Konferencë në Lugo të Italisë kushtuar Kosovës Lindore: Një apel i qartë për të drejta dhe vëmendje ndërkombëtare
Më 21 dhjetor 2025, në qytetin Lugo të Italisë, përfaqësues të diasporës shqiptare, institucioneve lokale dhe botës akademike u mblodhën në një konferencë kushtuar Kosovës Lindore, duke artikuluar shqetësime dhe kërkesa të qarta për respektimin e të drejtave politike, kulturore dhe njerëzore të shqiptarëve në këtë rajon.
Lugo, Itali – 21 dhjetor 2025 / Texti dhe fotografitë: Ornela Radovicka
Në qytetin Lugo, pranë Kalaja e Alfonso d’Este, u mbajt konferenca me temë “Kosova Lindore”, një ngjarje me rëndësi të veçantë politike, kulturore dhe akademike për diasporën shqiptare dhe për opinionin ndërkombëtar. Konferenca u organizua nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali (FNAI), nën drejtimin e kryetarit Granit Mucaj.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të shumtë të shoqatave shqiptare, intelektualë, studiues, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë italianë, duke u shndërruar në një forum serioz diskutimi për pozitën politike, shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Konferenca u mbështet me bujari dhe dinjitet nga shoqata Vatra – Shoqata Shqiptare, me qendër në Lugo.
Pjesëmarrje institucionale dhe zëra përfaqësues nga rajoni
Në mesin e të ftuarve ishin Enkel Rexhepi, këshilltar i komunave shqiptare në Serbi, i cili foli për sfidat institucionale dhe për nevojën e përfaqësimit të qëndrueshëm politik; Majlinda Shaqiri, gazetare dhe një nga figurat e pakta shqiptare që kandidon për përfaqësim politik në Luginën e Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë); si dhe mësuesi Rexhep Abazi, i cili solli një këndvështrim arsimor dhe shoqëror nga terreni.
Nga Shqipëria mori pjesë edhe Arif Tavani, Kryetar i Bashkisë së Belshit, i ftuar në kuadër të nismës për binjakëzimin e këtij qyteti me qytetin italian Lugo – një hap që synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe lidhjeve kulturore mes dy vendeve.
Konferenca u nderua gjithashtu nga prania e Kryetares së Bashkisë së Lugos, Elena Zannon, si dhe nga pjesëmarrja e intelektualëve dhe qytetarëve nga rajone të ndryshme të veriut dhe verilindjes së Italisë, duke i dhënë ngjarjes një dimension të gjerë qytetar dhe evropian.
Kontribute akademike dhe përshëndetje institucionale
Një vlerë e shtuar e konferencës ishin përshëndetjet dhe kontributet akademike. Vilma Proko, studiuese pranë QSPA, përcolli një përshëndetje nga Instituti Albanologjik i Gracit, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit shkencor dhe institucional të çështjes së Kosovës Lindore në hapësirën akademike evropiane.
Po ashtu, Refik Hasani, profesor në shkollën e Gjilanit, mori pjesë së bashku me grupin nga Presheva, duke sjellë dëshmi të drejtpërdrejta mbi gjendjen e arsimit, identitetit kulturor dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon.
Rezolutë me mesazh të qartë politik dhe shoqëror
Në përmbyllje të konferencës, pjesëmarrësit miratuan një Rezolutë të qartë dhe përmbajtësore, e cila artikulon kërkesat kryesore për respektimin e të drejtave politike, kulturore, arsimore dhe njerëzore të shqiptarëve në Kosovën Lindore, si dhe bën thirrje për vëmendje dhe angazhim më të madh të faktorit ndërkombëtar.
Rezoluta u lexua nga Ornela Radovicka, drejtuese e Qendra Albanologjike, e themeluar nga Atë Bellusci në Frascineto, Itali.
Teksti i plotë i Rezolutës publikohet në vijim:
Fermo, 21.12, 2025.
REZOLUTË
Nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), mbi Çështjen e Minoritetit Shqiptar të Luginës së Preshevës në Republikën e Serbisë, pas zhvillimit të Konferencës “Kosova Lindore dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”, në Lugo (Ravena) Italy, më 21.12.2025.
