At Antonio Bellusci, kujton mikun e tij me rastin e 100- vjetorit të lindjes së tij

100-vjetori i lindjes së Profesorit të madh Jup Kastrati
Arbëreshi At Antonio Bellusci, kujton mikun e tij me rastin e 100- vjetorit të lindjes së tij

Intervistë nga Ornela Radovicka
Qëndra albanologika A. Bellushi mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980

At Bellusci, sot është 100 vjetori i lindjes  të profesorit të madh Jup Kastrati. Cili ishte Profesor Jup Kastrati për Ju?

Profesor Jupi  ishte si ajo aorta pulsante, e ngrohtë, me të cilën ushqeu  çdo kapilar të trupit tij, me një dashuri të fortë për kombin, mbajti një qëndrim stoik për gjuhën shqipe, thelloi studimet  për kulturën e popullit të tij, me ndershmërinë e tij  intelektuale i la kombit mbi 40 vepra shkencore, mijëra faqe epistolare, zgjeroi sferat shkencore  duke u bërë një prej  themeluesve të Universitetit të Shkodrës, një vizionar shkencor si themelues i “Buletini shkencor”, përhapës i qytetërimit  dhe i kulturës dhe e demonstroi edhe më tepër me hapjen e Bibliotekës së Shkodrës, por edhe një patriot i madh, antifashist, i cili u burgos, u internua.

Ky njeri i shkencës dhe i kulturës  nuk e humbi kurrë atë alkimi  humane sa profane po aq edhe hyjnore, pjesë e shpirtrave të mrekullueshmesh, duke e bërë këtë njeri  të rrallë e poliedrik, ndërsa ishte një mik- vëlla shumë i mirë.

At Bellusci, kur e keni takuar për herë të parë profesor Jup Kastartin?

Ishte viti 1972, dhe mua më kishin ftuar në kuvendin Ilir. Atje u njoha me shumë studiues shqiptar,  në mes  tyre njoha edhe prof Jup Kastratin. Drekonim dhe darkonim tek “Hotel  Dajti”.

Në atë Kuvend vetëm sa njohëm, por kisha menduar që,  kur të rikthehesha për në Itali,(protokolli ishte që një natë duhet të ndaloja në Shkodër) do të takoja Profesor Jupin, por nuk ndodhi kështu.

Gjatë kthimit tim për në Itali , nuk isha vetëm. Sipas rregullat e shërbimit sekret të Shqipërisë të asaj kohe, duhet pa tjetër të isha i shoqëruar deri në kufi, dhe ai që më shoqëronte ishte muzikologu Benjamin Kruta.

Sapo mbërrita atë ditë në Shkodër i kërkoj Z. Benjamin Kruta, se dëshiroja të takoja  Prof Kastrati, por me sa kuptova  nuk ishte e mundur për shkak të  protokollit. Vonë mësova se regjimi nuk të jepte këtë liri, kështu për të shfrytëzuar kohën në maksimum kërkova të vizitoja Katedralen e Shkodrës. Këtë kërkesë ma plotësuan, por brenda saj  gjeta një hapsirë boshe, kthyer në “Pallat sporti” ku zhvilloheshin ndeshjet e Boxit.Të nesërmen në mëngjes i shoqëruar deri në Han Të Hotit nga Z. Benjamin Kruta, lë Shqipërinë dhe  vazhdova për në itali me makinën time.

At Bellusci, kur iu dha mundësia  të ritakoheshit me Profesor Kastratin?

Ishte  prill i vitit 1981. Në atë pranverë  vijnë në Frasnitë edhe profesorët  Ali Xhiku, Dhimitër Shuteriqi e Jup Kastarti. Aso kohe ishte një epokë kur studiuesit nga Shqipëria vinin dhe bënin kërkime serioze në botën arbëresh. Mbanin lidhje me botën arbëreshe. Më kujtohet që shkuan në Shën Adrian, por edhe në Maqi.  Kërkimet shkencore  të atyre viteve bëheshin me një kriter serioz, njerëz të cilët mbanin përgjegjësi për ato fakte që jepnin por edhe të përgatitur. Ekzistonte në punën e tyre një farë meritokraci.

Kur mbërrijnë në Frasnitë , profesorë te tille të mëdhenj  siç ishin ata, edhe ne na bëhej zemra mal, sepse ishin miq nga Shqipëria.

