Ndërsa që motra e saj e madhe, Nora ka diplomuar në të njëjtin universitet tre vjet më parë, në Shkencat Politike, ndërsa motra tjetër, Arba ka diplomuar bashkë me Rinën Komunikim dhe Marrëdhënie Publike dhe është certifikuar për Administruese Ngjarjesh (Event Management).
Rexhep Rifati
Rina Hajra është një vajzë me një energji dhe etje të pashtershme për t’i hulumtuar, për t’i ndryshuar e për t’i plotësuar gjërat. Mbi të gjitha, ajo ka dashurinë për njerëzit dhe dëshirën për ta bërë këtë botë sa më të dashur, sa më të lumtur dhe sa më paqësore. Buzëqeshja dhe gatishmëria e saj që të ndihmojë për t’i bërë njerëzit të ndihen sa më këndshëm e sa më të rehatshëm, është natyra e saj specifike. Ajo është si një diell i vogël në tokë që rrezaton dashuri dhe respekt për njerëzit përreth. Ajo jeton për buzëqeshjet e njerëzve. Ajo thotë: unë gjithmonë përqendrohem në anët pozitive të njerëzve, sepse kur ato pranohen dhe kultivohen, vetvetiu zvogëlohen veset e tyre. Kur njerëzit respektojnë njëri- tjetrin, ata gjithmonë ndryshojnë më lehtë dhe bëhen më të mirë. Nëse njerëzit injorohen, ata bëhen më të vrazhdë – thotë ajo. Pra, është gjithmonë më së miri t’ua nxjerrim në pah dhe t’ua miratojmë të mirat atyre. Mendoj se gjithmonë është më mirë t’u qasemi njerëzve nga pozitivizmi, sesa nga negativizmi.
Vajza shqiptare Rina Hajra nga Ferizaj ka qenë vetëm shtatë vjeçe kur ka shkuar, bashkë me prindërit e me dy motrat më të mëdha, në Amerikë, në shtetin Arizona. Si për të gjithë të ikurit nga lufta, edhe për të fillimi ka qenë i vështirë. Mjedis i ri, gjuhë e panjohur, sistem krejtësisht i ndryshëm shkollimi nga ai i Kosovës. Megjithatë, në vitin tjetër shkollor, mësuesja e Rinës u kishte thënë prindërve të saj se Rina e flet dhe e shkruan anglishten më mirë se nxënësit amerikanë, ka një imagjinatë shumë të pasur dhe është një fëmijë plot dashuri. Filloren dhe shkollën e mesme Rina e ka mbaruar me sukses të veçantë. Në vegjëli ajo kishte shumë pasione, por nga të gjitha ato, ngadhënjeu aktrimi. Aktrimin e filloi me shfaqjen “Liza në botën e çudirave”, për të vazhduar më tutje në shumë shfaqje të tjera, njëkohësisht duke ushtruar vallëzimin, duke ndjekur disa klasa të zërit si dhe duke u marrë me shumë aktivitete humanitare. Në Festivalin e Aktrimit të shkollave të mesme, ajo me grupin e saj zuri vendin e parë në Arizonë. Gjatë verës së vitit 2009 ajo mori pjesë në një audicion që i mundësoi të shkonte në një kurs intensiv njëmujor të aktrimit në Konservatorin e Arteve Dramatike në Nju-Jork (New York Conservatory for Dramatic Arts). Atje ajo është përzgjedhur dhe ka ndjekur klasën më të avancuar të aktrimit.
Pas shkollës së mesme Rina u regjistrua në Universitetin Shtetëror të Arizonës (njëri ndër universitetet më të mëdha publike në SHBA) dhe katër vjet më vonë, në muajin maj 2014 ajo diplomoi në dy fakultete njëherësh, në atë të aktrimit dhe në atë të drejtësisë. Në të dy drejtimet mori notat më të larta dhe diploma me “Summa Cum Laude” me GPA me të lartë, ose notat A dhe A+.
Gjatë studimeve luajti disa role të rëndësishme në shfaqje të ndryshme teatrale dhe në disa filma të studentëve. Teatri dhe filmi për të janë jeta e vërtetë e saj. Aktualisht Rinën e përfaqëson Dani’s Agency, një agjenci e njohur aktrimi në kryeqytetin e Arizonës. Tema diplome në të dy drejtimet (aktrim e drejtësi) Rina ka pasur luftën e Kosovës.
Tema e saj e diplomës në drejtësi ka qenë gjenocidi serb në Kosovë e në vise të tjera të ish-Jugosllavisë, e parë nga prizmi i gjykimit të Millosheviqi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndërkaq temë diplome e aktrimit ka qenë drama të cilën vetë Rina e ka shkruar. Drama ka për subjekt gjenocidin serb në Kosovë dhe ka titullin origjinal “Puhiza and Toka”. Kjo dramë është vënë në skenë nga studentët e aktrimit, ku përveç si autore e dramës dhe e skenarit, ka aktruar edhe Rina (si rrëfyese). Drama është shfaqur dy herë në njërën nga studiot e universitetit para profesorëve të aktrimit dhe para publikut të përzgjedhur shqiptar e amerikan. Ka qenë një e papritur dhe shumë emocionues, sidomos fillimi i shfaqjes, i shoqëruar me tingujt e këngës “Baresha” të Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha. Jo vetëm fillimi, por e gjithë shfaqja fillim e mbarim e ka bërë publikun, madje edhe atë amerikan, të derdhë lot. Këtë dramë të Rinës profesorët e kanë vlerësuar me notën më të lartë. Rina thotë se ajo është rritur nën kujdesin dhe dashurinë e veçantë të prindërve e të dy motrave më të mëdha, për të cilat thotë se janë shoqet më të mira të saj. Motra e saj e madhe, Nora ka diplomuar në të njëjtin universitet tre vjet më parë, në Shkencat Politike, ndërsa motra tjetër, Arba ka diplomuar bashkë me Rinën Komunikim dhe Marrëdhënie Publike dhe është certifikuar për Administruese Ngjarjesh (Event Management).