Zvicër: Nisma pezulluese e SVP/UDC merr një JO të qartë

28 shtator 2020, Zvicër

Votuesit e Zvicrës refuzuan qartazi nismën pezulluese të SVP/UDC me një 61.7 % JO të votave. Në prag të votimeve ishin mobilizuar të gjitha forcat progresive dhe liberale të Zvicrës për të kundërshtuar këtë nismë. Edhe votuesit shqiptaro-zvicerane, të prirë nga sindikalistët e Unia, prointegra.ch, migrantët socialdemokratë, ishin pjesë aktive e fushatës kundër nismës në fjalë dhe me angazhimin e tyre kontribuuan në arritjen e kësaj përqindjeje refuzuese.

Në fundjavën që lamë pas u zhvilluan pos tjerash edhe votime të rëndësishme federale, ndër të cilat edhe një e tillë që kishte të bënte me marrëdhëniet Zvicër – Bashkim Evropian. Nisma e Partisë Popullore të Zvicrës (SVP/UDC) kërkonte t’i jepet fund marrëveshjes së qarkullimit të lirë të personave. Kjo marrëveshje me Bashkësinë Evropiane (BE) zbatohet qe jo më pak se dy dekada dhe i sjell favore ekonomisë zvicerane.

Po të kalonte nisma si e tillë rrezikonte edhe të gjithë pakon e marrëveshjes bilaterale Zvicër-BE. Për migrantët/et aprovimi i nismës do të thoshte humbjen e të drejtave, si ajo për bashkim familjar, liria e qëndrimit të përhershëm, e drejta për ndërrimin e vendit të punës. Nëse kjo nismë kishte kaluar, atëherë mbi 1,7 milion migrant/e nga BE do të humbnin të drejtat e tyre gjithëpërfshirëse. Do të prekeshin edhe zviceranët/et, që falë lirisë së lëvizjes mund të jetojnë, të punojnë dhe të studiojnë në hapësirat e BE.

Këto të drejta ende nuk mund ti gëzojnë shtetasit e vendeve tona amë. Lëvizja e lirë duhet të zgjerohet edhe për njerëzit e vendeve tona amë, e jo të kufizohet më tej, apo të anulohet të arriturat e shoqërisë njerëzore! Që të mund të arrijmë përmirësime, ne të gjithë bashkë fillimisht duam ti mbrojmë të drejtat ekzistuese, pastaj të angazhohemi bashkërisht edhe për zgjerimin e këtyre të drejtave. SVP/UDC përpiqet të ndalojë të drejtën lirisë së lëvizjes së personave, duke ndaluar mundësinë për lidhjen e marrëveshjeve tjera të mundshme me kushtetutë. Ata duan punëmarrës pa të drejta. Pasojë e kësaj do të ishte: me shumë presion konkurrence mes punëmarrësve, shfrytëzim i fuqisë punëtore, të cilët nuk do të kenë guxim për të luftuar për të drejtat e tyre dhe të cilët në çdo kohë do të mund të dëbohen nga Zvicra.

Menjëhërë pas bërjes publike të rezultateve të votimeve, Hilmi Gashi bëri një pronocim të shkurtë video-auditiv për portalin “Shtegu”, të cilin mund ta ndiqni duke shtypur butonin  këtu.

Pjesë e aktiviteteve të shqiptaro-zvicernëve në kuadër të fushatës kundër nismës pezulluese si video-prononcime mudn ti ndiqni duke shtypur buton këtu: për video-prononcimin e parë; për video-prononcimin e dytë