Na dukeshin vëllezërit tanë të ndarë në shekuj, kështuqë atë ditë i ftova për drekë në shtëpinë time në Frasnitë. I njoha me ambientin tim, me motrën time Rina dhe kaluam momente të ngrohta.

Ishin vite kur regjimi  nuk të jepte atë mundësi lirshmërie që kanë sot njerëzit e lirë, dhe unë isha një prift, edhe ata po ashtu, sepse  kush kalonte kufirin  kishin direktiva dhe norma për të ndjekur. Këtë gjë e dija, duhet të ishim të kujdesshëm për çdo pyetje , sepse çdo lëvisje raportohej. Unë këtë e dija dhe prandaj isha shumë i kontrolluar në pyetje të përgjithshme.

Profesor Jupi, ishte i vetmi që më kërkoi menjëherë të vizitonte bibliotekën. Shkuam edhe  në arkivin tim.

Vura re qe i pëlqenin shumë librat. Pyeste shpesh nëse kishim ndonjë kopje më tepër për bibliotekën e tij. Ishte i  interesuar për poetet shkrimtarë, publicistë, historiane arbëresh edhe pse  pikësynimi i tij ishte De Rada.I shoqërova me makinën  time te tre miqtë në Kozencë, ku ndaluan në arkiv, dhe vizituam disa fshatra arbëresh përqark.

Kush ishin bisedat me të cilat u përqendruat në ato takime? 

Bota ime është e gjerë, por jam i përqendruar më tepër në drejtim të folklorit, etnografisë. Profesor Jupi ishte gjuhëtar, por ai nuk ndalej vetëm ne atë aspekt linguistik si ndodh me shumë gjuhëtarë steril, e dinte shumë mirë që gjuha vjen nga populli ,dhe vura re që Ai shfletonte edhe librat mbi etnografinë, mbi folklorin, dhe kjo gjë më bëri të afrohesha disi më tepër.

Unë  jam edhe prift, me këtë dua të them që  puna me njerëzit më ka lidhur, dhe jam ne gjendje pak a shume të kuptoj edhe atë pjesën humane të tyre. Ne ate takim mes tre profesorëve te mëdhenj nuk mohoj që shpirti më tërhoqi disi më tepër nga profesor Jupi.

Kërkova që ta njohë më tepër edhe me tepër  si nga aspekti  shkencor, po ashtu edhe human. Kishte atë hijen rigoroze, kur fliste për punën shkencore, dhe transformohej në një njeri shumë human në ato pak biseda të lira.

Mësova  prej tij përpjekjet jo të lehta, dhe sakrificat që bënin studiuesit shkencor, në kërkimin dhe përpunimin e tyre. Mungesa e instrumenteve për punimet e tyre shkencore.

Profesor Jupi, krijoi një obelisk veprash. Ajo që më ngeli në mëndje ishte momenti kur mësova prej tij, që Ai në vitin 1963 kishte themeluar “Boletini shkencor” Organ i Universitetit  “Luigj Gurakuqi”. E konsideroj një akt të madhe e te nevojshëm, revistën shkencore kur mendoj që bota e sotme katedrat  akademike e Kalabrisë nuk ka ende  një organ të saj shkencor  siç kishte  dikur në  Shqipëri  “Revista Filologjike”.

 

Në Kuvendin ilir 1972

E  konsideroj një vepër të madhe, pikërisht edhe sot, ndërsa bisedoj me ju, mrekulloheshe dhe në të njëjtën kohë ndihem keq  kur mendoj që bota e sotme katedrat akademike e Kalabrisë nuk ka ende  një organ të saj shkencor  siç kishte  dikur në  Shqipëri  “Revista Filologjike”. Ditët i kaluam mes bibliotekave e kërkimeve  si dhe vizita në fshatrat arbëreshe.

At Bellusci dhe prof Jup Kastarti me të shoqen e tij

Në fund kur mbaruan vizitat e tyre, që  të tre Profesorët Shuteriqi, Xhiku, e Kastarti lanë  shënime  tek libri “ Bibliotekës”. Ndërsa profesor Ali Xhiku e  Prof Shuteriqi  ishin të shpejt dhe duke sintetizuar përshtypjet në dy rreshta Prof Kastarati, u tregua  i detajuar, shumë bujar në shpirt, e nuk u kursye në fjalë.

Ja se çfarë shkroi .

