Prania dhe rrugëtimi i Mërgatës Shqiptare në nënqiellin Helvetik

(Fjala publicistit, Gani Bytyçi  në promovimin e monografisë “Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje”, të gazetarit Rexhep Rifati)

Migrimi dhe eksodi i shqiptarëve dhe vendosja e tyre në Federatën helvetike, ashtu si edhe në vendet e tjera europiane, në Turqi e në ShBA, siç është e ditur, ka ndodhur në periudha të ndryshme kohore  dhe në varësi me rrethanat e zhvillimet, të shumtën politike, në hapësirat prej  nga kanë ardhur ata, nga Shqipëria më pak, por nga viset shqiptare në  ish-Jugosllavi me shumicë, herë herë edhe masivisht. Sot kombi shqiptar, me pjesën e popullsisë që ka jashtë trojeve të veta etnike, pa dyshim është kombi më i shprishur, më i shpërndarë në botë. Dhe kjo popullsi që është shpërndarë e vendosur në  Zvicër, në shtetet e tjera europiene, në Turqi e në ShBA, sot është bërë pjesë e a pandarë e atyre vendeve, ku janë vendosur ata. Për të pasqyruar  praninë dhe jetën e kësaj popullsie në vendet e ndryshme, janë bërë përpjekje të herëpashershme nga autorë të ndryshëm. Libri Shqiptarët e Amerikës, një botim serioz e  gjithëpërfshirës, është ndër të parët e këtij lloji. Pastaj vitin e kaluar, Shoqata e Shkrimtarëve të Suedisë nxori botimin dy vëllimesh Shqiptarët e Suedisë . Ndërkaq fundvitin që lamë pas, gazetari Rexhep Rifati na e solli botimin monografik, Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje, botim ky mjaftë voluminoz dhe i pari i këtij lloji për praninë dhe jetën e shqiptarëve  në Federatën helvetike.

Rexhep Rifati, është njeriu që ka rrugëtuar dhe ka frymuar pareshtur me mërgatën shqiptare të Zvicrës për dy dekada rresht, ndaj Ai, këtë mërgatë, edhe  e njeh si askush tjetër. Kësaj mërgate Ai ia njeh historinë, lëvizjet, zhvillimet, sukseset, ngecjet, dëshirat, ëndrrat. Ndaj, kjo edhe është materia që është pasqyruar brenda kopertinave të monografisë “Shqiptaret në Zvicër- 1001 pamje”. Rexhep Rifati, me këtë botim monografik, dëshmon se prania jonë në nëqiellin helvetik është e hershme, e përhershme dhe në vazhdimësi të pashkëputshme. Këtë dëshmi autori e ndërton në tri rrafshe kohore, mbi gjurmët e të kaluarës, praninë faktike të së sotmes dhe perspektivën e së ardhmes. Ai faqet e para të librit i hap me gjeneratën e re, me fëmijët që janë lindur këtu, apo ata që këtu janë sjellë fare të vegjël, nxënësit e shkollave, që tani bëjnë përpjekje për të nxënë dhe ruajtur sadopak nga prejardhja e tyre, nga gjuha dhe kultura e prindërve dhe vendit të tyre. Për të na dhënë një pasqyrë sa më reale të pranisë dhe frymimit në hapësirën helvetike,  të kësaj shtrese të mërgatës shqiptare, autori bredh fshat me fshat, qytet me qytet e shkollë me shkollë, në gjithë federatën helvetike, aty ku frymon dhe mësohet shqipja dhe ku gjallon, kënga, vallja, kultura shqiptare. Pos shkollave, Rexha  do të vizitojë universitetet e të gjitha qyteteve të Zvicrës, kudo që do gjejë studentë shqiptarë. Ai do shkruajë  për jetën e tyre, për hallet, preokupimet dhe dëshirat e ëndrrat e tyre për të ardhme. Po, jo vetëm nxënës e studentë  do gjejmë në monografinë Shqiptarët e Zvicrës. Autori, po ashtu është dëshmitar i të gjitha ngjarjeve dhe aktiviteteve politike, diplomatike, shoqërore, kulturore, e tjera, që zhvillohen në hapësirën helvetike, qofshin ato me rëndësi të veçantë apo ngjarje të rëndomta, të cilat shënojnë një çast të frymimit tonë këtu në Zvicër. Ndaj nga ky aspekt edhe libri i tij është një kronikë e këtyre ngjarjeve, zhvillimeve dhe aktiviteteve. Në monografinë Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje, Rexha nuk shkruan për ardhje-vajtje a lëvizje mërgimtarësh. Ai në librin e tij, nuk jep as numra as shifra e statistika. Këtu ai shënon ngjarje, sjell portrete, pasqyron të arritura e suksese. Ndaj Monografia Shqiptarët e Zvicrës është kronikë ngjarjesh, galeri personazhesh, pasqyrë e arritjeve të komunitetit shqiptar në Zvicër. Në këtë Galeri personazhesh do shohim të na shfaqen bashkëmërgimtarë tanë, të njohur e të panjohur, pjesëtare të të gjitha moshave dhe të të gjitha shtresave shoqërore, njerëz nga të gjitha fushat  e jetës dhe artit, bashkëkombës të ardhur nga të gjitha anët e hapësirës shqiptare. Do të shohim aty njerëz nga më të veçantit deri tek ata më të rëndomtit. Aty do të gjejmë aktorë, shkrimtarë, arkitektë, piktorë, skulptorë, muzikantë, mjekë, profesorë universiteti, doktorë fushash të ndryshme të shkencës e dijes, biznesmenë të suksesshëm, udhëheqës ndërmarrjesh, sportistë  elitarë, humanistë e njerëz bamirësie e të vullnetit të mirë. Do të gjejmë specialistë e ekspertë të të gjitha fushave, të tillë që kanë bërë emër në vendin ku punojnë, në rrethin ku jetojnë  dhe në gjithë Zvicrën e më larg. Pra janë këto portrete të dalluarish, të atyre që janë veçuar me punën, angazhimet dhe krijimtarinë e tyre. Në monografinë Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje, pra do gjejmë personazhe të shumtë, të hershëm e të vonë, të njohur e të panjohur, të vegjël e të mëdhenj, të veçantë e të rëndomtë, por  të cilët me praninë e tyre, qoftë ajo prani e përhershme, e përkohshme apo krejt kalimtare dhe e rastit, kanë lënë gjurmë në truallin helvetik. Në këtë frymë, autori do t`i sjell këtu edhe figurat e mëdha të artit, kulturës, letërsisë, muzikës, figura këto që i kanë bërë nder, jo vetëm kombit e vendit të tyre, por edhe vendeve ku kanë jetuar ata, Aleksandër Moisiu, Ibrahim Kodra, Isamil Kadarea. Po dhe Ai Ylli gjithë shkëlqim e magji, i cili dy ditë më parë, zbriti në përjetësi, si një meteorë që rrëshqet nga qielli, Artistja e madhe, Vaçe Zela. Po këtu do të gjejmë dhe shumë personazhe zvicerane, qofshin ata figura politike, kulturore apo nga qarqet më të larta udhëheqëse e shtetërore po edhe qytetarë të rëndomtë e humanistë të devotshëm, të cilët në çfarëdo mënyre e ndihmuan vendin dhe popullin tonë dhe  njerëzit e tij, kur po jetonim çastet më të liga në rrugëtimin tonë historik drejt lirisë.

