Cikël poezish zvicerane 2

Adolf Frey

NDARJE

Ja ku ra edhe orë e ndarjes,
Dita po na afrohet ngadalë,
Nëna më puth me lot në sy,
Babai dorën më zgjat pa fjalë.

Unë bredh ditës që po zbardh
Shpatit të blertë përpjetë;
Ende më jehon çdo fjalë e ndarjes,
Në vesh e kam të fundit shëndet.

Në shtegun e mbramë të vendlindjes
Nga pas më ndjek me hap flete,
Më kap përdore me përkëdheli –
“Jam malli, merrmë me vete!”

Gottfried Keller

NJË I KALUAR

Një prijës kalëronte i nderuar,
Thua se ishte një profet;
Sapo u ndodh i vetmuar,
E ngriti dorën përpjetë:

“Gazep pas gazepi pashë,
Ishte një tmerr i vërtetë;
Kur fajtor në pluhur rashë,
Unë u ngrita sërish vetë!

Askush s’e dinte që isha nderë,
Pos teje, o Zot, në lartësi!
Për heshtjen tënde atëherë
Të lavdëroj në qetësi!”

Atëherë jehoi mes eteri:
“S’ka ç’më duhet lavdi yt;
E ke për turp të jesh njeri? –
Ik, m’u kalëro nga sytë!”

Conrad Ferdinand Meyer

DY VELA

Dy vela të gdhira
Në gjirin e kaltëruar!
Dy vela të fryra
Ia mësyjnë shtruar!

Fillon njëra në erë
Të tundet e lakohet,
Tjetra menjëherë
Ndizet e flakërohet.

Do njëra të shkrehet,
Tjetra pas i nget,
Do njëra të prehet,
Pranë dhe shok’ i vet.

Hugo Ball

VJERSHË E VOGËL MORTI

Pëlhurë e bardhë syrin ta vret.
Është e mundur që ty të pret.
Ndoshta që nesër e ke ditën.
Buza lutet, dhëmbët skërmiten.
Xhufka rri qetë, e paarrirë,
Një dorë të përkëdhel me mëshirë.
Një flok i verdhë sipër të zbret,
Një zë i dashur qan e pisket.
Ata nga shtëpia të përcjellin.
Ata një tufë me lule të sjellin.
Ata një kryq ta shtrëngojnë,
Që të mund të të dallojnë.
Atëherë je vetëm dhe përsiat,
Në ishte ditë, apo ishte natë,
Në po vjen, apo shkon,
Në ke vdekur, apo jeton.
Por një pëlhurë ti e ke hak.
T’ua kthesh s’e kanë merak.
Mund ta mbash, ta kanë dhuruar,
Si një kujtim të paharruar.

Mary Stirnemann-Zysset

NË KËNDIN E FATIT

Rreze e parë dhe e fundit diellore,
Të përshëndet gjithmonë gazmore,
Nën pemët tallaze të blerta,
Në ëndrrat trëndafil, të qeta.

Retë që ecin horizontit të kthjellët,
Yjet e ndriçuara të natës së errët;
Këtu qiellin e ke më pranë,
Se mizëritë që tokën e kanë.

Këtu sheh dielli si shpërngulet
Dhe prush i kuq prapë përkulet,
Netëve të nxehta verore
Shkrepjen e forcave të errëta qiellore.

Këtu gjëmon stuhi e inatosur
Dhe e tund kullën e krekosur,
Këtu pranvera troket,
Mëllenja këndon romanin e vet.

Përzgjodhi dhe përktheu: Kujtim Shabani
Redaktore: Vjollcë Berisha
Recensent: Prof. Dr. Dr. Naxhi Selimi
Përgatiti për shtyp: Skënder Hajdari
Shtypin e mbikqyri: Besnik Emini

Botues: b’identitas, Zürich & syth, Tetovë 2021

Gjendet në Tetovë dhe Shkup.
Së shpejti edhe në Prishtinë.
Në Zvicër ndiqni linkun https://biidentitas.ch/publikationen/