Ratifikim sa më të shpejtë dhe shqyrtim të përfitimit retroaktiv të pensioneve

Komunikatë për media mbi nënshkrimin e Marrëveshjes së re ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës

BSPK-ja përshëndet nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes së re ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës e Kosovës dhe kërkon ratifikimin e saj sa më të shpejtë nga ana e parlamenteve të të dyja shteteve. Ky ratifikim sa më i shpejtë mundëson që pas më shumë se 8 viteve pritje të marrë fund diskriminimi për një pjesë të mbetur e ende gjallë të përfituesve legjitim të pensioneve të tyre të merituara. Ne gjithashtu kërkojmë që ti epet fund dënimit kolektiv të përfituesve legjitim, duke rregulluar e mundësuar përfitimin retroaktiv të pensioneve për periudhën kohore pa zbatim Marrëveshjeje mbi 8 vjeçare.

Shkaku i nënshtrimit të presionit të udhëhequr nga qarqet të djathta-popullsite në parlamentin e Zvicrës dhe shkaku i neglizhencës e papërgjegjshmërisë së zyrtarëve të Republikës së Kosovës, në fund të vitit 2009 qeveria federale e Zvicrës deklaroi se nga 1 prilli 2010 nuk vazhdoi të zbatojë më tej Marrëveshjen e trashëguar ndërshtetërore me ish federatën jugosllave për Sigurimet Shoqërore në raport vetëm me Kosovën. Ky anulim i njëanshëm i marrëveshjes deri në ketë kohë të vlefshme, goditi rëndë të prekurit e Kosovës dhe u shkaktoi atyre dezorientim me pasoja të mëdha për ta dhe familjarët e tyre. Me këtë rast Zvicra zyrtare zbatoi standarde të dyfishta: Marrëveshja e trashëguar vlente për të gjitha shtetet e dalura nga ish-Jugosllavia deri në negocimin e marrëveshjeve të reja me secilin vend veç e veç: Kështu,sikur edhe deri më tani,garantohej që kontribuuesit e kontribuueset të kenë sigurinë juridike dhe të mund të përfitonin pensionet edhe në rast të kthimit në vendet amë. Në rastin e Republikës së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë tek në vitin 2008 dhe e cila si e tillë edhe u njoh nga Zvicra, procedurat që vazhduan të zbatohen me korrektësi deri më 1 prill 2010, u ndërprenë papritmas, gjë që u konsiderua me të drejt si diskriminim i hapur.

Sindikatat, veçanërisht Unia dhe BSPK si dhe partnerë tjerë në të dyja vendet, menjëherë patën kritikuar këtë diskriminim të hapur dhe patënndërmarrë edhe hapa konkret duke kërkuar zgjidhje të shpejtë të çështjes në fjalë. Mirëpo u nevojitën 8 vite deri tek arritja e një Marrëveshjeje të re, e cila tani edhe formalisht u nënshkrua nga ministritë përkatës të të dyja shteteve. Mirëpo, si duket deri tek dhënia fund  diskriminimit, do të duhet ende kohë pritjeje, pasi Marrëveshje e re duhet të kaloi në proceset e ratifikimit të parlamenteve të të dyja vendeve.

Pas kësaj, ne shpresojmë se do të merr fund diskriminimi mbi 8 vjeçar i qytetarëve të Kosovës, të cilët rregullisht kanë paguar kontributet e tyre në arkat e sigurimeve shoqërore të Zvicrës dhe gëzojnë të drejtën ligjore për përfitime të pensionevetë merituara.

