Të burgosurit politikë-shtyllë e fortë e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Shkruan: Safet Sadiku

A) Padyshim, demonstratat e vitit 1981 patën një ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e sistemit komunist në ish-Jugosllavi. Por, sakrifica e të burgosurve politikë shqiptarë, për vite të tëra ka kaluar në një tym pa u trajtuar në nivelin e duhur nga asnjë institucion shtetëror i Republikës së Kosovës.

B) Proceset politike që forcuan vetëdijen e identitetit shtetëror dhe sakrificat sublime të individëve dhe të tërë shoqërisë përballë regjimit komunist të Serbisë-Jugosllavisë, janë pjesë e historisë sonë shtet-formuese që e bëri Kosovën të njohur ndërkombëtarisht. Nuk ka dyshim se vetëdija e intelektualëve, të cilët provuan se kishin një „shtyllë të fortë kurrizore,“ u shfaq fuqishëm me shpërthimin e demonstratave të marsit 1981 dhe kërkesën politike: „Kosova Republikë!“

1) Roli i këtyre demonstratave dhe i të gjithë të burgosurve politikë të viteve ’80-ta në popullin tonë, vlerësohet me të drejtë si krenari kombëtare. Por, frika për mbështetje publike ishte shumë e madhe. Të besueshmit e regjimit serb, ndonëse flisnin shqip, e bënin punën e tyre me përkushtim. Për një fjalë të fusnin në burg, të nxirrnin nga puna, nuk ta lejonin regjistrimin në studime etj. etj. Dhuna e Serbisë ndaj protestuesve nga dita në ditë dhe nga viti në vit po rritej. Kështu që nga vitet 1981-1996 mbi një milion shqiptarë kaluan nëpër burgjet e Serbisë. Sot, kur kanë kaluar mbi dyzet (40) vjet, askush nuk ka trajtuar apo studiuar profesionalisht këtë periudhë historike, që ishte baza kryesore e vetëdijes kombëtare për ta ndryshuar gjendjen ndaj okupatorit serb. Në anën tjetër, transmetimi i shumë intervistave ekskluzive me ish-të burgosur politikë në një televizion publik, siç është TV Dukagjini, pa dyshim është një vendim i pamatur. Për më tepër, në këto emisione shfaqen jo vetëm viktimat, ata që kanë vuajtur dënimet, por përmenden edhe emra dhe fakte, të personave që kanë shkaktuar dhunë ndaj tyre, duke nxitur një armiqësi të re në shtresat e popullsisë, e cila edhe ashtu është e dukshme për shkak të faktit se pushtetarët e dikurshëm ende nuk ndihen mirë, pasi viktimat e tyre ende janë gjallë dhe të stabilizuar në jetën e tyre private. Ngjarjet dhe përjetimet janë të shumta, dhe nëse do të shkruanim e kujtonim të gjitha ato ndodhi e gjyqe të pafundme, do të kuptonim se janë pjesë e plagëve të shoqërisë sonë që ende kullojnë gjak. Të gjithë të burgosurit kanë përjetuar vuajtje dhe tortura nga gardianët dhe ata që i shërbenin regjimit serb. Tani, barazimi i viktimës me xhelatin është i padrejtë. Por, përse të kujtohen gjithë ato vuajtje publikisht përmes mediave? Cili është qëllimi? Kush e inicioi?

2) Të burgosurit politikë që nga viti 1981 mbajtën një peshë të rëndë në historinë tonë, pasi ata kaluan nëpër vuajtje të papërshkrueshme dhe tortura mizore. Në një kohë kur zëri i popullit shqiptar shtypej në mënyrë të dhunshme nga regjimi jugosllav, këta njerëz me vetëdije u bënë viktima të një sistemi brutal që nuk toleronte, as mendimin e lirë,
dhe as të drejtat njerëzore, dhe lëre më njohjen e identitetit shtetëror të Kosovës si Republikë. Ata nëpër burgje famëkeqe janë mbajtur në kushte çnjerëzore. Të burgosurit përballeshin me dhunën e përditshme të gardianëve dhe të shërbëtorëve të regjimit serb, të cilët ushtronin autoritetin e tyre pa mëshirë. Ata qëndronin të izoluar nga bota, duke u përballur me kërcënime, dhunë psikologjike dhe fizike, për t’i nënshtruar e për t’i thyer shpirtërisht. Sakrificat dhe qëndresa e tyre edhe sot e kësaj dite janë një testament i fuqisë së shpirtit njerëzor dhe i besimit të tyre të palëkundur për liri dhe drejtësi, për Kosovën Republikë, me identitet të mirëfilltë shtetëror, e cila e drejtë njerëzore dhe politike bazohej në vlerat e vetëdijes kombëtare, duke pasur gjithmonë synimin në realizimin e ëndrrës për Bashkim Kombëtar!… Sot, përmes platformave publike, siç është TVD me apo pa vetëdije, disa individë të mediave përpiqen të krijojnë një narrativë, që barazon viktimën me xhelatin.

