Këndellu… – cikël poetik

Këndellu o Blerim

U shtriva përtoke bëra një selfije
Përmbi të vura këtë mbishkrim,
Veten e mora përsëri me të mirë
Duke i thënë:
Këndellu o Blerim!

Dhe kështu si papritur ndodh që shtrihem
Në shtretër prej fije bari
Diku në oborr shtëpie e në ndonjë lëndinë Përsëri duke pëshpëritur:
Këndellu o Blerim!

Shpata me dritë

Pas sa e sa vitesh
Diku rreth fundvitit
Për djalin e madh
Blemë një shpatë me dritë
Edhe këtë vit
Blemë përsëri
Pranë Hotel Grandit
Tash për djalin e vogël Lodrën
Shpatën me dritë
(Kujtimi i ngjashëm
Si fëmijë binjak
Flet me tashmërinë
Që pritet të bëhet kujtim)
Dhe terrin e çajmë me të
Sapo dalim
Nga Ëmbëltorja Elidë

Unë i rrituri

Unë i rrituri
Bëhem fëmijë
Si dikur
Aktroj një skeç
Në një skenë livadhi
Duke ndjekur topin
Që rrokulliset
Deri në hekurudhë