Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përurua pllaka përkujtimore kushtuar atdhetarit Nazim Azemi

Dje, me 5 maj 2024 në Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë, në praninë e shumë bashkëveprimtarëve, bashkëluftëtarëve, bashkëqytetarëve, familjarëve si dhe dhe personaliteteve të niveleve të ndryshem, u zbulua guri përkujtimor kushtuar atdhetarit, të burgosurit politik dhe luftëtarit Nazim B. Azemit.

 

Në këtë tubimi madhështorë, nga anëtarët të Këshillit Organizativ të manifestimit dhe personalitete tjera, u mbajtën edhe fjalë rasti mbi jetën, veprimtarinë dhe angazhimin e gjithanshëm deri edhe mbi kontributin e organizimit të luftës çlirimatare në Komunën e Vitisë.

Në vijim po japim fjalën e rastit të bashkëveprimtarëve të Nazimit,  Shyqeri Gjinolli, i cili foli shkurtimitsh  mbi biografinë, ndërsa Xhevat Haziri foli më gjërësisht mbi vepritmarinë e Nazim Azemit ndër vite.

Shyqeri Gjinolli gjatë mbajtjes së fjalës së tij mbi biografinë e Nazim Azemit

Biografi

Nazim Behxhet Azemi , ka lindur më 17.02.1949 në  Sllatinë të Epërme. Nazimi rrjedh nga një  familje me traditë atdhetare. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, atëherë  quhej ‘’Liria’’,  tash  e mban emrin e heroit te kombit ‘’ Nijazi Rexhepi’’, ndërsa shkollimin e mesëm e mbaroi në  Gjilan, ku si një 19 vjeçar kishte marr pjesë në demonstratën e vitit 1968 në Gjilan, në të cilën ndër  të tjera u kërkua që Kosova të bëhej  Republikë  dhe lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar.

Familjarët e Nazimit vazhduan angazhimin ndaj çështjes kombëtare, posaçërisht pas pranverës së madhe të vitit 1981, ku iu është bashkuar Organizatës për  Republikë – PKMLSHJ, me aksione konkrete të kohës si dhe në shumëzimin dhe shpërndarjen e materialeve ilegale në qytete të ndryshme të Kosovës.

Me veprimtari ilegale për çështje kombëtare u përfshin pothuajse e tërë lagjja Azemi me disa shokë të fshatit. Ata formuan shtabin e rezistencës në lagjen e tyre që të vepronin kundër pushtuesit serbo sllav. Baza e shumëzimit të materialit të fshehur e vendosur në shtëpinë e Ismet Azemit, e cila për shkaqe sigurie shpeshherë e ndërronte vendin në shtëpitë e tjera në lagjen Azemi. Pas shumë  aksioneve të organizuara nga PKMLSHJ-a e  udhëhequr nga Abdullah Prapashtica, edhe pse  Nazimiu punonte si punëtorë tregtie deri në momentin e burgosjes, pas një pune të palodhshme në ilegalitet syri famëkeq i UDB-së, dhe i bashkëpunëtoreve të tyre u zbulua dhe u arrestua duke u burgosur me 6 mars 1982, dhe edhe pas torturave që iu bënë, ai qëndroi i fortë dhe i pathyeshëm.

Pas hetimeve disa mujore nga pushtuesi e veglat e tij u akuzua në bazë të nenit 136 alineja 2 për veprimtari “armiqësore nacionaliste e irredentiste dhe bashkimi” në  bazë të ligjit penal LPJ, ku me 4 gusht iu shqiptua dënimi me 3 vite burg  të rëndë në grupin e Vahedin Azemit, ku një pjesë të kohës e kaloi në burgun hetues të Gjilanit. Nazim Behxhet Azemit,  përveç babait  dhe vëllezërit iu  ishin larguar nga puna, ia burgosën edhe vëllain Dautin dhe  gjeneratat që vinin me përgatitje shkollore e profesionale nga familja e tij, edhe pse të diplomuar, nuk lejoheshin të punonin nga pushtuesit serbo-sllav dhe veglat e tyre.

Nazimi, pas daljes nga burgu e vazhdoi veprimtarinë politike dhe atdhetare, i cili ishte i prerë në vendime me shokë dhe i ashpër ndaj pushtuesit.

Ai ishte një nga themeluesit e UÇK-së, pjesëtar i  UÇMPB-së dhe UÇK –së kombëtare. Pas lufte punoi në organizatën e veteranëve  të UÇK –së, ku më vonë  edhe si  punëtorë  administrate për  siguri dhe emergjencë.

Nazimi ndërroi jetë me 4.12.2008 në fshatin e tij të lindjes, ai mbetet në kujtesën e popullit një  atdhetar, veprimtar i palodhur i  kauzës kombëtare, ai mbetet i  pashuar në dritën e përjetësisë, madhështor me  veprën e tij për lirinë e atdheut…

Nazim Azemi la pas vetes bashkshorten dhe tri vajza Lirin,Driten dhe Kosovarja.

Lavdi!