MOTIVET
Duke u mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut dhe standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare;
- meqenëse Neni 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (1953) garanton se “gëzimi i të drejtave dhe lirive të përcaktuara në këtë Konventë sigurohet pa asnjë formë diskriminimi, përfshirë atë mbi bazë të përkatësisë kombëtare, gjuhësore apo etnike”;
- meqenëse Neni 27 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1966) garanton “të drejtën e personave që u përkasin pakicave etnike, fetare ose gjuhësore për të gëzuar kulturën e tyre, për të përdorur gjuhën e tyre dhe për të ushtruar identitetin e tyre kolektivisht”;
- duke pasur parasysh Aktin Final të Helsinkit (1975), i cili obligon shtetet pjesëmarrëse të “respektojnë barazinë para ligjit të personave që u përkasin pakicave kombëtare” dhe të “krijojnë kushte për ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre”;
- meqenëse Deklarata e OKB-së mbi të Drejtat e Personave që u përkasin Pakicave Kombëtare ose Etnike, Fetare dhe Gjuhësore (1992) garanton “ushtrimin e të drejtave pa diskriminim dhe pa pasoja negative për individët apo komunitetet”;
- duke pasur parasysh Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (1998), e cila “ndalon ndryshimet artificiale të strukturës demografike dhe garanton të drejtën e lidhjeve të lira ndërkufitare të pakicave kombëtare”;
- duke vërejtur me shqetësim të vazhdueshëm raportimet e institucioneve ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe organeve shtetërore partnere mbi praktikat diskriminuese ndaj pakicës kombëtare shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë;
- meqenëse praktika e ashtuquajtur „pasivizim i adresave“ është zbatuar në mënyrë selektive dhe targetuese ndaj qytetarëve të Republikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare, duke prodhuar pasoja serioze juridike, politike, sociale dhe ekonomike;
- duke marrë parasysh Rezolutën e Parlamentit Evropian të datës 6 korrik 2022, Raportin e Departamentit të Shtetit SHBA për të Drejtat e Njeriut (2022), si dhe raportet e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi;
- duke u mbështetur në kërkesën zyrtare të Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Kongresin Amerikan, z. Keith Self, të datës 2 dhjetor 2025, për përgatitjen e një raporti gjithëpërfshirës mbi diskriminimin e shqiptarëve në Serbi;
- duke theksuar se Republika e Serbisë është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe, si e tillë, ka detyrimin të përmbushë standardet më të larta të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut;
si organizim shoqëror kërkojmë:
- Republika e Serbisë të respektojë plotësisht detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare dhe instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave kombëtare, përfshirë pakicën kombëtare shqiptare.
- Republika e Serbisë të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022.
- Të rishqyrtohet dhe pezullohet zbatimi i Nenit 18 të Ligjit për Rezidencën e Qytetarëve, për shkak të zbatimit të tij diskriminues ndaj shqiptarëve në Serbinë jugore.
- Të rivendoset statusi juridik dhe civil i të gjithë qytetarëve shqiptarë që janë fshirë nga regjistrat civilë pa njoftim dhe pa procedurë të rregullt ligjore.
- ë garantohet ushtrimi i plotë i të drejtës së shtetësisë, votës, pronës, sigurimit shëndetësor, pensioneve dhe përfitimeve sociale për qytetarët shqiptarë të prekur nga praktika e pasivizimit.
- Republika e Serbisë të ndërpresë menjëherë çdo praktikë administrative që prodhon efekte të spastrimit etnik përmes mjeteve burokratike.
- Të sigurohet përfaqësim proporcional dhe i drejtë i shqiptarëve në institucionet shtetërore, administratën publike, policinë, gjyqësorin dhe organet e sigurisë.
- Të garantohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare shqiptare në përputhje me ligjin dhe standardet evropiane.
- Të sigurohet arsim cilësor në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, përfshirë njohjen e diplomave, tekstet shkollore dhe përfaqësimin e historisë dhe kulturës shqiptare.
- Të hartohen dhe zbatohen politika të veçanta zhvillimore për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, me qëllim ndalimin e emigrimit dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
- Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të dërgojë një mision monitorues në Luginë të Preshevës dhe të raportojë mbi gjetjet e saj.
- Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij të kushtëzojnë avancimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Serbisë me përparim konkret dhe të verifikueshëm në respektimin e të drejtave të shqiptarëve.
- OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe partnerët transatlantikë të intensifikojnë monitorimin dhe dialogun institucional lidhur me pozitën e pakicës shqiptare në Republikën e Serbisë.
PS: Kjo rezolutë paraqitet nga këndvështrimi i përfaqësuesve politikë e institucionalë të shqiptarëve, me qëllim nxitjen e dialogut, respektimit të ligjit dhe harmonizimit të legjislacionit me standardet evropiane.
* Kjo Rezolutë do t’u dërgohet:
- OKB dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut pranë OKB.;
- Këshillit Europian dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut;
Parlamentit Europian;
- Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Parlamentit Shqiptar, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë;
- Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit të Republikës së Kosovës; Parlamentit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Jashtme të Kosovës;
- Presidentit të Serbisë, Parlamentit të Serbisë, Kryeministrit të Serbisë, Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
- Parlamentit të Malit të zi;
- Parlamentit të Maqedonisë së Veriut;
- Parlamentit italian.


























