Basil Schader është personalitet me peshë të madhe në ruajtjen dhe afirmimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Nga Hazir Mehmeti, 15 maj 2026, Vjenë

Lajmi i kalimit në amshim i Profesor Basil Schader, albanologut të njohur në kohën tonë ishte tronditës. Në moshën 75 vjeçare papritmas ndërroi jetë duke lënë pas veprën e tij kolosale si metodistë, gjuhëtar, përkthyes dhe autor i shumë veprave me vlerë. Jeta e tij ishte e lidhur me projektet e shumta në hartimin dhe botimin e veprave të shumta. Mbi të gjitha, të teksteve mësimore të cilat u përkthyen në shumë gjuhë duke pasur si përcaktim mësimin e gjuhëve amtare në Zvicër, Gjermani, Austri dhe vende tjera në kontinent ku jetojnë komunitet nga kombe të ndryshime të botës. Duke qenë i lidhur shumë me gjuhën shqipe si albanolog, me shqiptarët në Zvicër dhe vende tjera, u bë prijësi në realizimin e shumë projekt për botimin e teksteve mësimore dhe literaturës didaktike e metodike. Ishte mik i Lidhjes së Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër ku bashkëvepronin mësuese e mësues shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ky bashkëpunimi, shpalosi nevojat e shumta për tekste dhe materiale mësimore për fëmijët shqiptarë dhe aktivitet studimore në gjuhën shqipe. Duke qenë Profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zyrich, drejtoi disa projekte për hartimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit në diasporë, teksteve didaktike e pedagogjike në disa gjuhë për nxënës me gjuhë tjetër të origjinës. Ka ndihmuar shkollën shqiptare edhe materialisht në ndërtimin e tyre në Shqipëri. Ishte aktiv në realizimin e shumë projekteve nga lëmi i gjuhësisë dhe didaktikës. Ka marrë pjesë në shumë seminare të mësuesve nga diaspora, duke dhënë kontribut me vlerë me ligjëratat e tij në trajnimin e mësuesve. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës realizoi projektin e njohur të teksteve mësimore të njohura si Fletore Tematike për të gjitha nivelet e mësimit amtar në diasporë. Nuhi Gashi dhe Arif Demolli ishin bashkëpunëtorët e tij të ngushtë nga Ministria e Arsimit të Kosovës në realizimin me sukses të projektit të teksteve mësimore. Ky projekt u vlerësua me çmimin Projekt i Shkëlqyeshëm në nivel evropian në vitin 2015 në Graz ku Dr. Basil Schader, Nuhi Gashi dhe Hazir Mehmeti e pranojnë solemnisht çmimin. Ishte ky vlerësimi më i lartë ndonjëherë i një projekti në gjuhën shqipe në kontinentin tonë.
Prof. Dr. Dr. Basil Schader, gjermanist dhe albanolog. Punoi si docent në Shkollën e Lartë të Pedagogjike Cyrih dhe ishte drejtues i projekteve në Qendrën Ndërkombëtare për Edukim (IPE- International Projckts in Education). Fushat kryesore hulumtuese të tij ishin: Didaktika e gjermanishtes si gjuhë e parë dhe e dytë, orientimi ndërkulturor i mësimit, gjuha shqipe, kultura dhe emigrimi. Ka publikuar shumë hulumtime në fushën e gjuhësisë; mësimi në gjuhën e prejardhjes.
Prof. dr.dr Basil Schader, ka mbaruar studimet për gjuhë shqipe duke u shpallur doktor në albanologji në vitin 1985 dhe vitin 2005. Ka studiuar edhe gjermanistikën. Është didaktik dhe metodist i njohur në rrethet shkencore universitare e shkollore në hapësirat gjermanofolëse, sikurse në disa gjuhë tjera duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Nga gjuha shqipe në gjermanisht ka përkthyer disa vepra letrare. Është: Prof. Docent në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Hulumtimet e tij kapin sferën gjuhësore krahasuese shumë gjuhësore dhe problemet didaktike e metodike të mësimit në klasat me nxënës të nacionaliteteve, me shumë gjuhë amtare dhe nivele njohurish të ndryshme. Në këtë sferë janë të njohura raportet ndërgjuhësore të bëra tek fëmijët shqiptarë me grupin e tij hulumtues dhe rreth gjuhës shqipe dhe gjermanishtes.. Basil Schader është personalitet me peshë të madhe në afirmimin dhe ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.
Pa dyshim, Basil Schader do mbetet gurë themeli në marrëdhëniet në mes popullit zviceran dhe atij shqiptar shekujve. Duke qenë bashkëpunëtor në grupin e tij në hartimin e nëntëmbëdhjetë teksteve mësimore (Fletore Tematike) për dhjetë vjet rresht, mësova shumë dhe përjetova kënaqësi pune seminareve, konferencave dhe institucioneve ku u prezantuam.
Faleminderit miku ynë i paharruar Basil Schader!
Prehu i qetë në amshim, O njeri i shkëlqyeshëm!
Ngushëllime!