Përfituesit e pensioneve të pleqërisë, trashëgimtarëve dhe të invaliditetit nga Kosova kanë paguar çmim të lartë

Çmimi këtij diskriminimi ka qenë shumë i lartë. Kur u bë i njohur anulimi i Marrëveshjes, shumë anëtarë dhe të prekur tjerë edhe tek ne kërkonin informata. Mjerisht institucionet e të dyja vendeve dështuan të informojnë me kohë e drejtë, duke dëmtuar kështu kontribuuesit dhe përfituesit e pensioneve. Këtë situatë të paqartë në mënyrë të paturpshme e shfrytëzuan disa zyra avokaturash dhe këshillimore, duke keqpërdorur situatën e të siguruarve dhe shfrytëzuan nga rasti për t’ju qasur kontributeve të të siguruarve të prekur, me ç ‘rast parashtruan kthim-pagesën e të gjitha kontributeve të kursyera nga kontot e sigurimeve shoqërore të Zvicrës. Për këtë ”shërbim” ata për veti përfituan honorarë deri në shumën 20% të kontributeve të kursyera të të siguruarve. Dhe tërë këtë, për një shërbim, i cili vihej në dispozicion pa pagesë nga institucionet e të dyja vendeve.      

Përjashtimi i përfituesve të ligjshëm për periudhën e kaluar kohore është baras me plaçkitje

Mbështetur në njoftimin e aktualizuar në faqen e Entit federal të sigurimeve shoqërore të Zvicrës (BSV/OFAS) të muajit mars 2017, diskriminimi i hapur për përfituesit e ligjshëm të pensioneve të kthyer në vendin amë, për periudhën kohore të deritashme mbi 8 vjeçare, vazhdon më tej, pasi sipas informatës së publikuar (citojmë): “… Pensionet do të paguhen vetëm nga koha kur marrëveshja do të hyjë në fuqi. Përjashtohet pagesa e pensioneve për periudhën e mëhershme kohore”.

Kështu vetëm se çimentohet diskriminimi i mëtejmë dhe padrejtësia e hapur për periudhën kohore gati 9 vjeçare: Se çka do të ndodh me këto pensione, që do të duhej tu paguheshin përfituesve/eve të ligjshëm nga Kosova, mbetet edhe më tej një pikëpyetje e madhe!

Ratifikim sa më të shpejtë dhe masa të hapura dhe adekuate retroaktive

Përfundimi dhe dështimi i Marrëveshjes është një shkelje flagrante e mirëbesimit. Në raport me kontribuuesit/et nga Kosova qeveria federale e Zvicrës dhe ajo e Kosovës nuk kanë vepruar me korrektësi dhe shumë njerëz i kanë vu para situatave të vështira deri edhe para greminës ekzistenciale.

BSPK-ja sikur edhe sindikata Unia e Zvicrës kërkojnë nga qeveritë e të dyja shteteve:

Ndërmarrjen e të gjithë hapave të domosdoshëm për ratifikim sa më të shpejtë të marrëveshjes. Pasi vetëm kështu mund të përfundoj diskriminimi i mëtejmë ekskluziv i shtetasve nga Kosova;

Të krijohet një grup punues i përbërë nga ekspertët të dy qeverive dhe sindikatave të të dyja vendeve, për të gjetur një zgjidhje për rastet e rënda dhe për të mbështetur e ndihmuar të prekurit;
Vendosja e një linje telefonike për një periudhë të caktuar kohore, për t’i informuar të prekurit drejtë dhe në mënyrë korrekte;
Nisja e një fushate informuese në Zvicër dhe Kosovë në bashkëpunim me sindikatat e të dyja vendeve.

Për informata të mëtejme:

Dafina Mehaj,Zyrtare e BSPK-së për marrëdhënie ndërkombëtare dhe me publikun, +383 44 527 272 bspk@bspk.org

Ruzhdi Ibrahimi, Ekspert i sigurimeve shoqërore te Zvicrës, +41 79 363 21 84, ruzhdi.ibrahimi@sunrise.ch

Leonora Lokaj, Nënkryetare e BSPK-së, +383 198 501 leonora.lokaj@bspk.org; leonora.lokaj@hotmail.com

Osman Osmani, Sekretar nacional për migracion në sindikatën Unia, +41 79 934 18 89, osman.osmani@unia.ch

BSPK, Prishtinë, me 8 qershor 2018