatorët dhe të pranishmit falënderuan Skender Zogajn dhe të tjerët të ardhur nga Kosova që përzgjodhën pikërisht mërgatën për të promovuar këtu përherë të parë librat e heroit të Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqit, që siç thanë as vrasja mizore midis të Tiranës, nuk mundi ta shkëpus nga zemrat e mërgimtarëve.
Mësojmë se seria e promovimeve do të vazhdojë në Kosovë, ku do të bëhet promovimi i këtyre dy veprave me peshë të veçantë, edhe atë më 6 Qershor 2019, në ora 12,00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Prishtinë.

Karakteristike është se të gjithë të pranishmit në dy promovimet u pajisën me libra pa pagesë. Ngase siç mora vesh nga kolegu Skënder Zogaj, libri është sponzoruar nga Drejtoria e Kulturës e komunës se Fushe Kosovës (2000 euro) dhe LDK-ja ( 1000 euro), ndaj edhe vetëm në Zvicër u shpërndan qindra ekzemplarë falas.