Kovë bunari mbi tavolinë

Kovë bunari mbi tavolinë

Hyjmë natën në këtë kafene
Zumë karriket dhe një tavolinë,
Na erdh porosia, një lëng e një kafe
Tash edhe po rrijmë, edhe po pijmë.

Herë flasim diç, herë shohim në ekrane telefonash,
Herë shikimin përreth e herë jashtë
Drita si qirinj ka kohë që janë ndezur
Përtej hekurudhës që nuk bëzanë.

Mirë që dolëm para orës policore(pandemore)
Veten këtu tash po e ndjejmë mjaft mirë,
Muzikë roku e një kohe tjetër,
Përreth pamje e këndshme me dritë e errësirë.

Bëj dy tri selfi dhe shoh se si kam dalë,
Një me xhaketë veshur, e një me xhemper,
Dukem i qetë, disi meditueshëm
Me shikim diku afër por edhe përtej.

Me ngadalë e me ëndje
Kafenë jam duke e pirë, gëllënkë pas gëllënke,
Marr në duar dhe këtë kovë bunari
Që mbi tavolinë rri si dekor me stil.

E marr, e afroj deri te buzët
Mbyll sytë e pij ujë që etjen s’ma largon,
Hap sytë për ta lëshuar edhe një herë në bunar
Por e shoh se është me urdhëlidhëse metali, por pa konop.

Dhe vije çasti e dalim nga këtu,
E them se mua me ba me m’u tekë
Mund t’ia mësyej kah një dyqan kryesisht lodrash
Një kovëz të tillë për ta blerë.

Për t’i kujtuar ca kova bunari
Ku etjen patëm shuar në gotat-pasqyrë,
Ndonjëherë ne, ndonjëherë pemët e lulet
Dhe jemi ndjerë bukur mirë.

Por ujë kemi nxjerrë në ca ditë acari
Kur gypa ujësjellësi u patën ngrirë,
Kemi bartur ujin brenda shpejt e shpejt
Kur temperatura pat zbritur në minus njëzet…