Zog Krahthyer

Zog Krahthyer

(Kushtuar dajës tim, i cili ndërroi jetë më 4 mars 2023 në Nju-Jork, SHBA.)

 

Qëkur ike, s’jam më ai që isha.
Flisnim çdo ditë, të dy,
tretur në dhe të huaj.

Kujtonim hanin dhe themelet e tij,
ngjitur me Kapi.
Kohët me shtrëngata
që shumëherë na kishin ndërprerë hapat.

Kujtonim netët me hënë,
kur zhvishnim misrin.

Kujtonim ditët në malet e Sharrit
dhe lisat e gjatë.

Kujtonim zonjën e shtëpisë,
që, vakt e pa vakt,
shtronte sofrën me bukë.

Kujtonim udhën,
shtruar me hekur e zjarr,
me qivurin, plumb mbi supe.

Kujtimet na i ndërpreu
vdekja jote e parakohshme,
përtej Atlantikut.

E unë, me mallin për ty,
sillem vërdallë brigjeve të Lemanit,
si zog krahthyer.

Flas me ty çdo ditë
dhe lus Zotin
të takohemi të gëzueshëm e faqebardhë.

Kjo botë
na shkoi lot e mall.

Arif Ejupi
Gjenevë, 4 mars 2026