Dje ndërroi jetë Albanologu i mirënjohur zviceran Prof. Dr. Dr. Basil Schader, (Shader), jo vetëm njëri nga miqtë tanë më të mirë prej vitesh, por edhe njëri nga personalitetet më me peshë shkencore e kulturore, që i ka dhënë një vulë të veçantë arsimit plotësues shqip në mërgatë, si dhe thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë midis institucioneve arsimore e kulturore të Zvicrës me ato të trojeve shqiptare. Me tu pavarësuar Kosova , doktor Shadër ndër të parët shkoi në Kosovë për të ndihmuar shkollën shqipe.
Ndaj edhe me këtë rast si komunitet duhet të i jemi shumë mirënjohës edhe shoqes së tij Erikës, për tërë kontributin e dhënë me vite edhe në realizimin e disa aksioneve humanitare në ngritjen e objekteve shkollore në veri të Shqipërisë.
Në shenjë dashamirësie ndaj ne shqiptarëve dhe kulturës sonë, Profesor Shader jo vetëm që e fliste një shqipe të shkëlqyeshme letrare, por edhe mbrojti njërën nga doktoratat e tij në gjuhën shqipe, doli edhe si botim i veçantë në gjuhën shqipe, me titull: “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër“.
Sa për njoftim albanologu Shader, ishte profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Cyrih dhe se atij bënte përherë përshtypje numri i madh i shqiptarëve në Zvicër, jeta dhe gjuha e tyre, sa arriti që nëpërmjet një pune hulumtuese të realizojë një studim mbi ta. Madje kjo ka qenë edhe një ndër arsyet që e shtynë të mësonte gjuhën shqipe. Dhe jo vetëm kaq por edhe të jetë pjesëmarrës në shumë manifestime të shqiptarëve apo edhe të organizojë edhe seminare apo edhe të botojë libra në gjuhën shqipe.
Për mua personalisht, rëndësi ka fakti se jo vetëm që ishim miq të afërme, por Ty të pata edhe recensent të librit tim të parë: “Shqiptarët në Zvicër- 100 pamje” ndaj edhe të jam mirënjohës edhe në këtë drejtim.
Me këtë rast ngushëllime mbarë familjes Schadër dhe gjithë atyre që të njihnin dhe bashkëpunuan me Ty nga afër, numri i të cilëve nuk është i vogël, jo vetëm në Zvicër por edhe në trevat etnike.
( Me këtë rast ca shkrepje të mija nga pjesëmarrja e çiftit Schader në manifestimet tona në Zvicër )























