Blerim Rrecaj: Cikël poetik

KURESHTJE

Në çastin e mbramë
Kur u krijua si ishte
Gjithësia
Bota si ishte
Në çastin kur erdha
Unë

SHPËRFYTYRIMI

Vazhdoj të frymoj
Këtu
Duke u munduar
T’i bije në fije
Shpërfytyrimit
Tim

SQARIMl

Atdhe unë që gjërat e mira t’i vë në pah
Dhe si fëmijë gëzohem për to
Por edhe të pamirat që të kanë kapluar
Dhe që s’të kanë hije atdhe i bukuri-o
Nuk jam defetist as ai që ndjell zi
Nuk jam përçarës as ujk që mjegull do
Dhe nëse një ditë unë do bëhem përbuzësi yt
Shqipëri më gjyko

SHQETËSIM SHQIPTARËSH

Me vaj në buzë e duke qarë
Më pyeti fëmiu im
-Pse kaq e dobët është Shqipëria?
-Të përpiqemi se do të forcohet!
Vazhdoi e tha me lot në sy
-Pse në Kosovë ka kaq shumë bërrllog?
-Të përpiqemi se do të pastrohet!

KRAHASIM

Kosovë të krahasoj
Me hekurudhën që e ke gërmadhë
Të krahasoj Kosovë
Me stadiume futbolli
Që s’i ke për faqe të bardhë
Kosovë të krahasoj me shumë gjëra tjera
Që sjellin shumë dhembje jo të lehta
Po ecim bashkë me Kosovën ne
Më ngadalë se që ecën breshka
Me shpresë se lepurin tashmë e ka zënë gjumi Megjithatë Kosovë u gëzofsh siç e meriton Krahasime të tjera paçsh e bukur moj

HISTORIZË NDËRTESASH
NË QYTEZËN KOPSHTI I ËNDRRAVE

Kjo shumëkatëshe s’ish e mbiu
(Sikurse kërpudhë pas shiu)
Kur kjo u bë ajo atje s’ish
(Mbiu pas shiu si kërmill)
Kur u bë kjo tjetra që kam përballë
(U bë një kompleks banesor i rrallë)
Kjo ku rri atëherë nuk ekzistonte
(Në vend të saj një shtëpi
Pas djegjes nga lufta filloi të lulëzonte)
Dhe kështu vazhdon ky trend
Radhë-radhë e rend-rend
(As)pak na tremb e (as)pak na çmend
Ndërtuam (k)aq butëegërsisht
Saqë të gjithë sot po flasim
Për (sh)qëtësim arkitektonik
Si duruam e nuk pëlcasim
Ç’u bë me të shkretin ligj për planifikim
Njëra prej tyre tashmë po rrënohet
Ndër të parat e ndërtuar pas luftës
(Ku u zhvilluan aktivitete biznesore)
Të cilën e gjetëm kur erdhëm
Dhe po e shohim kah po e largojnë
Si një njeri për në botën tjetër
(Për t’i bërë vendparking
Ngrehinës tregtare që po rritet)
Pak a shumë kështu flet kjo historizë
Që ecën krahpërkrah me historinë e jetës sime

DITË ME DIELL

Fillimpranverë
Diell i fortë
Erë e freskët
Paksa e ftohtë
Një vogëlush
Që s’di nga t’ia mbajë
Në kaosin e paskaj
Kërkon mocanikët
Na pyet se ndokund a i pamë

SUPERAKSIONI MADE IN KOSOVA

S’di çfarë të bëj me se të merrem
Po bredh në sallonkuzhinë si boem shtëpie
Ngatërrueshëm enden brenda kokës
Mendime e kujtime fije-fije

Papritur shoh një shirit reklame
Kapur për një këmbe të tavolinës
Tavolinës ku hamë bukë
Pranë elementeve të kuzhinës

E marr dhe e vë mbi tavolinën e bardhë
Sikur një titull në një fletë A 4
Në dhomën e ndejës, në dhomën e pritjes
Shkrep mbi të me iPhone 6

Vazhdon të rri kështu ky titull
Pa vënë asgjë poshtë tij
Ne dy të zbrazët vështrojmë njëri-tjetrin
Ballë për ballë, përkarrshi

Këtu po mbaroj lojën time
Që as vetë s’e di pse e fillova
Sa dal pak jashtë dëgjoj se do kemi
Një super aksion ku do çuditet Kosova

E cili është super aksioni
Pyesni e prisni me të drejtë
Për peshq të mëdhenj, të mesëm a të vogël
Jo por po hapet dhe një supermarket

Kryeqytezë e mbipopulluar
Pa hapësira, pa parqe, pa kinema, pa bibliotekë
Supermarketet ta zunë frymën
Superaksione vazhdon të ketë

