Komuniteti shqiptar në Zvicër prej vitesh nuk ka organizuar një manifestim aq të pasur e cilësor sa ai së shtunës në Winterthuar me rastin e 30 vjetorit të themelimit të SHKA “DARDANIA”, që kishte tërheq edhe një numër mysafirësh nga Prishtina e Tirana të cilët u shprehën në superlativ si për punën prej tri dekadave të dardanëve të Zvicrës ashtu edhe për programin e shfaqur, i cili përmes një koreografisë sa moderne aq edhe tradicionale, mahniti publikun e pranishëm.
Teksti Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi
Ishte vërtetë një përmbledhje i punës 30 vjeçare të një shoqërie artistike që në nëntorin e vitit 1994 filloi me 4-5 anëtarë për të defiluar brenda tri dekadash përmes tij me qindra anëtarë të të gjitha moshave, për të ruajnë me xhelozi në një vend të huaj një copë kulturë të sjellë kulture nga dheu i të parëve. Dhe vërtetë kur shihje programin e së shtunës, fitoje bindjen se je në një koncert të një ansambli kombëtar e jo mërgimtar.
Këtë përshtypje në fjalët e tyre e thanë edhe mysafirët e pranishëm , ndërsa që publiku i përshëndeti gjitha pikat e programit me duartrokitje të gjata, aq më parë që grupi i valleve kishte vu në skenë disa valle premierë që nuk janë pa më parë në mërgatë.
Programi i këtij manifestimi jubiler ishte i përmbushur me mjaftë risi, në rend të parë binte në sy koreografia e koreografit të mirënjohur nga Tirana, Gezim Alimehmeti i cili në skenë kishte sjell një model të ri vallesh nga trevat e ndrshme përfshi edhe vallet arbëreshe e çame përplot dinamizëm, e bukuri. E në anën tjetër padyshim se e tërë merita i përket kryetaritr të shoqatës, Shefqet Cakollit, i cili për një vit rresht bashkë me kryesinë dhe prindërit kishte ba një punë të jashtëzakonshme për kompletimin e e grupit me kostume të të gjitha trevave shqiptare , gjë që ia kishte arrit që të sjell në skenë jo vetëm një lojë por edhe pamje të re.
Që nga minutat e parë dhe për tri orë rresht sa zgjati programi, që ishte në frymën e një manifestimi jubilar, kur duhej jo vetëm të luhej në skenë por që duhej dhënë fjalën edhe mysafirëve dhe në fund nderuar me mirënjohje të gjithë ata që i kontribuuan materialisht epo mbështetën moralisht “Dardaninë”, gjë që për këtë organizatori ishte angazhuar me përpikëri, sa këtë detaj e përkujtoi edhe kompozitori Sami Piraj në cilësinë e e të ftuarit nga Prishtina.
Përndryshe edhe nga Kosova e Shqipëria pati një përfaqësim në këtë manifestim , bashkë me përfaqësues konsullor dhe shumë figura të jetës kulturore, arsimore e të bizneseve në Zvicër. Në radhën e mysafirëve ishin Zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Shemsi Syla dhe deputeti Enver Dugolli, ndërsa nga fusha e artit e kulturës kompozitori dhe publicisti Sami Piraj, etnomuzikologu Visar Munishi dhe koreografi Dilaver Kryeziu, e nga Shqipëria Llesh Nikolla („Mjeshtër i Madh“) regjisor i cili shfaqi një dokumentar kushtuar SHKA „DARDANIA“ dhe koreografi Gëzim Alimehmeti. Krahas përshëndetjeve të mysafirve të ardhura nga Prishtina e Tirana një pjesëmarrje dhe përshëndetje pati edhe Konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Arjeta Galapeni – Simnica.
Që të gjithë mysafirët që morën fjalën vlerësuan lartë punën 30 vjeçare të kësaj trupe muzikore, duke u shpreh në superlativ për angazhimin e anëtarëve, prindërve dhe mbi të gjitha kryesinë, të drejtuar nga Shefqet Cakolli, që për tri dekada pune, përpjekjesh e angazhimi të pashoq e sollën “Dardaninë” nga një grup minor në një shoqatë reprezentative kulturore të denjë për çdo respekt si për kah masiviteti ashtu edhe cilësia e programit, çka doli në pah edhe në skenën e parëmbrëmshme, kur që nga më të vegjlit e deri te veteranët demonstruan një art sa tradicional aq edhe modernë jo vetëm për shijen e vet komunitetit tonë por edhe më gjerë. Një shenjë ky i rritës kulturore shqiptare në shtetin helvetik.
