Koha për mençuri, guxim dhe veprim kundër pushtuesve

Nga Isa H. Dërmaku

Fakt është se, Putini dhe Vuçiqi, kanë synuar dhe synojnë të skllavërojnë popujt fqinjë. 

A do të lejojë bota që historia të përsëritet?

Sot, të kërkosh besën e Putinit dhe t’i besosh asaj është marrëzi dhe naivitet politik. Kjo do të ishte njësoj sikur dikur t’i jepej besimi kryekriminelit ndërkombëtar Sllobodan Millosheviq apo ideologut të urrejtjes Vojisllav Sheshel, i cili, së bashku me ndihmësin e tij Aleksandar Vuçiq, frymëzoi krime makabre ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Natyrisht, tolerimi i tillë, kur vjen nga keqdashja, është armiqësi ndaj popujve që luftojnë për liri. Kur vjen nga papjekuria politike, është një errësirë morale. Por kur vjen nga udhëheqës të disa shteteve të BE-së, të cilët hezitojnë të përballen me realitetin, atëherë kjo është tradhti ndaj vlerave mbi të cilat qëndron vetë Evropa.

Ukraina nuk ka nevojë për «vrasës të mizave»

Ukraina, e cila po derdh gjak për lirinë e saj, nuk ka nevojë për politikanë të llojit që Sartri do t’i quante «vrasës të mizave» – njerëz të pavendosur, që fshihen pas burokracisë dhe frikës. Ukrainës i duhen liderët të Evropës që kanë mençuri, guxim dhe vendosmëri, të cilët veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ndërgjegjen njerëzore.

Po, sepse Rusia nuk do të tërhiqet vetë – ajo duhet të ndalet dhe, të detyrohet të tërhiqet nga Ukraina.

Rusia nuk ka për qëllim të largohet nga Ukraina. Përkundrazi, ajo do të qëndrojë aty derisa të dëbohet nga aty si okupatore. 

Lufta për çlirimin e Ukrainës nuk është vetëm përgjegjësi e ukrainasve, por edhe detyrë morale dhe ligjore e Perëndimit, i cili duhet të ndihmojnë për të ndalur agresionin rus e serb.
Kjo nuk është thjesht një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë. Kjo është një luftë e përgjakshme për të ardhmen e Evropës. 

Mos harroni se, Orekset e pushtuesve nuk ndalen me fjalë boshe. Ato ndalen me mençuri, me guxim dhe me veprime konkrete.

Fitorja e Ukrainës është shpëtimi i Evropës.

Kushdo që mendon se aspiratat e Ukrainës për liri janë të paarritshme, bën një gabim fatal, i cili një ditë mund t’i kthehet bumerang. 

Putini jeton dhe ushqehet nga dobësia e Perëndimit – nga tërheqjet, nga kompromiset e paarsyeshme dhe nga frika.

Kushdo që me apo pa vetëdije i jep mbështetje Putinit dhe Vuçiqit, në fakt i jep fuqi një projekti për skllavërimin e popujve të Evropës.

Putini dhe Vuçiçi mund të ndalen vetëm përballë një Perëndimi të bashkuar, të udhëhequr nga mençuria, zhvillimi dhe forca e NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.

Fitorja e pakushtë e Ukrainës nuk është thjesht një zgjedhje – ajo është e vetmja zgjidhje.