Muzeu etnologjik në Prishtinë, që vlerësohet edhe nga “The Guardiani” londinez

442

Ky muze përbën një kompleks shumë karakteristik arkitektonik të shekujve tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë, ku ruhen objekte të rëndësishme me vlerë e ku disa nga artefaktet kanë një vjetërsi prej dy e tre shekujsh, ndërsa vetë renditja ndërlidhet me katër tema që përfaqësojnë ciklin e lindjes, jetës, vdekjes dhe të trashëgimisë shpirtërore

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Muzeun etnologjik në Prishtinë, që është pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Kosovës e kam vizituar disa herë. Edhe atë nisur nga fakti se përbën një kompleks shumë karakteristik arkitektonik të shekujve tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë dhe për shkak të objekteve materiale me shumë vlerë që ruhen në te. Mjaft nga këto objekte, artefakte, kanë një vjetërsi prej dy e tre shekujsh. Përndryshe, siç shihet në këtë muze, ekspozita është e ndërtuar rreth katër temave që përfaqësojnë ciklin e lindjes, jetës, vdekjes dhe trashëgimisë shpirtërore.

Kompleksi “Emin Gjiku” nga shekulli XIX i kthyer në muze

Kompleksi i banimit “Emin Gjiku”, kthyer në një kompleks muzeal, gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, në verilindje të përfundimit të qendrës aktuale të qytetit, afër Hamamit të Madh dhe Xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut.

Nga të dhënat që ofron vetë muzeu, mësojmë se kompleksi “Emin Gjiku” është ndërtuar në fillim të shekullit XIX dhe ishte pronë e familjes së njohur Gjinolli dhe përbëhet nga dy oborre të mëdha: oborri në hyrje me stallë dhe me një ndërtesë guri dhe oborri i brendshëm në të cilin gjendet shtëpia e familjes dhe shtëpia e mysafirëve, që aktualisht i shërbejnë Muzeut Etnologjik. Ndërtesa e gurit, e rivendosur aty në vitin 1960, është e vetmja ndërtesë e mbetur nga Çarshia e Vjetër. Është ndërtesë njëkatëshe e mbuluar me kulm guri, dikur dyqan farkëtari, aktualisht qendër e artit kontemporan e quajtur “Stacion”.

Shtëpitë dhe stalla përplot harmoni arkitekturale

Oborret janë të rrethuara me mure të larta, 55 cm të trasha, të ndërtuara me qerpiçë dhe hatulla nga druri. Shtëpitë dhe stalla pasqyrojnë harmoni arkitekturale të proporcioneve dhe të elementeve. Gjatë periudhave të ndryshme kohore (gati dy shekullore), kompleksi ka pësuar ndryshime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit. Por si tërësi, Kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX. Kompleksi “Emin Gjiku” është pronë e Muzeut të Kosovës i cili ka për detyrë ta lehtësojë qasjen në ndërtesat e kompleksit, koleksionin, programet dhe shërbimet për të gjithë vizitorët.

Përkrah muzeut të njohur “Palazzo Massimo” në Romë

Nga shtypi kosovar, mësojmë se në një artikull e përditshmja britanike “The Guardian” ka dhënë: profilet e 12 muzeve nga Reykjavíku në Prishtinë, një shpalim interesant nga dinozaurët dhe vikingët e deri te Mozarti. E sipas vlerësuesve të “The Guardianit”, Muzeu Etnologjik në Prishtinë renditet përkrah muzeve të njohur si “Palazzo Massimo” në Romë, M9 në Venecie apo Muzeu i Shkencave Natyrore në Bruksel. Por derisa hyrja në muzeun e Brukselit kushton 7 euro, në Romë 10 apo në Vjenë 14 euro, në Muzeun Etnografik në Prishtinë është falas.

Aktualisht jashtë funksionimit

Por aktualisht muzeu thuaja se është jashtë funksionimit, pasi janë bërë më shumë se dy vjet prej kur një nga dy ndërtesat e Muzeut Etnologjik në Prishtinë nuk është e qasshme për vizitorë. E rrethuar si vendpunishte, asaj i ka ngelur vetëm skeleti. Ashtu do të jetë edhe gjatë këtij dimri. Sa i përket vitit të kaluar, Ministria e Kulturës kishte ndarë vetëm 30 mijë euro për restaurimin e nisur qysh në vjeshtën e vitit 2017, e që ishte ndërprerë në fund të atij viti, pasi siç thuhet këto mjete kanë qenë të pamjaftueshme.

Grupe turistësh të huaj e shqiptare nga mërgata

Sa herë që kam vizituar këtë muze, kam has në turistë të huaj, kryesisht anglez e gjermanin. Ndërkaq në një rast isha edhe me Ekipin e futbollit “Kosova” nga Zvicra, anëtarët e të cilit mbetën tejet të impresionuar, si dhe me anëtarët e Ansamblit “Gëzuar” nga Gjeneva.

Pavarësisht na kjo përmes këtyre 30 fotove të këtij muzeu mund të shihni sado pak mund të shijoni vlerat e mëdha jo vetëm materiale por shpirtërore të popullit tonë që ka krijuar e trashëguar gjatë shekujve të fundit, si një pasur që duhet ruajtur e përcjell brezave që pasojnë.