Në fjalën e tij kryetari i SHKA”dardania”, Shefqet Cakolli pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit përkujtoi se: “ Jemi mbledhur për të shënuar Ditën e Flamurit, pra të 112 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe të 30 vjetorit të Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania” nga Winterthuri i shtetit të Zvicrës.
Jemi mbledhur sonte këtu i vogël e i madh, burra dhe gra, fëmijë e të rinj, nga vise të shumta shqiptare, mysafirë të veçantë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, mysafirë dhe autoritete zvicerane, njerëz të lirë e të mirë, njerëz të profesioneve e kontributeve të shumta, njerëz nxitës e shembullorë, nëna që kanë dhënë dashuri e kujdes, etër që kanë rritur bijë e bija me një ideal njerëzor e kombëtar, njerëz të punës, të politikë-bërjes, njerëz të besës, njerëz të fjalës e njerëz të heshtjes që të madhërohet manifestim që do të thosha historik për të gjithë ne që kemi vendosur të jetojmë e të kontribuojmë në shtetin helvetik, për shkak të këtyre dy përvjetorëve.
Krejt së bashku sonte, edhe pse ka pasur shumë më shumë veta të interesuar që të ishin këtu me ne, ndërsa do të shohim valle të bukura, fjalë nxitëse, momente mirënjohjesh, paraqitje e disa personaliteteve, u mbusheshin zemrat tona me gëzime të reja dhe me ndjesi më të mëdha si komunitet duke i përkiturit njëri-tjetrit.
Ashtu si shteti shqiptar, po ashtu edhe “Dardania” jonë kemi pasur një shtegtim jo të lehtë: me vuajtje, me mungesa, me përpjekje, me flijesa, duke u shtri e duke u ngrit, duke mbledh e nganjëherë edhe duke çkep, duke kënduar e duke vajtuar, në kamje e në skamje, duke u trimnue e besa edhe përmallue, si të mërguar kemi mbërri këtu ku jemi sot, në festë, e në rezultate të lakmueshme, duke qenë mirënjohës gjithsecilit për tërë angazhimin e dhënë për këto tri dekada.
Tërë sukseset dhe lavdet tona i kemi të përbashkëta. Jemi burrërua nën tingujt e melosit shqiptar. Kemi marrë frymë me këngët shqipe. Sytë na janë vezulluar nga veshmbathjet tona tradicionale. Kemi marrë shumë e më shumë nga identiteti dhe dinjiteti i figurave tona kombëtare duke filluar nga kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri tek heroi legjendar Adem Jashari.
Jam i bindur se kemi krijuar një trashëgimi që ngjallë respekt në shtetin ku jetojmë sikurse edhe kudo mes diasporës sonë dhe në vendet tona të origjinës, Shqipëria e Kosova.
Urimet më të veçanta tërë dardanëve me të vegjël, fatosave dhe yllkave tona, gjithë juve dhe dashamirëve të shumtë dhe gjithë familjarëve të SHKA “Dardania” për 30 vjetorin tonë, duke u shprehur mirënjohjet e mia dhe të kryesisë për mbështetjen dhe besimin e juaj!
Urime tërë të rinjve, grave dhe burrave dardanë dhe të gjithëve të pranishëm – urime!!! “, përfundoi fjalën e tij Cakolli.
(Fjalët përshëndetëse të mysafirëve pjesëmarrës i kam dhëne dje në mënyrë aturentike përmes fb tim)
Në programin festiv të SHKA “DARDANISË” së Wintherturit, një përkujdesje e veçantë jashtë pikave të programit të trojeve etnike ishte treguar edhe për vallet dhe këngëve arbëreshe e çame, kësaj trashëgimie kulturore që bartë në vete jo vetëm dashuri e nostalgji për At-Mëmëdheun por edhe koloritin e kostumeve arbëreshe, për çka “Dardania” kishte bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ti siguruar ato. Ndaj edhe publiku në sallë priti me duartrokitje e simpati këto dy koreografi. Nuk do harruar angazhimin e prindërve të cilët kishin sjell një ushqime të shumta tradicionale sa të fitohej bindja se je në një dasmë kosovare
Me një fjalë mërgata shqiptare dhe në veçanti grupet e saja artistike po tregojnë kujdese gjithnjë e më të madh për të vënë në skenë një pjesë të trashëgimisë kulturore të botës arbëreshe dhe arbërore.































