“Ditët e Agimit 2019” në Gjenevë u shënuan me një program të denjë për respekt 

Edhe 20 vjet pas, shqiptarët nuk janë brenda projeksionit të Agim Ramadanit dhe nuk mund të thuhet që janë brenda projeksionit të karvanit të madh të njerëzve që kanë rënë që shqiptarët të bëhen një ashtu siç i bëri Zoti, e jo ashtu siç padrejtësisht i ndanë të tjerët,-theksoi Agim Sherifi kryetar i Shoqatës “Zhegra”, që ishte edhe organizatore këtij manifestimi të përshkuar me një program të pasur foljor e artistik

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pas manifestimit tradicional “Ditët e Agimit” në Kosovë, dje bashkëvendësit nga vendlindja e heroit, përmes një manifestimi madhështor, kujtuan dhe nderuan këtë figurë poliedrike, me Manifestimin Tradicional Kulturor “Ditët e Agimit 2019”, manifestim ky që në Gjenevë, kishte tubuar pos familjes e bashkëluftëtarëve edhe grupe artistike e artistë eminentë, qoftë nga Kosova apo diaspora, duke e kujtuar kështu me pietet këtë figurë madhore të Epopesë së Koshares.

Që nga hapja me himnin kombëtar, niveli reprezentativ i prezantueses, Afërdita Krasinqi, fjala e nikoqirit, kryetarit të shoqatës “Zhegra”, Agim Sherifit, përshëndetjeve shumë përmbajtëse që edhe njëherë nxjerrën në dritë për herë të parë detaje nga jeta familjare dhe fusha e luftës nga komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha aktualisht Ministër i Mbrojtjes dhe vëllai, Jashar Ramadani e të tjerë, si dhe paraqitja e pikave artistike nga grupe e artistë eminent, u pa se me ç ‘seriozitet i është përvesh organizatori këtij manifestimi, tashmë tradicional prej vitesh.

Pos këto personalitete të pranishmëve, ku pos qindra mërgimtarëve nga anë të ndryshme të Zvicrës, dhe mysafirëve nga Kosova, përshëndetën edhe Avni Hasani, konsull- Sekretar i Parë dhe miq zviceranë, autoritetet e komunës z. Ivan Rochat dhe z. Martin Staub, këshilltar e administrues. Po ashtu merrte pjesë edhe deputeti i parlamentit të Kosovës, Islam Pacolli.

Krahas komandantit të Brigadës 138 Agim Ramadani” , Rrustem Berisha, merrnin pjesë edhe ish ushtarakët e lartë e shokë të heroit: Anton Quni, Feriz Trezhnjeva, Musa Gjakova e të tjerë. Ndërsa një  dimension të veçantë kësaj ngjarje sa kulturore aq edhe përkujtimore i dha prania e tre artistëve të ardhur nga Kosova, Çun Lajçi, Edunal Llalloshi dhe Ilir Shaqiri. I papërshkrueshëm është interpretimi emocional e dinjitoz i Çun Lajçit, i cili ngriti në këmbë edhe të gjithë komandantët e Koshares dhe publikun e pranishëm.

Me këtë rast po e japim fjalën e organizatorit, kryetarit të Shoqatës “Zhegra”, Agim Sherifi: “Sot, në dekadën e dytë të rënies së tij, jemi mbledhur këtu për të kujtuar njeriun simbol të bashkimit të shqiptarëve që 20 vjet më parë, heroikisht, theu kufirin shqiptaro-shqiptar. Jemi mbledhur sot për të kujtuar Agimin e jetësimit të ëndrrës së çdo shqiptari.

Teksa jemi bashkë dhe ndajmë nderin, respektin dhe konsideratën për figurën e madhe të tij, nuk ka sesi të mos reflektojmë mbi motivin e madh të këtij njeriu që për t’i shërbyer ëndrrës shqiptare të bashkimit hoqi dorë nga gjithë cka pati, për tu bërë kështu krenaria jonë e madhe. E mendoj edhe sot kohën kur gjithë ne qemë mrekulluar nga hollet dhe luksi i madh i perëndimit, ndërkohë që përtej kësaj Agimi, edhe pse i ekspozuar përballë gjithë këtyre mundësive, kishte zgjedhur diçka më të madhe që i përket fondamentit të aspiratës qindravjeçare të shqiptarëve.

20 vite pas, shoqëria shqiptare evidente që ka përparuar në idenë e unifikimit dhe thyerjes së barrierave mes nesh. Megjithatë, edhe 20 vjet pas, shqiptarët nuk janë brenda projeksionit të Agim Ramadanit dhe nuk mund të thuhet që janë brenda projeksionit të karvanit të madh të njerëzve që kanë rënë që shqiptarët të bëhen një ashtu siç i bëri Zoti, e jo ashtu siç padrejtësisht i ndanë të tjerët.

Ky është motivi sipërorë i një shqiptari që jeton larg atdheut dhe që dy dekada pas hedhë ca mendime mbi një betejë që bëri një epokë. E në anën tjetër, në motivin lokal të bashkëvendësit të Agimit, si i mërguar nga fshati im Zhegër, nuk ka sesi ta fshehë ngazëllimin që me Agim Ramadanin nuk më bashkon vetëm emri por edhe përkatësia e fisme e fshatit që u bë kaq i madh nga figura e këtij heroi.

E kam pyetur shpesh veten se çka në fakt është përjetësia e njeriut. Është vepra e tij!! Jo të gjithë mund të ndajmë fatin me Agimin e madh që duke rënë me 11 Prill 1999,  rilindin për të festuar përjetësisht. Lavdi veprës së heroit dhe i përjetshëm qoftë flamuri dhe ideali për Shqipërinë tonë!”

Programit artistik me moton : “ I këndojmë Agimit” e përmbushën dhe i dhanë dimension të veçantë edhe dy ansamblet artistike: “Vatra” që udhëtoi nga Cyrihu e “Gëzuar” nga  Gjeneva, Korit “Nostalgjia” dhe Rapsodët Gjenevë si dhe këngëtarët Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, Ardian Dema, Kudret Rrustemi, Xhelal Ramadani dhe vëllezërit Ali Musaj

Rrallë ndonjë manifestim i kësaj natyre të ketë sjell aq shumë emocione, sa ky i djeshmi në Gjenevë, nga se aktorë e këngëtar bën që vërtetë të krijojnë një atmosferë të denjë për respekt, çfarë e meriton sot e përherë hero Agim Ramadani.