“Sot për sot Antonio Bellusci është një nga personalitete më të shquar të kulturës materiale kombëtare shqiptare, ndër arbëreshët e Italisë. Personaliteti poliedrik i këtij dijetari të mirënjohur shfaqet në disa drejtime… Ai është edhe një specialist për botën shqiptare të arbërorëve të Greqisë, dhe për shpirtin shqiptar të Koronejve. Ai ha interesa shkencore në folklor e pulicistikë, etnografi. Mikut tim të ngushtë e të shtrenjtë i uroj gjithë zemër të mbahet 100 vjet me shëndet të plot, me freskinë intelektuale dhe këtë entuziazëm”. Ato fjalët e tij  më dhanë forcë, sepse  shpirti i tij i bukur më dhuroi edhe “Kohen” që është gjëja më e shenjtë.  Profesor Jupi kishte atë thjeshtësinë e tij, që e bënte akoma më madhështor.

A i kthyet ndonjëherë vizitën  mikut tuaj Prof Kastrati?

Që nga dita që u njohëm kërkuam mos t’i humbisnim lidhjet. Regjimi nuk na jepte lirshmëri, por me rënien e tij, unë u ktheva në Shqipëri në vitin 1993.

Mbishkrimi i prof Jup Kastarti në librin e bibliotekës, mbi At Bellusci

Qëllimi im ishte, të regjistroja e të mblidhja folklor në disa zona të Shqipërisë si në Tepelenë, Vlorë, Mallakastër si edhe në Shkodër. Ishte muaji gusht dhe nisem për Shkodër.

Telefonoj mikun tim Jup dhe takohemi në shtëpinë e tij.

Ishte një pritje e mrekullueshme. Atje takova zonjën e tij. Një grua fisnike, mirëpritëse, dhe një ambient i qytetëruar.  U njoha me vajzat e  tij Diana dhe Fatmira.

Ishin të reja, dhe shumë bukuroshe, por mbi të gjitha të shkolluara, dhe të edukuara.

Ishte një familje intelektuale. Vura re një shtëpi karakteristike fisnike Shkodrane. Mbizotëronte ajo doza e kulturës, që të bënë sa të thjeshtë  por që imponon respekt.

U ndjeva si në familjen time. Një ditë shkuam edhe  në plazh. Më krijuan një ambient, që ato sekuenca i ruaj sot si kartolina në kujtesën time.

Të nesërmen,  më rezervoi të shkonim edhe tek Instituti e Shkodrës, ku Profesor Kastrati ishte një prej themeluesve të këtij Instituti, i cili shumë shpejt u shndërrua në Universitet.

E vizitoja për herë të parë  këtë institut. Qëndruam disi gjatë në ato korridore, i shoqëruar nga kujtimet dhe përpjekjet e prof Jupit, për pengesat që kishin patuar me studentët, për shkak të mungesë tekstesh,mjetesh mësimore, si edhe vështirësitë që ai  kishte hasur në punën e tij shkencore,ku në atë vite katedrat shkencore, nuk kishin as mjet për regjistrime, as video, për transkriptime, por ishin të pajisur vetëm me tekste, fletore dhe  laps. Ai ishte edhe Përgjegjësi i Katedrës Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, dhe ishte i pari që kishte futur  lëndën e Historisë së albanologjisë,si degë e Universitetit.

 

At Bellusci e prof Kastarati në një festë mbi promovimin e librit të prof Jupit

Gjatë qëndrimit tim në  Shkodër shkova me Prof Jupin në një fshat afër Shkodrës në një familje ku do të regjistroja këngë të hershme, si edhe  për kostumin tradicional të zonës së Zadrimës. Kaluam një ditë plot informacione por edhe ato momente  si dy miq të vjetër ku koha rrjedh, kujtimet ngelen, e shpirti shërohet.

Shumë emocionuese ishte promovimi i veprës së tij Historia e Albanologjisë(1497-1853). Isha atje dhe mora pjesë. Është një vepër kolosale. Ka diçka në veprat e mikut tim Jupi, sepse të gjitha janë të fuqishme, janë shkencore, janë monumentale. Kujtoj që më bëri edhe një dedikim. E ruaj në bibliotekë. Janë shenja që nuk i fshin asnjë kohë. Do të rrojnë me gjuhën, sepse  gjuha arbërore nuk vdes kurrë!  Dua të shtoj që në bibliotekë ruaj edhe “Historia e Gramatologjisë shqiptare 1635-1944”

Ç`mund të na thoni për veprën e profesorit Jup kastrati lidhur me botën arbëreshe?

