“Shpirti Arbëresh” nga Qana apo Corzeto, kultivues i denjë i trashëgimisë arbërore  

Grupi “Shpirti Arbëresh” nga Qana ( it. Corzeto) i themeluar më 2010 hynë në radhën e grupeve të shquara në Kalabri, i përbërë nga gra e burra që magjepsin me lojë, këngë e kostume kombëtare. Grupin kam pas rastin ta përcjelli nga afër në disa manifestime, siç ishte Festa e Pashkëve në vendlindjen e poetit Jul Variboba në Mbuzati si dhe në Festën “Vëllazëria” në Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia), një ngjarje kjo kulturore ku mbretëroi kënga, loja dhe bukuria arbëreshe.  

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Vet katundi ku u themelua dhe vepron për më tepër se një dekadë Grupi artistik “Shpirti arbëresh” është një bashkësi arbëreshe në krahinën e Kozencës, në luginën e Kratit të Mesëm. Qana apo it. Cerzeto , është një fshat i vendosur në lartësi mbi 500 metra nga niveli i detit dhe me një largësi prej 38 kilometrash nga qyteti i Kozencës. I populluar nga arbëreshët nga viti 1478 dhe bashkë me Kajvericin kanë rreth 2 mijë banorë. Qana ka dhënë burra të shquar arbëresh si: Sepe Petrasi , poet si dhe patrioti Llixhi Metrasi , që të dy nga shekulli i 19. Po nga ky fshat është edhe Karmel Kandreva një nga poetët arbëresh, autor i tri vëllimeve poetike me titull: “Shpirti i arbrit rron” por edhe i studimeve e sprovave didaktike për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat arbëreshe të Italisë

Do kujtuar se në Qanë ruhet shumë mirë gjuha arbëreshe dhe traditat tjera kulturore. Ndërsa sa i përket grupi “Shpirti arbëresh”, kam pas rastin  ta përcjelli nga afër në disa manifestime. Ky grup me plotë madhështi e origjinalitet ka përcjell këngën dhe vallen arbëreshe edhe gjatë vizitave në Shqipëri e Kosovë.

Në njërin nga librat e tij profesor doktor Bexhet Asani, duke i bërë një vështrim punës dhe veprimtarisë së këtij grupi, ndër të tjera përkujton se:  Grupi i kërkimeve Etno-muzikore “Shpirti arbëresh” lindi si një kërkesë, thjesht në mënyrë spontane, por në të njëjtën kohë, të thellë, sepse rrjedh prej rrënjëve tona më arkaike. Prej kohësh, e kishim ndjerë që të theksohej me zë të lartë ekzistenca e të qenurit arbëresh, në rendje të evidentimit apo të hulumtimit të pjesëve nga këngë të kënduara me vështirësi, duke mos mbajtur mend tekstet ose duke folur për veshje të mrekullueshme që legjenda dëshironte t’i mbante të fshehura nëpër valixhe. Në këtë mënyrë, në verën e vitit 2010, të ndihmuar nga entuziazmi i administratës bashkiake të re dhe rinore, e gjitha kjo që ishte një dëshirë e pakonkretizuar kurrë, të shndërrohet në një takim të parë, që duke i përfshirë të gjithë, të cilët dëshironin të ishin pjesë e tij, që në fillim të një projekti, i cili krijohet si: “ Shpirti arbëresh“, që, në mënyrë letrare i korrespondon përkatësisht Shpirti i shqiptarëve të Italisë”.

 (Fotot i kam shkrep në  Mbuzati, vendlindjen e poetit Jul Variboba dhe në Kazallveqi, gjatë dy ngjarjeve )