Blerim rrecaj: Dy tregime

Dikush afrohej te lulet

I ishte bërë zakon të u afrohej luleve, qoftë kur ishte duke shëtitur, a ecte, kur kalonte pragun e dilte të shkonte diku, a kur merrte udhën e kthimit. Afrohej e, i shikonte, për pak, a për shumë çaste. A thua se pse? Sepse e tërhiqnin, i pëlqenin, i kujtohej nëna që kujdesej e merrej shumë me to, pastaj për to lexonte në vargje të shumë poetëve, dëgjonte zëra këngëtarësh, ato përmendeshin nëpër libra, shfaqeshin nëpër piktura, faqe gazetash, emisione, në biseda, bëheshin pjesë e dhuratave, festave, ceremonive, kujtimeve. Ishin pjesë jete edhe kur vetë diku, ecte me trishtim të (pa)kuptueshën, të rëndë, të lehtë, mesatar. Një lule, ose një tufë lulesh i kishte dalë parasysh për t’ia pakësuar a tretur një dëshpërim, një zhgënjim, një gjendje pezullie as andej e as këndej, për t’ia larguar hallet qoftë edhe për ca kohë. E kur ishte i gëzuar, gëzimi i shtohej edhe më. As vetë se dinte pse, po pastaj para se të largohej prej tyre, u bënte ca shkrepje, dhe sikur i linte ato me buzën në gaz, pa luajtur vendit, që ishte njëfarë buzëqeshje që herë i dukej tërë kënaqësi e herë-herë përzihej me ironi. Dhe ato vazhdonin t’i dilnin në udhë, qoftë kur dilte për një ecje tjetër livadheve jo fort larg shtëpisë, që pak po të gërmonte do t’u gjente edhe emrin e emërtimin shqip, atë shkencor e artistik. I pëlqenin vjollcat e vockëla e aguliçet, që prinin si lajmëtare pranvere, e ato më shumë kuptim i jepnin jetës, sidomos kur ato shfaqeshin pranë Kullave të Qëndresës në Prekaz. Më tej, ndalonte te lule që kishin ngritë kokën pranë e brenda kështjellave, udhëve e kthesave malore, për të dalë te lulëkuqet, trëndafilët, zambakët, jargovanët, luleradhiqet, për të takuar me ndonjë lule pranë te një krua, te një burim lumi, e ndonjë këmbëzhytur a kryshytur në liqe. Duke shfletuar një faqe tjetër dite, i dilte një lule mbi të cilën kishin rënë pikat e para të shiut, që lahej në shi, ose rrinte e lagur të thahej nga era e rrezet e diellit, qoftë në një ditë vere a vjeshte, por jo pak më të bukura ato dukeshin edhe kur i mbulonte një vello prej mjegulle, që u mbulonte fytyrën e ngjyrën. Ndalej edhe diku pranë ndonjë stacioni, qofshin këta stacionë autobusësh, trenash, aeroplanësh, ndërsa petalet e tyre bëheshin pritore e pista për bletë, flutura, mollëkuqe, grerëza, e ndonjë insekt tjetër. Lule ngrenin kokën edhe nëpër plazhe, në rreze përvëluese të diellit, pranë a nën hije palmash, pranë ndonjë porti anijesh. Nga to kishte që qëndronin kryelarta a kokulura me vesë, mbështjellura me brymë, borë, akull. Dhe kështu ndërroheshin stinët, lulet flinin, koteshin ose zgjoheshin, e disa s’donin t’ia dinin për dimrin, duke sfiduar ftohtësinë e bardhësinë e tij. Diku shihte lule që s’i kishte parë më parë. Pastaj kur përtonte ta ulte kokën përtokë, drejtohej kah lulet e pemëve, e drurëve të degëdisur e stolisur të bardha, të purpurta, të verdha. Pastaj përsëri përtokë, ato ngrinin kokën nëpër ara të (pa)korrurra, nëpër livadhe të(pa)kositura, oborre, në vazo a jashtë tyre, lëndina, pyje, parqe. Për një çast, seç e thirri a seç e “therri” diç,  si të ishte gjemb trëndafili, dhe vendosi që disa shkrepje lulesh t’i postoj, te dy grupe interneti që përpiqeshin ta paraqisnin bimësinë e viseve shqiptare, që dilte të ishte e bukur dhe e larmishme.  E tërhiqnin lulet t’u afrohej e, i dukej se edhe ato i afroheshin me gjithë bukuritë e stolitë, me ngjyrat, aromat e veçantitë. Kishte raste kur i dukej vetja se ishte i pakujdesshëm e i pavëmendshëm ndaj luleve, ndaj mozaikut të tyre mbresëlënës.

