Fotoreportazh nga Arizona (SHBA)

“Bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”

MANIFESTIM MADHËSHTOR I SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE TË GRAVE TË ARIZONËS

Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave e Arizonës edhe sivjet, për të shtatën herë me radhë, kremtoi në mënyrë shumë madhështore Ditën Ndërkombëtare të Gruas, tradicionalisht e lidhur në trojet shqiptare me Ditën e Nënës dhe me Ditën e Mësuesit. Manifestimi u mbajt në hotelin e njohur JW Marriott Desert Ridge Resort në kryeqytetin e Arizonës, Feniks (Phoenix). Në manifestim morën pjesë mbi dyqind gra e vajza shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare: nga Shqipëria, nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Maqedonia (sidomos nga Dibra) dhe nga Presheva . Për këtë ditë të veçantë u organizua një ballo me maska (veshja e parapëlqyer ishte fustani i gjatë), me muzikë klasike dhe me muzikë e valle popullore shqiptare. Të gjiitha gratë e vajzat e reja ishin veshur në mënyrë festive dhe me shumë shije.
Kënaqësia e pjesëmarrësve në këtë manifestim të shkëlqyeshëm dukej hapur në fytyrat e buzëqeshura të çdonjërës dhe në shprehjet e tyre brohoritëse: “Ju lumtë!” dhe “Mezi presim të takohemi sërish!”