3) Ky qëllim është thellësisht i padrejtë. Madje është një sjellje fyese. Kjo skenë publike dhe kjo shpërfaqje nuk është e mbrojtur me ligje juridike të shtetit tonë, për çfarë kjo kategori e njerëzve që kanë vuajtur burgje të regjimit serbo-jugosllav, kanë ëndërruar të vijë kjo ditë. Dhimbja dhe vuajtja e atyre që u torturuan nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore me ata që i munduan dhe i shtypën. Kujtesa historike nuk duhet të manipulohet për interesa personale apo politike të përditshmërisë sonë, ose për interesa të një media. Është thelbësore që qëllimi i paraqitjes së vuajtjeve të dënuarve politikë të jetë për të nderuar sakrificat e tyre dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet. Prandaj, duhet të jemi vigjilentë ndaj përpjekjeve për të ndryshuar apo për t’i relativizuar të vërtetat historike, sepse respekti ndaj vuajtjeve të të burgosurve politikë është një detyrim që shoqëria jonë ia ka atyre dhe brezave të ardhshëm. Ky qëllim në këtë formë nuk mund të përmbushet duke e balancuar edhe pjesën tjetër të shoqërisë; xhelatët, me një trajtim po njëjtë privilegjues, sa për t’u arsyetuar edhe ata në një media të tillë „se gjoja kanë pasur të drejtë“!

Të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë të viteve 1980-ta, kanë qenë të shtypur, të përgojuar nga njerëzit që kanë bashkëpunuar me Serbinë ose kanë qenë të besueshmit e saj. E ritheksoj edhe njëherë se tendenca për ta bërë viktimën të barabartë me ata që i burgosën nuk është vendim i duhur nga asnjë grupim politik ose nga një media. Kjo kategori e shoqërisë që ka vuajtur torturat më çnjerëzore, prej vitesh ka pasur nevojë të trajtohet në nivel shkencor, për gjithë rolin që luajtën në rënien e sistemit komunist në ish-Jugosllavi?

4) Por, menjëherë pas Luftës së Kosovës, nuk kemi parë ndonjë organizim institucional për ndonjë vlerësim, që këtë të drejtë, e cila thekson rëndësinë e trajtimit sa më korrekt të të burgosurve politikë shqiptarë që nga viti 1981 e këndej në një nivel meritor institucional (dhe e gjithë periudha e dekadës të viteve ’80-ta) me respekt të veçantë për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rënien e sistemit komunist në ish-Jugosllavi. Por, gjithë ato sakrifica kanë mbetur si një plagë e pa mjekuar nën mëshirën e faktorëve të natyrës… Ata kanë kaluar përmes vuajtjeve të mëdha me persekutim të vazhdueshëm, shpesh të kryer nga individë tanë shqiptarë që bashkëpunuan me regjimin serb apo që vepruan si besnikë të tij. Të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë të viteve 1980-ta kanë qenë të shtypur dhe të luftuar nga njerëz që kanë bashkëpunuar me Serbinë ose kanë qenë të shërbimit të sigurimit serb, i cili vepronte në Kosovë!… Kjo kategori e shoqërisë, nën grupimin e titulluar, të burgosurit politikë, ndonëse kanë kaluar mbi dyzetë vite, ka lënë gjurmë, të cilat kanë pasur çmimin më të shtrenjtë, atë të jetës pasi janë të shumtë personat që kanë ndërruar jetë gjatë këtij rrugëtimi në përballje me regjimin e politikës serbe. Shumë nga historitë e vuajtjeve të tyre janë individuale, përfshirë rrethet familjare me vija të ashpra ndarëse, saqë memoria njerëzore e shqiptarëve të saktë nuk do t’i harron kurrë edhe aq lehtë!