Në fillet e një festivali

Flitej se bëheshin përgatitjet për mbajtjen e një festivali të madh me karakter ndërkombëtar në  Parkun e Gërmisë, në mushkëritë e kryeqytetit, me protagoniste kryesore këngëtaren e njohur shqiptare, që tashmë kishte famë të madhe. Dhe ashtu siç thuhej edhe ndodhi, erdhi një ditë gushti dhe vërshuan lajmet e informacionet se në mbrëmjen e kësaj datëdite vere po niste për herë të parë ky festival kënge. I bëri zë një të njohuri, si prej shpati në shpat dhe jehonat e zërave u morën vesh. E në një orë pasditeje të vonë ia mësyen Gërmisë së bukur e mikpritëse. Në hyrje të parkut, por edhe përgjatë tij, shumë njerëz, vetura, e patrulla policie. Pasditen e ngrohtë, filluan ta gudulisnin rryma të freskëta ajri. Vendosën të ngjiteshin, pjerrinës së anës së majtë, kah kjo faqe mali, e do të dilinin në udhën malore, një pjesë e së cilës niste me pisha për të vazhduar pastaj pjesa tjerë me drunj tjerë, e lule tjera vere që ndjenin veten për mrekulli. Një ketër i qetë që dukej se rrinte kujtueshëm e mendueshëm kërceu nga një degë për t’u katrrithur për degën tjetër, mbasi dëgjoi zhurmërimën e hapave, vërejti se filloi të vështrohej dhe shpejt humbi sysh, diku andej kah majat më të larta. Rrugës një lule e bukur që u doli në udhë, shumëpetalëshe picigjate e jargovantë, që dukej se kënaqej në vendin e vet ku ishte, me tri bijat e saj ende petalepahapura. Menduan për koncertin dhe për udhën e kthimit për në shtëpi. Vazhduan rrugën malore që përdridhej si gjarpër, duke u ndalur vende-vende, për t’u kthyer kah erdhën, e për t’ia mësyer lugut të gjelbër të Gërmisë, rrethuar me dy faqe mali, që i bënin mburojë, e herë dukeshin si krah shqiponje me të cilët bëhej gati të fluturojë. Ecën. Në një pjesë, në fushë, panë dhe ca shatorre të vëna. (E këto, tash, edhe pse ishin vënë për ta kaluar natën pa farë frike, sikur i kthyen paksa në kohë, në kohën e vështirë të përpjekjeve, durimit, përpjekjeve, qëndresës, rezistencës, luftës, mbijetesës). Ecën vetëm për ta ndjerë atmosferën e krijuar nga ky lumë njerëzish, pa bileta, e pa rrathë plastikë në duar që mbanin të tjerët, sikurse të ishin bylyzykë stolie, e as që i ndali kush. Dhe u bënë pjesmarrës të këtij festivali. Mbërrijnë deri para binës së ngritur. Po jehonin zëra këngëtarësh e grupesh të njohura muzikore shqiptare, për të kënduar këngë si “Beso në diell”, “Prishtina, Prishtina”, e të tjera. Më pas këngëtarë e grupe nga vende e shtete të ndryshme, në mesin e tyre edhe një këngëtar shqiptar që jetonte diku në Amerikë, e që tregoi për origjinën e tij, që ishte nga trevat shqiptare në Mal të zi, i cili u prit shumë ngrohtë nga të rinjtë, një pjesë e madhe e publikut, i njihnin, e i këndonin bashkë me të këngët e tij. Në fund doli, këngëtarja, bija e këngëtarit, kjo që ishte bërë mbase shkaku kryesor i mbajtjes së festivalit. Pas këngëve që këndoi, e shoqëruar në skenë nga një grup valltaresh, pas atmosferës së krijuar nga gjithë ai numër i madh prej mijëra njerëzish, përfundoi nata e parë e për të vijuar dhe dy net tjera. Në përfundim prisnin udhët e kthimit e autobusët prisnin, e stërmbusheshin për t’u drejtuar kah kryeqyteti, më pas kushedi se për kah, e secili udhës së vet. Kjo “zbrazje” Gërmie zgjati deri kur filloi të dukej dritë e mëngjesit, e ndonjëri a ndonjëra nga pjesëmarrësit që ishin nga jashtë Kosovës, kërkonte drejtim e orientim të cilin e gjente shpejt. Shumë nga pjesëmarrësit, largoheshin edhe duke ecur në këmbë, të shtyrë nga një fllad mëngjesi. Kjo seç ngjallte ndjenja zilie, mes udhëtarëve. Ata që ishin nëpër autobus sikur donin të ishin jashtë, e ata që ishin jashtë donin të ishin nëpër autobusë. Sidoqoftë, seç e hodhi vështrimin kah kjo ngjarje që kishte të bënte me fillin e Sunny Hillit, për të cilin flitej, për nisjen dhe vazhdimin e tij, për ta bërë tradicional, për ndarjen a mosndarjen e një parcele toke në shërbim të tij, e të turizmit kulturor, mosmbajtjen e tij për shkak të pandemisë, mbajtjen e një edicioni të tij në Tiranë, e rikthimin e tij në fshatin Bërrnicë e poshtme në afërsi Prishtinës.