Edhe shqiptarët, pjesë e vendimeve politike në shtetin helvetik

Në një tubim në Glattbrugg të Cyrihut programet zgjedhore i shpalosën dy kandidatë shqiptarë për deputet në parlamentin nacional, në kuadër të partisë CVP, Shqipe Bajrami – Grohs dhe Lulzim Maliqi

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Më 27 shtator në Restorantin Glatthof në Glattbrugg të Cyrihut, Nëndega e LDK- së, së Cyrihut, në bashkëpunim me PSHDK-ën dhe Partin CVP të kantonit të Cyrihut organizuan një tubim për prezantimin e kandidatëve për deputet nacional nga listat e CVP nga Kantoni i Cyrihut për zgjedhjet e 18 Tetorit 2015. Nga katër kandidatë shqiptarë që ishin parapa të merrnin në këtë tubim, morën pjesë vetëm Shqipe Bajrami – Grohs dhe Lulzim Maliqi. Me sa duket ndasitë që janë shkaktua brenda Degës së LDK u reflektuan edhe në këtë tubim i cili menjë farë mënyrë pati edhe karakter festiv, sepse ai u përshkua edhe me një program kulturor. Ndonëse me një numër më të vogël se viteve të mëparshme kjo mbrëmje u cilësua edhe si „ Darka e Lamës“, pasi u shoqërua edhe me specialitete shqiptare.

Pos përfaqësuesve të partive shqiptare LDK-së e të PSHDK, pati edhe një prani të dukshme drejtuesish të partisë zvicerane CVP, një ekip që drejtohej nga Kryetarja e CVP Kantonale, Nicole Barandun-Gross dhe Philipp Kutter, kryetar i qytetit te Wädenswil. Nga radhët e institucioneve të Republikës së Kosovës, merrte pjesë Islam Spahiu, konsulli në qytetin e Cyrihut.

Pas një fjale që mbajti Kryetarja e CVP Kantonale, Nicole Barandun-Gross, e cila që në fillim shprehi kënaqësinë që gjendej në një ambient shqiptar. Gjithashtu përmendi se i vjen mirë që në kuadër të partisë së saj për deputet nacional garojnë edhe disa shqiptare e shqiptarë, gjë që këtë e karakterizon edhe si arritje të komunitetit për tu inkuadrua në rrjedhat e shoqërisë zvicerane, qoftë përmes punës, shkollimit dhe integrimit.

Ndërkaq, kandidatja Shqipe Bajrami, me prejardhje nga Prekazi i Drenicës, e cila ka mbaruar studimet për gjuhën gjermane dhe të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Cyrihut, përkujtoi se ka shpreh dëshirën që të jetë kandidate e CVP-së për Parlamentin e Zvicrës, pasi kjo parti i jep përparësi shkollimit dhe kujdesit ndaj familjes, gjë që këtu e sheh edhe interesin e shqiptarëve, që edhe atyre tu ofrohen më shumë shanse në këto rrjedha. Sipas Shqipes, CVP-në e përafrojnë me shqiptarët vlerat bazë që kultivon kjo parti, pra kujdesi për familjen po dhe vlera tjera. Ndaj edhe ajo pret që edhe shqiptarët janë pjesë integruese e zhvillimore si komunitet i organizuar brenda shtetit helvetik dhe se si të tillë duhet të kenë të drejtë të jenë pjesë e vendimeve politike në këtë vend, qoftë në nivel parlamentar, qoftë në nivelin komunal e tjerë. Krejt në fund Shqipja, shprehi besimin se ajo dhe kandidatët shqiptarë do të kenë përkrahjen si nga pala shqiptarët ashtu edhe ajo zvicerane.
Ndërkaq kandidati tjetër, Lulzim Maliqi, veprimtar shumëvjeçar i LDK-së përkujtoi se nëse do të zgjidhej do të përpiqej që të zgjidh problemet e qytetarëve në jetën e përditshme siç janë: shkollimi i fëmijëve, integrimi jonë në shtetin e Zvicrës etj. Ai shtoi se, ne shqiptarët duke jetuar së bashku me dekada me zviceranët, kemi mësuar shumë nga njëri-tjetri dhe se Zviceranët janë ndër miqtë më të mirë të shqiptarëve. Ai përfundoi me zotimin se do të përpiqej që të mos na zhvlerësohen kurrë gjërat e shenjta: gjuha, kultura dhe historia. Se, nuk humb çdo gjë, e mësova edhe përmes figurës së shenjtëreshës shqiptare.

Programi i këtij tubimi u begatua edhe me disa pika artistike të nxënësve të shkollës shqipe të mësimit plotësues, nën udhëheqjen e mësuesit Hasan Spahiu si dhe me disa këngë e valle popullore të Ansambli “Vatra” nga Bylahu, me koreografi të Nexhmedin Isufit. Marr në përgjithësi ky tubim më shumë ngjasonte në një lloj gazmend familjar ku mbretëronte një atmosferë festive, se sa një tubim ku shpalosen programet politike, pasi në te kishte edhe mjaft fëmijë, që nuk ishin pjesë e programit artistik.