Si entuziastë  i pandreqshëm, që ka qenë dhe ka mbetur, Rexha përherë ka ruajtur e kultivuar një simpati të veçantë për grupet muzikore dhe ansamblet e valleve. Ndaj dhe punën e rriten e tyre Ai e ka përcjellë me shume pasion, anë e kënd Zvicrës. Këtë mozaik grupesh e ansamble vallesh ai e ka paraqitur me tërë laryshinë dhe koloritin e valleve dhe kostumeve, në botimin monografik Shqiptarët e Zvicrës. Njëri ndër ato grupe shumë aktive, është edhe Ansambi i valleve „Gëzuar“ i qytetit të Calvinit, ku prej vitesh ka mbledhur shumë talent të rinj dhe ka ruajtur e kultivuar vallen burimore shqipe.

Autori i Monografisë Shqiptarët në Zvicër, Rexhep Rifati, nga natyra e tij është një entuziast dhe optimist i palëkundshëm. Si i tillë, ai përherë ka mbetur shumë pozitiv. Edhe në shkrimet e tija, Ai ishte dhe mbeti përherë i tillë, entuziastë, optimistë dhe me besim të përhershëm për të ardhmen. Këtë frymë pozitive dhe optimiste ai e ruajti edhe gjatë periudhave dhe situatave e ngjarjeve më dramatike nëpër të cilat kaloi vendi dhe kombi ynë. Ai në shkrimet e tija përherë e ka ruajtur dhe shprehur këtë frymë optimizmi. Kjo frymë optimiste e përshkon fund e krye gjithë monografinë Shqiptarët e Zvicrës, kapitull pas kapitulli, faqe pas faqeje. Aty nuk gjejmë as kronikë të zezë, as opinione të errëta, të zymta e urrejtëse. Aty do të shohim fëmijë e të rinj  gjithë shend, që nxitojnë me shumë pasion për të zënë dije dhe për tu përgatitur për jetë. Aty do të shohim njerëz, që janë të përkushtuar në suksesin dhe rezultatet e punës dhe krijimtarisë së tyre. Aty do të shohim rrugëtim, do të shohim punë e suksese, do të shohim progres, do të ndjejmë optimizëm për të ardhmen, do të shohim perspektivë.

Me këtë monografi Rexhep Rifati, jo vetëm që ka përmbushur një boshllëk të kahershëm mbi komunitetin shqiptar të Zvicrës, por ai edhe ka mbledhur  e sistemuar një lëndë shumë të pasur, për ndonjë ndërmarrje studimore të mëvonshme, nga kronistë, sociologë a historianë të ardhshëm. Libri ka një përgatitje teknike dhe dizajn të shkëlqyeshëm të ilustruar nga një fond shumë të pasur e të larmishëm të fotografisë. / Gjenevë, 08 shkurt 2014

Gani Bytyçi , Cyrih