Udhëtim marsi nëpër Epopenë e lirisë dhe arsimit

Udhëtim marsi nëpër Epopenë e lirisë dhe arsimit

Pranoi një ftesë papritur, aty kah ora 21 e mbrëmjes. E pranoi me kënaqësi. Për të nesërmen caktuan takimin. Pastaj u zgjua në mëngjes. Para se të nisej dërgoi dy shkrime, në drejtim të një platforme kombëtare e përbashkuese në Zvicër, në shenjë respekti, edhe për njërin nga bashkatdhetarët, që këtë herë nuk kishte mundur të vinte së bashku në këtë udhëtim nëpër këtë pjesë atdheu. Doli në stacion, në email, i erdhi shenja lajmëruese e publikimit të asaj që sa kishte dërguar. E pa, shpejt e shpejt. Pas pak hipi në një taksi, zbriti te nënkalimi përballë Katedralës “Nëna Terezë”, u kthye në të djathtë, vazhdoi nëpër këtë pjesë Ulpiane, e mbërriti te Rrethi i Flamurit. Erdhi vetura me tabela të shtetit zviceran , hipi në të, te ajo pritore ku prisnin një numër i madh udhëtarësh. U nisën, filluan përshëndetjet, e kalonin rrugës nëpër një kolonë mjaft të gjatë automjetesh. Më pas qarkullimi rrugor  u lehtësua, e përpara dukej Lypeteni që mbante borë mbi kokën e mbi supet e tij. Bisedonin fare lirshëm e natyrshëm, sikur të njiheshin prej kohësh. Nga ky rreth Prishtine, kishin një takim tjetër, po te një rreth tjetër, në Ferizaj. Kur mbërrijnë këtu pas gati një ore, u takuan me atë që i priste, që hyri e doli duke i shërbyer me tabakë në duar mëngjesin, nga Furra e Mikelit, hëngrën nga një byrek të shijshëm me jogurt, në këmbë aty përjashta, tek ajo tavolinë e drunjtë, e gjerë dy pëllëmbë e gjatë rreth një metër, që i ngjante një vigu që lidhte brigjet e një lumi. Vazhdoi të ndodhej mes dy bashkatdhetarëve. I telefonoi një mikut që jetonte në këtë qytet. Edhe ai donte t’i shihte të dy bashkatdhetarët që qëndronin në atdhe. Menjëherë u nisëm  për në fshatin Korishë, për një takimin e radhës.

Miku im donte vetëm të na shihte e të rrinte pak, sepse kishte pak kohë, kështu që duke dërguar e pranuar të fala, e lamë ta telefonoja edhe njëherë, pasi të ktheheshim. Morëm rrugë, mbërritëm në fshatin Korishë, fare pranë Prizrenit, këtij fshati mjaft të madh, të bukur e të pastër. Ca nxënës që sapo kishin mbaruar mësimin e me çanta në krah ecnin skaj rrugës, na drejtuan  për në objektin e shkollës, “Dëshmorët e Kabashit”, në këtë ditë të enjte të 7 marsit. Në Ditën e Shkollës Shqipe, në Festën e Mësuesit. Që këtë herë i binte të ishte përvjetori i 137-të, filluar në Korçë.  Këtu përkujtohej 83 vjetori i Shkollës së Korishës, që e pat hapur njëri nga mësuesit e dalluar e patriot dërguar nga  Ministria e Arsimit e asaj kohe e drejtuar nga Ernest Koliqi, ndërsa sot vajzat e familjarët e mësuesit kishin ardhur të ftuar nga korishasit në shenjë mirënjohjeje e falënderimi të përhershëm. Gjithçka shkoi si është më së miri, mikpritja e mrekullueshme shqiptare e korishasve, familjarët të prekur thellë nga kjo pritje, ishin shumë të kënaqur, që mundi i përpjekjeve e sakrificave të pareshtura kishin dhënë frytet e veta. Më pas pas ndejës në ambientet e kësaj shkolle të bukur, që kishte filluar të ndërtohej që në vitet e luftës së fundit e përfunduar pas saj duke parë klasat, bibliotekën, arkivën,  zyret, ndeja do të zhvendosej për një drekë në një restaurant pranë Lumbardhit, që rridhte si rrjedhë historie. Përfundon kjo ndejë me mall e mallëngjim, me shpresë e përpjekje për të vënë binarët e duhur në arsim e në gjitha sferat e tjeta të jetës,  me ca fotografi si kujtim. Tashmë tre bashkatdhetarët, bëjmë një vizitë në Kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare, fillon një shi i lehtë e i këndshëm, Lumbardhi rridhte e dukej më i pastër se kurrë, njëra urë ishte stolisur me një hartë të trojeve etnike, ku në zemër të saj ishte Prizreni, e me një portret të kryekomandantit Adem Jashari, kalaja e qytetit rrinte si kurorë mbi kokë, e shumë elemente të tij, si Shtëpia e Lidhjes, Rrapi shekullor, monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore qëndronin me rrënjë e këmbë në tokë. Prizreni të grishte për ecje, për të bërë ndonjë fotografi, për të parë e provuar ndonjë çifteli, e për t’u ulur ndonjë bozë për ta pirë. Dikur largohemi nga Prizreni, pasi bashkatdhetari, gazetari i njohur, energjik e i pandalshëm e humanist, në trajtimin e temave që nga të tjerët pothuajse janë harruar sikurse mësuesit, arbëreshët, çamët, i interesuari i përhershëm për fatet e kombit tonë, do të takohet me një mik e koleg të tij, që ishte e jetonte në fshatin Bukosh. Këtej derisa mbërrijmë hasim fshatra të bukura e të pastërta, dhe mbërrijmë në një restaurant brenda fshatit, në këtë takim të ëndërrt mes dy bashkëmoshatarësh e kolegësh pas së paku gjysmë shekulli. E dhe kjo ndejë kalon shumë bukur por edhe shumë shpejt. Kur mbrëmja kishte rënë, e dritat e shtëpive, të shtyllave, ndërtesave, lokaleve rrinin si yje të zbritur në tokë, morëm rrugën për në Jezerc, ku u ulëm për të pushuar në një restaurant. Më pas edhe një ndejë në Ferizaj, ku bëjmë një shkëmbim librash, duke lënë gjurmë e mbresa ky rrugëtim i këndshëm.