5) Tendenca për t’i barazuar viktimat me ata që i kanë persekutuar është një çështje e ndërlikuar dhe një padrejtësi e madhe. Është shumë e rëndësishme të theksoj se roli i atyre që vuajtën dhe sakrifikuan për të fituar lirinë dhe të drejtat e tyre, do të duhej të trajtohej sa më mirë me objektivitet historik dhe me përkujdesje institucionale të duhur, duke përfshirë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Kjo vendosmëri e të burgosurve politikë ka të bëjë me gjithë ato sakrifica përballë regjimit politik të Serbisë, që ballafaqoheshin me tërë egërsinë dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve si një ish-sistem politik i komunistëve serbë. Por, nëse sot i drejtohemi politikës aktuale të viteve të tranzicionit se çfarë mendimi ka pasur deri tani ose ka aktualisht për mënyrat se si mund të përmirësohet trajtimi edhe mediatik dhe publik ndaj kësaj kategorie të shoqërisë? Përgjigjja është e thjeshtë, pasi po thuaj se nuk ka asnjë ligj dhe asnjë mbështetje si temë për t’i trajtuar këto familje, individët e tyre etj. Faktorët e ngecjes janë të shumtë. Por njëri nga faktorët kryesor është, se një pjesë e xhelatëve titistë e kapen drejtimin e vendit dhe u bënë pushtetarë! Dhe mjerimi u fuqizua kur të besueshmit e Serbisë-servilët, bashkë me një pjesë të viktimave provuan dhe ja arritën të qeverisin me pushtet në gjithë kohën e pasluftës!… Rezultatet janë të trishta, sepse titistët dominuan pasi nën udhëheqjen e tyre u anashkalua tërësisht mbrojtja e identitetit shtetëror juridik të Kosovës!
6) Por, për këtë fat historik, që me të drejtë është quajtur sakrificë sublime e të gjithë të dënuarve politikë, që thekson rëndësinë e trajtimit të tërë të burgosurve shqiptarë të viteve 1980-ta, ende nuk ka një hulumtim në nivel meritor dhe nuk ka ndonjë masë administrative me respekt të veçantë për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rënien e sistemit komunist në ish-Jugosllavi. (Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një ligj si një dëmshpërblim për këtë kategori të caktuar të shoqërisë sonë. Ky fakt nuk ka shënuar ndonjë arritje politike edhe në arenën ndërkombëtare. Ky lloj dëmshpërblimi financiar është pak). Kështu që pavarësisht se të burgosurit kanë kaluar përmes vuajtjeve të mëdha, përfshirë tortura ç’njerëzore dhe persekutim të vazhdueshëm, shpesh të kryera nga individë që bashkëpunuan me regjimin serb apo që vepruan si besnikë të tij, sot të burgosurit politikë ende nuk kanë një muze të institucionalizuar në funksion të ruajtjes së memories sonë, edhe për shumë gjenerata të viteve të më pasme.

7) Në të njëjtën kohë, tendenca për t’i barazuar viktimat me sa duket po del në formë spontane, që njëkohësisht e zbeh tërë vlerën e pjesës së komunikimit, i cili komunikim edhe ashtu ka shumë dobësi në mes të intervistuarit dhe drejtuesit të emisionit. Vlerësimi objektiv edhe i mediave është shumë i rëndësishëm për të gjithë ata që vuajtën dhe sakrifikuan për të fituar lirinë dhe të drejtat e tyre dhe gjithë shoqërisë sonë. Ata duhet të trajtohen me objektivitet historik dhe me përkujdesje, duke përfshirë faktet dhe rrethanat që nxjerrin në dritë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, si një proces i vetëdijes sonë kombëtare për ta fituar të drejtën e identitetit shtetëror të Kosovës si shtet i pavarur. Pa dyshim se ky kontribut dhe kjo sakrificë e të burgosurve politikë, përballë dhunës së shtuar të Serbisë ndaj të gjithë shqiptarëve rezulton të jetë edhe frymëzimi i organizimeve të pas viteve 1990-ta deri në vetëmbrojtje të armatosur që u shndërrua në formacion ushtarak. E gjithë periudha përgatitore e lindjes së UÇK-së gjatë të gjitha lëvizjeve është shoqëruar në një proces konfrontues të brendshëm në mes atyre, (grupi i parë), që e mbronin lindjen e UÇK-së dhe që sakrifikuan për jetësimin e saj, dhe atyre, (grupi i dytë), që e sabotonin këtë rrugëtim! Personalitetet e grupit të parë, (në mesin e të cilëve kishte shumë të burgosur politikë), që e kërkonin me çdo kusht jetësimin e identitetit shtetëror të Republikës së Kosovës përmes proceseve politike të kohës, njëkohësisht të bëhej edhe mbrojtja juridike e shtetësisë, e cila bazohej në identitetin e vlerave kombëtare si e Shtetit Amë-Shqipërisë, në njërën anë, dhe atyre që deri dje ishin xhelatët, (grupi i dytë), që shin kryesisht të besueshmit e Serbisë), por që tani ata ishin vendosur në rreshtim të marrjes së pushtetit, sepse konfirmimin nga Serbia si të besueshmit e saj e kishin të pranuar. Pavarësisht rrethanave të reja shikuesit shtrojnë pyetje të shumta lidhur me gjendjen se çfarë mendimi duhet të kemi ne si institucione edhe për mënyrat se si mund të përmirësohet trajtimi mediatik dhe publik ndaj kësaj kategorie të shoqërisë? Politika e mediave nëpër studio nga shumë qytetarë për ta dëgjuar zërin e shumë të burgosurve tingëllon si një çështje jo e zgjuar sepse e zbeh qëllimin edhe si prezantim, por edhe si komunikim. Ky lloj komunikimi deri në kundërshtime nga disa persona që kanë qenë zbatues të dhunës ndaj të burgosurve, sepse ata nuk e pranojnë fajësinë për faktin se kanë frikë se mos po aprovohet ndonjë ligj në Kuvendin e Kosovës dhe do t’iu hakmerret dhe mund të futen në burg? Ky lloj kaosi më së shumti i shkon përshtati vetëm Serbisë! Pse kjo logjikë? Trajtimet folklorike, deklarimet publike me të meta të shumta në shoqërinë tonë, të shqiptarëve që kanë futur përçarje deri në vrasje dhe hakmarrje, Serbia gjithmonë jo vetëm që i ka favorizuar, por edhe i ka sponsorizuar.