***

Xhevat Haziri gjatë fjalës së tij mbi veprimtarinë e atdhetarit Nazim Azemi

SOT KËTU JEMI BASHKË PËR TË NDERUAR VEPRIMTARINË ATDHETARE E ÇLIRIMTAR TË NAZIM BEXHET AZEMIT

Nazim Azemi i takon brezit të atdhetarëve dhe  periudhës së sakrificës së madhe por edhe të lavdishme gjerë te arritja e lirisë së tokës shqiptare me emrin Kosovë. Por jo vetëm.

Nazim Azemi, qysh si 19-vjeçar si nxënës I shkollës së mesme kishte marrë pjesë aktive në demonstratën e 27 nëntorit të vitit 1968 në Gjilan, në të cilat ndër të tjera u kërkua që Kosova të bëhej republikë dhe lejimi i përdorimit publik i flamurit kombëtar shqiptar.

Pas demonstratave të viti 1981, Nazimi i është bashkuar Lëvizjes Atdhedashëse të Kosovës, gjegjësisht Organizatës për Republikë – PKMLSHJ, e cila përmes platformës së sajë politike nisi fushatë me aksione konkrete, që fillimisht, dhe për dallim nga organizatat të fshehta atdhetare të kohës, si synim kryesor kishte sensibilizimin dhe mobilizimin e masave të gjëra popullore për barazi kombëtare dhe politiko-administrative, ku mbizotëronte kërkesa ultimative që shqiptarët në ish-Jugosllavi të njiheshin si komb dhe që Kosova me të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi të bëhej Republikë e barabartë me 6 të tjerat. Dhe, po që se këto kërkesa nuk do të arriheshin të realizoheshin paqësisht pra, me kërkesa e në rrugë politike, organizata parashihte deri edhe luftë të armatosur, me ç ‘rast do të luftonte për realizimin e aspiratave të kamotshme të shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Pas punës së pandërprerë në aktivitete të ndryshme dhe fillimit të burgosjeve të shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981. Filloi të zgjerohej dhe rritej numri I të burgosurve shqiptarë në mbarë trojet shqiptare në ish-Jugosllavi e në veçanti në Kosovë e edhe në Kominën e Vitisë.

Pra, më 6-të mars të vitit 1982 shtëpia e Nazimit u rrethua nga rreth 20-të policë dhe inspektorë të sigurimit të shtetit jugosllav, sikur edhe shumë shtëpi tjera në Sllatinë të Epërme. Pas bastisjes së shtëpisë policia e arrestoi Nazimin, dhe pos   Nazimit ka burgosur po në Sllatinë edhe veprimtarët Vahedin Azemin, Shyqeri Gjinollin e Daut Azemin. Shukri Musliun nga Remniku, Ymer Halimin e Sabit Halitin nga Gjilani, Xhevat Hazirin nga Vitia, pastaj Muhabi Azemi, Ismet Azemi, Xhamajl Rashiti, si dhe shumë veprimtarë tjerë të këtij regjioni. Emrat e theksuar si  grup jemi të gjykuar me një aktakuzë dhe aktgjykim.

Nazimi ndër të tjera akuzohet se Vahedin Azemit dhe shokëve të tij, ua kishte vënë në dispozicion shtëpinë si bazë për ta strehuar shumëzuesin e materialeve propagandistike (“Geshtetnerin”) dhe për pjesëmarrje në shumëzimin e trakteve e afisheve, të nxjerra nga dokumentet e fletushkat e organizatës për Republikë – PKMLSHJ si dhe gazetën «Revolucioni» dhe «Zëri i Atdheut», të cilat më pastaj janë shpërndarë gjithandej nëpër Anamoravë e më gjerë.

Nazim Azemi  përveç i burgosur dhe i dënuar politik ai ishte pjesëtar dhe organizator si gjithherë i Luftës Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe  Luftës Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Nazim Azemi asnjëherë nuk ka pushuar së  punuari dhe vepruari për liri të atdheut dhe gjithmonë me përkushtim, sakrificë, qëndrim burrnor, trim, gjithmonë në këmbë dhe asnjëherë në gjunjë.

Nazim Azemi gjatë tërë jetës ka bërë më shumë se ka mundur dhe ka dhënë më shumë se ka pasur.

Nazimi nuk ka folur shumë.

Nazim Azemi duke pasur karakter të fortë të burrit trim, më shumë ka fol kur ka heshtur duke të shikuar drejtë si dhe mprehtë, dhe ka thënë më shumë se sa të kishte folur, duke shprehur afërsi dhe duke qenë përbashkues mes shokëve, brezave dhe grupeve vepruese.

Ju e nderuara  familje dhe familjar të Nazim Azemit, shokë, miq dhe bashkëluftëtarë ndihuni krenar me veprat e Nazimit gjatë tërë jetës së tij, nga se veprat e Nazimit i cili ka ndërruar jetë, e kanë bërë të pavdekshëm dhe të jetoi ne  kujtime  të atdhetarit të madh dhe devotshëm .

Lavdi e përjetshme atdhetarit  Nazim Azemi!

Më 5 maj 2024. Sllatinë e Epërme, për SHBPK-së Dega në Viti, Xhevat Haziri