PUNËTORET E MARKETEVE

Punëtoret e marketeve
Ndonjëherë ndalen
E vështrojnë të heshtura
Grindjet mes çifteve konsumatore

NË KAFENENË E RE

Dalim me vëllaun
Pak për qejf
Pak palidhje
Pak kot
Rrugës shiu
Sulmon veturën
Vazhdon rrëmbyeshëm
Mbi tokë
Ky shi i ëmbël e i ftohtë
Rrugës vendosim
Se në cilën derë
Kafeneje do të hyjmë
Te e para s’ndalemi
Se afër saj
Nuk gjejmë vendparking
Vazhdojmë
Për te një adresë tjetër kafeneje
Dhe hyjmë
Në kafenenë përballë saj
Që duket që sa ka mbirë
Si kërpudhë pas shiut në shi
Zëmë një vend
Bëjmë e na vjen porosia
Dhe paswordi i wi-fi-së
Me emrin e kafenesë
Plus numri 2021
Dyshemeja e saj
Shtruar me mozaik
Gurësh bardhë e zi
Si pamje ekrani televizori
Duke bërë “zhëzhëzhë… “

PËR NJË SHI QË (S’)DO T’IA DIJË

Bie shi
Zhurmërimë përmbi këtë çati e
Mbrenda një ngrehine tregtare
Një menaxher dhe një menaxhere
Bisedojnë diç duke ecur
Kushedi për ç’problem e ç’plan
Kushedi për kë e për çfarë
Por bie shi që s’do t’ia di
E rrapllon përmbi çati
Enden punëtorë e klientë
Diç duke sjellur nëpër mend
Kush do ikë e kush do mbesë në atdhe
Edhe sa do vazhdoj ky trend
E bie shi që s’do t’ia dijë
Bie shi
E kushedi
Ndoshta ky shi do t’ia di
Dhembje ndjen si unë e ti

VARGJE ÇASTI

Thashë të shkruaj
Ca vargje tash
Siç ata që gatuajnë
Petulla çasti në plazh
Papritur u hodha
Në këto valë qetësie
Në mesnatë
Që sapo u shfaqën
Pas stuhiturbullimës
RESHJE

Më prekin të reshura trishtimesh
Se nuk mësojmë gjë prej dështimesh

GRILA NË GËRMI

Në një kafaz
Grilhekurt ngjyrëgjelbërt
Dikur banonin dy arinj
Një ari e një arushë
Patën ikur
Patën shkuar dikund
Më vonë erdhën si qiraxhinj
Ca lepurushë
Edhe ata ikën
S’di ku shkuan mor babush
E tash kur si muze ka mbetur
Ky kafez i zbraztë
Hy brenda për të parë
Për jetën që në të është bërë

DY QENTË

Nga dritaret e një nënkulmi
Të një ngrehine tregtare
Shoh një qen të zi
Para një hapësire tjetër tregtare
Të lidhur me zingjirë
Për kolibe të tij
Pranë tij kalon një qen i bardhë
Qen rruge
Bredharak e “rrugaç”
Të dy duken të mërzitur
Dhe nuk e di
Se cili prej tyre ndihet një grimë më mirë
Një grimë më rehat

PYETJE TË PËRSËRITURA

Ku janë institucionet
Ku janë mediet
Ku janë organet kompetente
Ku janë!?
Këtu janë
Po lëngojnë pa masë

ËNDËRR E BUKUR

Kohë e rëndë
Parashikim i turbullt
Shpresë e përgjumur
Ëndërr e bukur

KRONIKAT

Malli sa më paska marrë
Për një kronikë të bardhë

BISEDAT

Bisedoj me bashkatdhetarë
Që ka kohë që jashtë atdheut jetojnë
U besoj kur më thonë
Dhe ashtu edhe unë mendoj
Se në atdhe jeta është jetë
Dhe pajtohemi se shumë gjëra
Duhet e do të bijnë të vet

SI PO JU DUKEM

I qetë I vrullshëm
I zgjuar
I përgjumshëm
I frekët
I kalamendur
I akullt
I zjarrtë
I ngazëllyer
I mallëngjyer
I…
I…
I…
Si po ju dukem

LËVIZJET E MIA

Ishin e janë
Të turbullta
Vetmitare
Të imponuara
Disi dinjitoze

SOT

Nga ajo që sot po shoh
Shumë pak gjë zemrën ma ngroh

VAGONË ME VARGJE

U hodha një sy
Vargjeve që shkruava së fundi
Mbase i kam shkruar
Veç për të lënë shenjë
Veç për të zënë vend
Në vallen monotone
Në geton tonë të kështuzme
Që përpiqemi e dëshirojmë
Që së shpejti ta kujtojmë
E mos ta lëmë më
Të na përsëritet