Rrënjët Demelezëve
Të parët tanë thoshin kaherë kështu
kur pyetej dikush: “I kujt je ti?”
Përgjigjja vinte qartë e me krenari:
“Jam djali i Muharremit”, – thoshte ai.
Muharremi i Ahmetit,
Ahmeti i Zejnës,
Zejna i Ajvazit,
Ajvazi i Selimit.
Selimi i Demës,
Dema i Elezit – Demelez,
aty ku dihet lagjja
dhe rrënja e trungut tonë.
Trung autokton shqiptar,
me fis e me farë,
me emra që rrjedhin
brez pas brezi.
Por kur donim të shkonim më larg
në kërkim të origjinës sonë,
të moshuarit qeshnin e thoshin
“Mos e zgjat shumë këtë punë, o Demelez,
se në fund dalim si pekmez!”
’’Nuk i dihet kësaj pune mirë,
mos jemi të Gjergjit, të Gjonit,
apo edhe të Kastriotit.”
Për dajtë thuhet me krenari
se janë nga fisi Gjini,
një degë tjetër e trungut
që rritet në të njëjtën tokë.
E rëndësishme është një gjë:
jemi shqiptarë, me fis e me farë.
Gëzuar për Demelezët, për Gjinët – dajallarët tanë,
dhe për gjithë të tjerët me radhë.
Qofshim të ndritur e të ditur,
dhe në jetë dalshim gjithmonë
faqebardhë. / Xh.H.


