Në punën  e tij të madh shkencor vepra e prof Jupit mund ta konsideroj  si ai atomi që brenda ka protonet dhe elektronet.  Botimet e tij shkencore mbi botën arbëreshe ishin ato elektronet e lira që fluturonin mbi Arbëri dhe përqendroheshin tek De Rada.

Bota arbëreshe e tërhiqte si një cicrce drejt vëllezërve të të njëjtit gjak,

Kur e takova në vitin 1981,Prof Kastrati i pak vite më parë më 1979, kishte shkruar  Studime mbi De Raden, dhe  shkroi edhe më vonë shumë për të, por ajo që më bëri me krah dhe u gëzova tej mase ishte “Veprat historiko – filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës”, botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe kur e pash këtë libër mbi tavolinë për një çast mu kujtua “Tavolina e tij e punës”plot dorëshkrime, copëza letre, dhe  për një moment ato shkronja mu shndërruan në sytë e tij  të lodhur, por që kurrë nuk humbën dritën.

At Belluschi dhe një grup nga Kuvendi Ilir.

E shfletova, këtë epope deradiane  e në mendjen time  mendova: Kjo është një komedi hyjnore  për De Radën. Ishte një vepër gjigante, një vepër e ndarë në  aspektin: “Vepra historiko-gjuhësore”, “Vepra historiko-letrare”, “Profile historiko-letrare”,  në “Vepra historike, publicistike, politike” raporte korrespondenca, “Epistolar” të De Radës. Në këtë vepër ku janë ndërthurur dhe radhitur kërkimet e tij  historike,gjuhësore, por më tepër si një publicist i gjithanshëm, ku ajo bashkësi fjalësh, mendimi, kërkimi shkencor lidhen në mënyre organike, e jo vetëm,  por penetron edhe një  stil artistik, sepse kur lexon, disa pjesë duken herë si poezi e herë si prozë.

Studimet e tij  mbi botën arbëreshe e kthyen profesor Jup Kastrati në një historian,sepse autorët arbëresh i shtjelloi në kushtet historike, Prof Kastrati demonstroi që është një letrar ku hulumtoi  studime edhe mbi letërsinë arbëreshe,një  etnograf, sepse preku studime mbi kulturën dhe folklorin arbëresh,  hartues i një fjalor, regjistori një toponomastikë arbëreshe  dhe së fundmi  edhe një monografist .

Ç’farë do ti shtonit kësaj interviste të shkurtër?

Dua të shtoj se në këtë 100 vjetorin e tij edhe pse ai nuk është fizikisht midis nesh, ka lënë veprën e tij gjigante, por ka lënë edhe të bijën e tij, Diana Kastrati, e cila po ecën në gjurmët e të atit,  që mbështet e  mbron botën arbëreshe, me të cilën u ushqye që e vogël, nga ambient ku bota arbëreshe nuk mungoi kurrë.

Me siguri që miku im Jupi nga lart është i kënaqur për zgjedhjen e saj si mbështetëse e botës arbëreshe. Me sa kam parë dhe vënë në dijeni, është një “bilëz” që punën, me vendosmëri, me këmbënguljen, dhe ka një detyrë tej mase të vështirë për momentet që po kalon sot Arbëria.

Është drejtoreshë e një ambienti të një Arbërie  jo të rehatshme, të një Arbërie që po lëngon, që po vuan. Të një Arbërie  që është abuzuar!

Uroj që forcat e saj  të shkjonë në atë drejtim që  shkuan energjitë e të atit,e  personalisht  kam shpresë që duke mbështetur njëri tjetrin, bota arbëreshe dhe bota shqiptare, duke qenë një Arbëri e bashkuar, mendoj se edhe arbëreshi  do të rikëmbët.

Amaneti im është Mos harroni gjuhën!

Mendoj  se ky është edhe amaneti i mikut tim Jupit, e të gjithë atyre profesorëve që shkrinë energji për gjuhën dhe botën arbëreshe.

Po humbëm gjuhën nuk ka më Arbëri!

I paharruar jeta dhe vepra e mikut tim, vëllait tim, profesorit shumë dimensional, euridistit Jup Kastratit.