Çifti Schader ndihmoi sanimin edhe të tri objekteve shkollore në Shqipëri


Në shkurtin e sivjetmë, Basil Schader, pedagog dhe albanolog i njohur me të shoqen, Erica ndërmorën një sërë veprimesh humanitare për grumbullimin e ndihmave për rinovimin e shkollës në Torovicë të Lezhës.- Falë mjeteve të mbledhura nga njerëz vullnetmirë, zviceranë e shqiptarë, shkolla që ishte në një gjendje të mjerë, tash ka marrë një pamje krejtësisht të re

Nga Rexhep Rifati
Albanologu dhe miku i shqiptarëve, Profesor dr.dr. Basil Schader me bashkëshorten Erica Bauhofer Sachder, prej vitesh po kontribuojnë në rindërtimin, sanimin dhe pajisjen e objekteve shkollore në Shqipëri. Në fillim të këtij viti, çifti Schader u angazhua edhe në një projekt tjetër, për renovimin e një shkolle në rrethin e Lezhës. Ndej edhe me një shkresë, profesor Schader i qe drejtuar mjeteve të informimit, ku shpjegonte sesi: «Shkolla Nëntëvjeçare në komunën e Torovicës (ku ne tashmë e kemi ndërtuar shkollën 4 vjeçare) është në një gjendje të mjerueshme. Ndaj edhe ne dëshirojmë të japim kontributin tonë që kjo shkollë të rinovohet në mënyrë solide, ashtu që rreth 100 nxënës dhe fatosa të mund të ndjekin shkollimin në kushte të denja”.

Viti i ri shkollor në objekte me kushte optimale

Për fat të mirë, pas shtatë muajsh, me fillimin e vitit të ri shkollor, ky objektiv humanitar, i qiftit Schader u realizua me sukses. Më konkretisht, për këto projekte vetë miku ynë çmueshëm, profesor Basil Shader, përmes një e-maili përmes tjerash na shkruan, se si:

Në muajin shkurt 2015, së bashku me të shoqen, Erica, kishin nisur përmes nyjës në internet 100-days-net aksionin e ndihmave për rinovimin e ndërtesës së shkollës në Torovicë të rrethit të Lezhës, në Shqipërinë e veriut dhe se tash falë mjeteve të mbledhura nga njerëz vullnetmirë, zviceranë dhe shqiptarë, shkolla e cila ishte në një gjendje të mjerë ka marrë një pamje krejtësisht ndryshe.
Më tej mësojmë, se bartës i këtij aksioni ishte dr. Schader, i cili në pika të shkurtra, tash bën një rekapitullim të rrjedhës së punës, duke falënderuar ata që kanë dhuruar dhe të tjerët që kanë kryer punimet në aftësimin e shkollës për të punuar në kushte normale.

Ai më tej shpjegon se si më herët. “sipas para llogaritjeje nevojiteshin 61.000 franga për vetë shkollën dhe 19.000 të tjera për murin rrethues të oborrit të shkollës. Përmes 100-Days-net janë grumbulluar 10.800 franga ndërsa përmes kontakteve me të njohur dhe rreth familjar edhe 22.050 franga të tjera, të dhuruara nga gjithsej 70 donatorë. Së bashku edhe me 32.000 frangat e grumbulluara më parë gjatë aksionit në stinën e pranverës ne nuk mund të fillonim me rinovimin e shkollës“, thotë më tutje Schder.

Dy donacionet zemërgjera

Por këtë e bënë të mundur vetëm dy donacionet zemërgjera të një fondacioni. Kontributi i parë fillimisht qe menduar për sanimin e shkollës tjetër „Shkëmbi i kuq“ po ashtu në Torovicë. Por pasi që nga donacionet mbetej edhe një shumë të hollash vendosi të fillonte rinovimin qysh gjatë këtyre pushimeve verore.
Sanimi është realizuar dhe godina shkollore është e gatshme saktësisht në ditën e fillimit të vitit shkollor. Mobilet shkollore janë dhuratë e ish kryetarit të komunës, tashmë nënkryetar i qarkut Lezhë, Dr. Gjovalin Gjeloshi.
Është përmbyllur me sukses gjatë kësaj kohe edhe sanimi i shkollës së vogël „Shkembi i Kuq“ që ndodhet në një para lagje të Torovicës. Edhe gjendja e kësaj shkolle të ndërtuar në fillim të viteve `90 ka qenë e mjerueshme. I gjithë rinovimi ka kushtuar 34.000 franga.
Shkolla në fshatin Kolajak, të cilën çifti Schader së bashku e banorët e fshatit e kishin rinovuar dhe zgjeruar në vitin 2001 ishte djegur si pasoje e një defekti elektrik. Falë donacionit zemërgjerë prej 10 mijë frangash të firmës „Model“ nga Weinfeldeni i Zvicrës është bërë sanimi i plotë i çatisë. Edhe këtu, thekson Schader e kemi pasur ndihmën e pakursyer të dr. Gjovalon Gjeloshit, i cili ka mundësuar rregullimin e fasadës së shkollës.

Krejt në fund, do njoftuar se, Prof dr.dr. Basil Schader (Shader) është profesor në Shkollën e lartë pedagogjike të kantonit të Cyrihut, dhe se nga bashkatdhetarët por edhe institucionet arsimore të Kosovës njihet si një dashamirës i madh Shqipërisë e Kosovës, dhe shqiptarëve përgjithësisht, për shkak të kontributit të tij të madh në avancimin e mësimit plotësues, por edhe në hartimin e programeve shkollore përmes disa projekteve në kuadër të Ministrisë së Arsimit në Kosovë.