Jeta Hajra

Në hyrje të hotelit ishin vendosur tavolina e regjistrimit të pjesëmarrëseve dhe tavolina tjetër me maska të bukura shumëngjyrëshe. Secila grua a vajzë që vinte, zgjidhte maskën që i shkonte ngjyrës së fustanit. Maska kishte për të gjitha pjesëmarrëset. Më pastaj ato kaluan në korridorin e bukur e të hapur, me pamje festive, ku shërbeheshin me kafe, me çaj e me aperitiv dhe bisedonin me njëra-tjetrën. Pas arritën të gjitha pjesëmarrëset, organizatoret hapën dyert e mëdha të sallës së madhe të ballos dhe të gjitha pjesëmarrëset hynë brenda dhe zunë vende në tavolinat që dëshironin. Mjediset e hotelit ku mbahej manifestimi dukeshin shumë romantike. Bukurinë ia shtonin edhe më shumë këtij ambienti vërtet magjik qirinjtë e shumtë, puplat e balonat festive, të bëra me shije e delikatese nga zonja Adriana Bendo. Çdo gjë shkëlqente nga pastërtia.
Hapja e mbasdites festive filloi me tingujt e valsit klasik “Danubi Blu” vallëzuar nga një grup grash e vajzash të veshura me fustane të gjata e me maska në fytyrë.
Më pastaj njëra nga organizatoret, zonja Marinela Papa – Konomi, hapi manifestimin, duke falënderuar fillimisht të gjitha pjesëmarrëset dhe duke theksuar faktin se pa to dhe pa mbështetjen dhe besimin që ato i japin grupit organizues, nuk mund të realizohej kjo mbrëmje e bukur. Ajo gjithashtu falënderoi organizatoret e atij manifestimi shumë elegant. Në radhë të parë – tha ajo – do ta falënderoja zonjën Adriana Bendo, kontributi i së cilës bëri që kjo mbrëmje të arrinte nivelin e mrekullisë në këtë vend të bukur ku ajo punon. Më pastaj zonja Marinela falënderoi zonjën Elonia Lasku për idetë e pashtershme të saj, për urtësinë dhe maturinë në koordinimin e aktiviteteve; zonjën Jeta Hajra, për kujdesin që grupi organizator të vinte në plan të parë paraqitjen e traditës shqiptare dhe të gjuhës shqipe; studenten e re Bleta Kodra, për kontributin e dhënë për afrimin e të rejave shqiptare në Shoqatë dhe zonjën Shpresa Tafilica, e cila përkujdeset për Facebook-un e Shoqatës, së bashku me stafin e saj.
Z. Marinela e përfundoi fjalimin hyrës me fjalët: “Gratë dhe vajzat shqiptare duhet ta kenë parasysh se ruajtja dhe përcjellja e traditës shqiptare është po aq e rëndësishme, sa edhe integrimi në shoqërinë amerikane”.
Pas disa pikave muzikore me zërat e bukur e të fuqishëm të zonjës Adriana Bendo dhe zonjushës Kristi Peco, fjala iu dha mësueses veterane tiranase Fiqrete Zela, nënë e dy fëmijëve (njëri doktor matematike dhe tjetra dentist), të fliste në emër të mësueseve. Ajo tha:»Po jua lë nje amanet ju nënave dhe vajzave: mos e harroni gjuhën tonë të bukur shqipe, këtë gjuhë të lashtë, së cilës i thurën vargje rilindësit tanë» dhe lexoi vargjet e njohura të rilindësit Naim Frashëri.
Më pastaj grupi i valleve popullore shqiptare, përbërë nga të reja shqiptare, nxënëse e studente, disa prej tyre të lindura në Amerikë, hynë në sallën e madhe. Veshur me kostume shumëngjyrëshe kombëtare nga vise të ndryshme shqiptare, teksa hynin në sallë duke vallëzuar e duke i valëvitur shamitë e kuqe, elektrizuan gjithë sallën. Ato ngjanin me shqiponjat e trojeve shqiptare. Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë duke duartrokitur. Tingujt e daulles kumbonin fuqishëm në atë sallë. Valltaret vallëzuan vallen e njohur të Rugovës “Shota”. Rolin e Shotës e vallëzoi zonjusha Nora Hajra, ndërsa partner i saj ishte Gramoz Krasniqi, maturant në shkollë të mesme. Pas valles popullore, të rinjtë kaluan në muzikë rep, me këngën e njohur Praud to be Albanian. Rina Hajra, me çifteli dhe me plisin (qeleshen) e bardhë në kokë, vallëzoi në mesin e valltareve, duke e tërhequr në fund në valle edhe vajzën e re 12-vjeçare Jasina Feruku, e cila bëri një kërcim të kombinuar valle-gjimnastikë e duke përfunduar vallen me simbolin e shqiponjës. Të pranishmet vazhduan gjatë me duartrokitje, shoqëruar edhe me këngë, po kishte edhe nga ato që nuk i përmbanin dot lotët… E gjithë kjo atmosferë vërtet e bukur xhirohej e fiksohej nga telefonat celularë të grave e të vajzave që, veshur me shije të hollë, ngjanin me zanat e maleve të lashta shqiptare.
Pas valleve, zonja Adriana ftoi gratë e pranishme, të cilat ishin caktuar të flisnin për kostumet që mbanin veshur vajzat. Secila foli për historikun e tyre. Lule Lane paraqiti një kostum (origjinal) shumë të bukur të Krujës, i ruajtur dhe i trashëguar që prej kohës së Skënderbeut, Keti Malaj paraqiti një kostum 120-vjeçar të Korçës (të stërgjyshes së saj, që mamaja e saj Pranvera Kurti e ruan me xhelozi), Shehrie Gashi foli për kostumet karakteristike te Drenicës, Bardha Rreshka – Toska foli për kostumin elegant të Elbasanit, të cilin e kishte punuar nëna e saj, Kristina Kelliçi paraqiti një kostum 100-vjeçar të Tiranës, ndërkaq, në fund, Jeta Hajra paraqiti kustumet e improvizuara (por të bukura), të cilat i kishin bërë gratë refugjate nga Kosova, në kohën kur sapo kishin ardhur në Amerikë nga lufta dhe po bënin përpjekje për ta vazhduar jetën kulturore jashtë atdheut.
Pas kësaj u shtrua një drekë e mrekullueshme dhe shumë e shëndetshme. Pas drekës atmosfera gazmore vazhdoi me këngë të mirëfillta shqiptare (jo me tallava), me lotari e me surpriza.
Ndërkaq, të gjitha pjesëmarrëseve që kishin kontribuar për suksesin e manifestimit u shpërblyen me dhurata ne shenje mirenjohjeje. Veç kësaj, grupi organizator kishte ftuar një kompani për të bërë foto artistike si dhe shpërndau korniza për të vendosur fotografitë për të gjitha pjesëmarrëset, që ta kenë një kujtim të bukur për të pëthershëm (të gjitha falas). Po ashtu, foto e filmime bëri vullnetarisht Leart Doda, pjesëtar i Komunitetit Shqiptar të Arizones.
Ne fund të programit zonja Jeta Hajra ftoi të dilnin të gjitha të pranishmet, të cilat kishin diplomuar, kishin magjistruar ose kishin doktoruar në vende të ndryshme të Amerikës. Para publikut u paraqitën 20 vajza e gra shqiptare, diplomuar, disa që kishin magjistruar e doktoruar në universitete të ndryshme të Amerikës, madje edhe nga Universiteti i Harvardit. Në mesin e tyre kishte që kishin diplomuar psikologjinë, shkencat politike, biznesin, infermierinë, mjekësinë natyrale (natyropatike), akupunkturën, organizimin e ngjarjeve kulturore, drejtësinë, aktrimin, kontabilitetin etj.
Pjesëmarrëset u ndanë shumë të kënaqura e ishin shumë mirënjohëse për këtë manifestim të organizuar në mënyrë shumë profesionale, që zgjati plot 7 orë me radhë, pa pasur asnjë ulje të atmosferës.
Në fund të programit, Edmond Bendo, programues, udhëheqës dhe përzgjedhës i muzikës së asaj nate, tha: “Ju lumtë zonja, me punën tuaj ma kujtoni thënien shumë të vlefshme të Nënës tonë Tereze: “ Ne të gjithë nuk mund të bëjmë vepra të mëdha, por mund të bëjmë punë të vogla me dashuri të madhe” ,Të gjitha ju organizatoret dhe çdo pjesëmarrëse e këtij manifestimi, keni dhënë kontributin tuaj për ta shijuar këtë mbrëmje të sotme kaq të bukur. Ju lumtë të gjithave!”.