Kosova nuk ka nevojë për spektakle politike

Kosova, jo më së paku, por aspak nuk ka nevojë për spektakle të tipit të atyre që pamë ditëve të fundit në Skenderaj. Nuk ka nevojë as për demonstrime force fizike, qofshin ato individuale, policore apo partiake, e as për demonstrime force verbale, për tensione të nxitura artificialisht dhe për atmosferë përçarjeje që helmon jetën publike. Po aq pak, Kosova ka nevojë për studiot televizive ku debatet janë shndërruar në gara ulërimash, ku analistë e “komentatorë” flasin pa dëgjuar njëri-tjetrin dhe ku gjuha e arsyes po zëvendësohet me gjuhën e fyerjes, etiketimit, nënçmimit dhe nxitjes së urrejtjes.

Kosova nuk ka nevojë as për gjuhën e tillë të politikanëve, udhëheqësve e përfaqësuesve të partive politike, e aq më pak për gjuhën e bashibuzukëve të tyre në terren e në rrjete sociale. Edhe vetë partitë politike nuk kanë nevojë për argatë të tillë, sepse gjuha e ulët nuk sjell fitore morale, por vetëm degradim të jetës publike dhe të vetë politikës.

Kosova ka hyrë në një fushatë zgjedhore që, në të vërtetë, nuk pushoi kurrë. Një fushatë që vazhdon pa ndërprerje, ku tensioni mbahet gjallë çdo ditë dhe ku kundërshtari politik shpesh trajtohet si armik, e jo si rival demokratik. Në një klimë të tillë, sharja, fyerja dhe demonizimi i tjetrit po paraqiten si metodë politike, ndërsa debati për programet dhe idetë po shtyhet në plan të dytë.

E megjithatë, fushatat mund të bëhen edhe ndryshe. Mund të bëhen duke shpalosur vlerat, programet dhe vizionet, e jo duke sharë, fyer e demonizuar tjetrin. Kosova është vend i vogël dhe qytetarët e dinë pak a shumë se çfarë ka bërë secili deri më sot. Ajo që ende nuk e dinë është se çfarë synon të bëjë secili nesër. Pikërisht këtë duhet t’ua tregojnë qytetarëve.

Prandaj, secili, qoftë politikan, simpatizant apo “ushtar” partie duhet të përmbahet nga fjalët e rënda, sepse fjala ka peshë. Ka pasoja.

Populli ynë e ka thënë prej kohësh: “Goja llap-llap, shpina dap-dap”, sidomos kur ligji nuk vepron. Një tjetër thotë: “Fjala s’e mund fjalën”. Ndërsa për fjalën në politikë është thënë edhe kjo fjali e rëndë, por e vërtetë: “Po të mund të kapej fjala në politikë dhe të shtrydhej, ajo do të pikonte gjak.”

Prandaj kujdes nga fjalët, politikanë.

Fjala, njësoj si arma, nuk kthehet prapa. Arma vret kur shkrep. Edhe fjala, kur del nga goja, nuk kthehet më, por mund të vrasë po aq rëndë dinjitetin, qetësinë, familjen, madje edhe shpresën e njerëzve.

Prandaj mos vritni me fjalë, sepse nuk keni pse.

Lidershipi politik, natyrisht, nuk mund t’i kontrollojë të gjithë simpatizantët gojëkëqinj dhe as t’i ndalë të gjithë ata që shajnë e fyejnë në emër të partisë së tyre. Kjo është pothuajse e pamundur. Por një gjë mund ta bëjë secili lider politik: të distancohet publikisht nga gjuha e ulët dhe nga sharjet.

Kjo u pa edhe para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës, kur një deklaratë e papranueshme e një deputeti shkaktoi reagime nga të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe vetë subjektin politik të cilit ai i përkiste, si dhe reagimin e kryeministrit. Pikërisht ky është minimumi që duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike: distancimi nga gjuha e papërgjegjshme.

Një distancim i tillë nuk do ta ulte asnjë lider partie. Përkundrazi. Do ta ngrinte më lart në sytë e qytetarëve, do t’ia shtonte nderin, seriozitetin dhe prestigjin politik. Prandaj distancohuni nga sharjet. Mos t’u vijë vështirë ta bëni këtë.

Jemi në një fushatë zgjedhore që praktikisht ka nisur prej kohësh, ndonëse ende jo zyrtarisht. Por fushata nuk duhet të jetë garë sharjesh e fyerjesh. Mos shpalosni sharje. Shpalosni idetë tuaja. Tregoni çfarë do të bënit ndryshe nga të tjerët, ndryshe nga partia që ishte në pushtet apo ndryshe nga rivali politik.

Qytetari ka nevojë të dëgjojë programe, vizione dhe zgjidhje, jo britma, etiketime dhe urrejtje.

Dhe, me shumë gjasë, me këtë do të fitoni më shumë, shumë më tepër sesa me sharje.

Sepse sharja nuk bind askënd. Ajo vetëm e detyron tjetrin t’ua kthejë me të njëjtën gjuhë, duke e zhytur edhe më tej jetën publike në urrejtje, tension dhe armiqësi të panevojshme.