Dy javë në katër shtete ballkanike për ekspozimin e vlerave mbarёshqiptare

(Më konkretisht:  vizitova 7 muze, ndër historike, arkeologjike dhe etnografike si dhe tri veprimtari  promovimi libri dhe pjesëmarrje në festivale e seminare, për të pasuruar arkivin edhe me mbi  5 mijë foto të reja)
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Për dy javë rresht ( 26 prilli-10 maji 2016), në kuadër të misionit për të shtegtuar trojet shqiptare, si dhe ato vende që më parë ishin të banuara me shumë shqiptarë, vizitova nga dy herë Kosovën, Shqipërinë dhe Greqinë dhe një herë Malin e Zi, gjegjësisht Malësinë e Madhe. Këtë rrugëtim në kudër të një projekti të portalit prointegra.ch e filluam qysh një vit më parë bashkë me drejtuesit e këtij portali Skënder Hajdarin dhe Osman Osmanin, me qëndrim në Schafhausen të Zvicrës
Jo vetëm që vizitova me dhjetëra fshatra, qytete e aktivitete, por edhe në kuadër të këtij misioni morra pjesë në disa manifestime kulturo-artistike. Me këtë rast dua të veçoj pjesëmarrjen time në disa aktivitete: promovimin e librit tim dhe të kolegut Fahri Musli në Muzeun Arkeologjik të Butrintit, për çka falënderoj për ftesën dhe organizimi e mirë të këtij evenimenti Presidentin e LNPShA „PEGASI“ Albania, z. Kristaq Shabani. Gjithashtu në Bibliotekën kombëtare në Prishtinë mora pjesë në promovimin e leksikonit të krijuesve shqiptarë në Zvicër, përgatitur nga Shefqet Dibrani e Besnik Camaj; promovimin e Ditarit të atdhetarit Abdullah Musliu me autor  Ramadan Haziri si dhe në hapjen e Festivalit folklorik “Gjonaj 2016”.
Pos në këto aktivitete letrare- muzikore, gjatë kësaj periudha vizitova 7 muze: tri muze historike e arkeologjike dhe katër muze etnografike: Muzeun e Skënderbeut në Krujë, muzeun arkeologjik në Butrint dhe Muzeun e Dedë GJo`Lulit në Malësi të Madhe, kompleksin memorial të Ali Pashë Tepelenës në Janinë si dhe tri muze etnografike: në Krujë, Zym dhe muzeun e Shtjefën Ivezajt në Tuz.  Gjithashtu bashkë me anëtarët e familjes sime vizitova edhe Shtëpinë – muze të gjeniut të letrave tona Ismail Kadare dhe Qendrën e Kulturës në Lushnje që mban emrin e të madhes Vaçe Zela.
Kësaj radhe përherë të parë isha thuaja se nga veriu deri në jug të ish- pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, përfshi edhe pjesën çame.  Nga radhët e kështjellave e gërmadhave, përfshi ato antike në Butrin dhe Akropol në Athinë, vizitova edhe monumentin dhe kështjellën e Ali Pash Tepelenës edhe në vet Tepelenën.
I ftuar nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Greqi mora pjesë në një seminar dyditor në qytetin atraktiv Kallabaka i rrethuar me një relief të pazakonshëm shkrepash,
Por ajo që dua të veçoj me këtë rast nuk janë vetëm vendet e ambientet e veçanta, (shumë nga to i shihja për herë të parë) që më tërhoqën dhe më lanë mbresë të pashlyeshme, por njerëzit tanë kudo që shkova, përfshi këtu mosha e kategori të ndryshme profesionesh, filluar nga nxënësit, studentët apo edhe punëtorë profilesh të ndryshme, në mesin e tyre mësues e profesor, poetë e shkrimtarë, aktorë e piktorë, gjurmues e etnografë, këngëtarë e muzikantë, kolegë gazetarë, spikerë  e kameramanë.
Takimet me gjithë këtë plejadë njerëzish përfshi edhe barinj  e baresha në Malësi të Madhe që mua dhe shoqëruesit tim Jakup Reka na ofruan një mipritje të paparë, kudo që shkuam.
Ndaj edhe që të gjitha ata që na mirëpriten e takuam dhe që u lidhëm me kontakte miqësie edhe përmes postës elektronike apo fb. i falënderoj nga zemra.
Ndërkohë herë pas here do të postoj fotot nga këto shtegtime për të parë se sa vende të bukura e njerëz të mrekullueshëm kemi. Ndërkaq ca nga fotot dhe xhirimet e mija amatore, do tua vej në shërbim falas në të ardhmen të gjithë nxënësve dhe studentëve në mërgatë, që të njihen me vendet e prejardhjes së prindërve të tyre në mënyrë që të duan vendin e të parëve dhe njerëzit që jetojnë në to, si një nga thesaret më të mëdha që kemi, por që nuk ia dijmë sa duhet vlerën.
Krejt në fund dua të falënderoj edhe familjen time, filluar nga gruaja dhe djemtë e vajzat, bashkë me nipa e mbesa që më inspirojnë e mbështesin për udhëtime të tilla, e në veçanti Zotin që edhe në këtë moshë ( ë 28 maj mbushi  të 74-tatë) më ka mundësuar lëvizjet dhe vet shtetin helvetik që me pensionin e pleqërisë  më mundëson që ti mbuloj të gjitha këto shpenzime, natyrisht duke bërë udhëtime e shpenzime modeste e jo luksi.
Sepse i tërë qëllim e misioni i udhëtimeve të mija njëvjetore  ishte jo vetëm që të njihem unë me ato vende, bukur e njerëz por që tua transmetoj të tjerëve, ata që nuk e kanë këtë mundësi.
Krejt në fund ju kërkoj falje të gjithë atyre që u kam premtuar dërgimin e fotove. Këtë do të bëj ndërkohë, sa të më jepet rasti.
( Me këtë rast këtij shkrimi po ia bashkoj disa nga fotot që kam realizuar gjatë këtij udhëtimi dyjavor)