Judita Dedi – Cikël poetik

Mes pasqyrash

Mes pasqyrash përplasa versionet e mia, që s’u pajtuan kurrë me njëra-tjetrën..
sepse çdo realitet më kërkonte një njeri ndryshe…
Njëra anë heshtte për të ruajtur botën, tjetra mprehte dhëmbët për të thënë veten…

Në Kërkim

Një dorë nën ujë përkëdhelte lulet në pasqyrimin e tyre të ftohtë…
lëvizte ngadalë, sikur kërkonte të sillte atë drithërimë të lehtë…
ndalonte me radhë tek e para, tek e dyta, e kthehej sërish tek ato…
si dikush që s’ngopet dot me një ndjenjë, se i duket sikur i ikën sapo e prek…

Meditim

Sot rrugët u zgjuan nën aromë shiu dhe një ere
mbytëse që rëndonte gjithë qytetin..
makinat kalonin ngadalë, sikur edhe ato e ndjenin lodhjen e mëngjesit…
pikat mbi xham më mbanin sytë pezull diku mes mendimeve dhe reve gri,
dhe pa e kuptuar, dita nisi me atë melankolinë e qetë e të lagur…

Kur shpirti laget

Ndonjëherë njeriu ka nevojë veç për një dorë.
jo për të ndryshuar botën, por për të mos u ndjerë vetëm…
Mjafton një strehë e vogël mbi kokë,
që të mbron..
kur shiu bie fort mbi shpirt,
dhe ti ndihesh tjetër…

Dashuria

Nuk matet me ditë apo fjalë..
është rrugë që kalon përmes vetes,
disa lënë gjurmë që koha s’i shuan,
të tjera të gdhendin si gurët në themele…

Mes dashurisë më gjej, më humb,
jam pikë që s’përkufizohet…
se ndjenja nuk është veç një përqafim,
por një magji ku shpirti frymëzohet…

Pas perdes

Pas perdes qëndrojnë monologje të qeta mendimesh…
veshur me rolin e heshtjes që merr formë në çdo reflektim…
thellë në vështrimin zhbirues që kërkon përtej dukjes..
për të zbuluar të vërtetat e për t’u dhënë kuptim.

Judita Dedi