8) Prandaj, zotërinj të mediave përmes frazës „Debat“ që shumica keni instaluar në studiot tuaja, të gjithë ne e kuptojmë se kjo logjikë është e fuqishme, dhe kategoria e dhimbshme e shoqërisë sonë që ju intervistuat dhe po intervistoni, shpreh një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj situatës politike. Thjesht kritika drejtohet “ndaj po të njëjtit grup, ndaj titistëve” që na udhëhoqën politikisht gjatë tranzicionit mbi tridhjetëvjeçar, që Kosovën e dëmtuan edhe juridikisht me marrëveshje politike të dëmshme për ne. Prandaj, në emër të „debatit“ mjerisht po favorizoni indirekt edhe Serbinë, duke i ftuar në studio edhe dhunuesit e shumtë, të cilët ende janë gjallë dhe e mbrojnë vetën si „një lloj larje publike të fajësisë së tyre“. Sigurisht që kjo nuk është mënyra e duhur as për „falje“ as për „shfajësim“ i dikujt ndaj kësaj kategorie të vuajtur, pasi të burgosurit politikë „Kanë Falur në Pajtimin e Gjaqeve“ në vitet 1990-ta, dhe këtë akt sa moral aq edhe patriotik, as nuk mund ta zbeh dhe ta mohon, por as nuk mund ta ndryshon asnjë media ose grupim tjetër politik! Ndonëse, me fjalën „Debat“ ka shumë histori edhe për tema të tjera. Me këtë rast po ju paraqes një version më të kompletuar dhe më të strukturuar të mendimit funksional për çështje publike: “Politika e ndjekur në vitet e fundit të këtij fillim shekulli nëpër disa studio televizive duket se është një burgosje e ideve dhe mendimeve, ku debatet shpesh shkojnë në favor të Serbisë, madje edhe kur ka kundërshtime ose përmes të tyre shprehen shumë prapaskena. Kjo atmosferë vazhdimisht në mënyrë të përsëritur po krijon një mjedis ku perspektivat e ndryshme nuk mund të shprehen plotësisht, dhe argumentet që bien në kundërshtim me interesat serbe shuhen apo zbehen në vend se ato argumente për ne shqiptarët do të duhej të ishin prioritet”. Ndonëse ndaj këtyre logjikëve dhe sjelljeve të interpretuara kur reagojmë ne të tjerët në: „Debat“, drejtuesit nuk na jepnin rastin asnjëherë për ndonjë kundërpërgjigje… Prandaj, konstatimi im është se edhe sot përsëri mungojnë analizat mediatike të mirëfillta për ndikimet politike, që mediat mund ta sqaronin, në detaje edhe në versionin e tyre, si shumë çështje të tjera, edhe faktin se si ndodhi rënia e sistemit komunist në ish-Jugosllavi, e cila çështje lidhet direkt me kontributin e pazëvendësueshëm të burgosurve politikë shqiptarë që nga viti 1981 e këndej…Ka shumë shembuj që konfirmojnë dhunën e gardianëve serbë dhe atyre shqiptarë në vitet 1980-ta në të gjitha burgjet e ish-Jugosllavisë për të burgosurit politikë shqiptarë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada, dëshmitarë të shumtë ende janë gjallë… Rrëfimet e tyre janë të shumta sa që po t’i grumbullonim të gjithë ato fakte dhe histori në njërën formë apo tjetër, do ta ndërtonim një „muze të kujtesës për vuajtjet e të burgosurve politikë të viteve ’80-ta“, për të mos harruar kurrë edhe këtë pjesë të historisë sonë…