Edicioni i 30-të i Lojërave Tradicionale të Rugovës përcillet me kërshëri e dashuri

Në kuadër të prezantimit të aktiviteteve të grupeve dhe ansambleve artistike shqiptare, që platforma prointegra.ch jep çdo të shtune, kësaj fundjave do të ndalemi në Lojërat tradicionale të Rugovës, që u mbajtën me 1 gusht në fshatin Stankaj, në shpatinat e Rugovës, manifestim ky që e përcolli edhe një ekip i kësaj platforme, ndaj edhe me këtë rast do të japim ca foto të shkrepura në këtë manifestim që tërhoqi mijëra vizitorë, në mesin e të cilëve edhe shumë mërgimtarë, madje edhe tej Atlantikut

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati   

Një gushti këtij viti, ishte data kur për të 30-tën herë me radhë organizoheshin Lojërat Tradicionale të Rugovës  2021. Ndaj edhe kolonat e gjata të veturave nuk kishin të ndalur përgjatë rrugës që çonte grykës së Rugovës deri te fshati Stankaj ku kësaj radhe organizoheshin këto lojëra karakteristikë e trevës së Rugovës, që prezantojnë shumëllojshmërinë e traditës dhe zakoneve të kësaj treve malore e që në përmbajtje të tyre hyjnë zakonisht lojërat e shkathtësive fizike e luftarake të burrave, ato humoristike e dëfryese dhe natyrisht edhe këngët vallet dhe ritet kësaj treve që shquhet si për trimëri ashtu edhe për autoktoninë e kulturës sonë kombëtare.

Krahas qindra artistëve e pjesëtarëve të këtij aktiviteti tradicional kulturor, aty merrnin pjesë edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili edhe përshëndeti që në hapje, si dhe veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare si Hydajet Hyseni, Sylë Mujaj, por nuk munguan as veprimtarë të shquar nga mërgata shqiptare madje edhe tej Atlantikut, ndër ta edhe Agim Rexhaj, President Nderi i Shoqatës “Vatra”.

Paraprakisht një nga pleqtë autoritativ të  Rugovës, Mal Kapllan Nikçi ngriti flamurin e këtyre lojërave që edhe kësaj radhe u përcollën me shumë dashuri e kërshëri, për plot 4 orë sa zgjatën, përkundër një vape përvëluese që nuk e pengonin as vargmalet e shumta të kësaj ane.

Mandej në fushë, dolën anëtarët e ansamblit autokton “Rugova”, të udhëhequr nga kryetari tejet aktiv, Vesel Nikçi, me veshjen e tyre karakteristike për të lozur ca nga vallet të trashëguara që nga paraardhësit e tyre.  Janë lojëra popullore, që kanë një zanafillë të hershme dhe zakonisht mbahen në fillim apo në mes të gushtit, kur në Kosovë arrijnë dhe mërgimtarët që shprehin shumë interesim për ti vizituar ato. Gjithsesi lojëra përbëjnë një ngjarje të vërtetë müë shumë se kulturore e turistike, pasi që në vete ruajnë trashëgiminë kulturore të dokeve, zakoneve dhe traditës Rugovase. Ndaj edhe zakonisht i përmbahen motos:  “Përjeto Traditën e Rugovës” !  Përndryshe sivjet, si çdo herë tjetër u zhvilluan lojërat në shtatë disiplina siç janë rrëzimi i duarve, hedhja e llastarit, ngjitja në shilor, tërheqja me litar, hedhja e gurapeshit dhe mundja, përjashto këtu lojën sharra e vekut, për të cilën nuk pati garues.

Edhe kësaj radhe, Lojërat Tradicionale “Rugova 2021” u organizuar nga vendasit, të mbështetur nga Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Bashkësia Territoriale Rugovë.

Ndërkaq ekipin e Platformës sonë “Prointegra.ch”, kësaj radhe e përbënin: Osman Osmani, president i kësaj Platforme, Hazir Mehmeti bashkëpunëtor nga Austria; Bedri Tahiri, bashkëpunëtor nga Kosova dhe Rexhep Rifati, gazetar në Zvicër, të shoqëruar edhe nga miku i këtij ekipi Bahtir Ahmeti.