ZVOGËLOJ APO PAKËSOJ  

Edhe pse foljet “zvogëloj” dhe “pakësoj” për nga kuptimi mund të duken të njëjta, ato ndryshojnë shumë në mes tyre. Nuk është vështirë të dallohet njëra nga tjetra, nga se “zvogëloj” dhe “zmadhoj” përdoren për të shprehur PËRMASA FIZIKE; ndërkaq foljet “pakësoj” dhe “shumoj”përdoren për të shprehur SASI (VËLLIM).

 Nga Sami Islami, Londër

Për ta vërejtur këtë gabim konkretisht le t’i marrim disa shembuj: “Zvogëlohen trupat amerikane në Evropë”, “ Një grup senatorësh amerikanë i propozoi Kongresit që të zvogëlohet numri i ushtarëve në Evropën Perëndimore “, “Zvogëlohet numri i dëftesave të “gastarbajterëve” (“Rilindja”, 8 shkurt 1988, f. 20) etj.

Folja ZVOGËLOJ, pra, përdoret për të shprehur, siç thamë, përmasa, si: diçka që bëhet më e vogël, që zvogëlohet, ngushtohet, shkurtohet; e kundërta ZMADHOJ, RRIT, ZGJEROJ, si p.sh. “ i zvogëluan dritaret” (ishin më të mëdha i bënë më të vogla); “e zvogëloi hapin, shpejtësinë, trikon” etj.

Ndërsa folja PAKËSOJ përdoret për të shprehur sasinë (vëllimin e diçkaje, si “ U pakësua importi”, “Janë pakësuar shpenzimet”, “Ishte pakësuar uji”, ose p.sh “Pakësohet numri i të sëmurëve” , “Janë pakësuar rastet e fatkeqësive”; por edhe: “iu pakësuan dhembjet! “ iu pakësua oreksi”, “u pakësua shiu, era, bora”, ” etj.

Në bazë të kësaj çka u tha deri këtu mund të konstatojmë se shembujt që i morëm në shqyrtim do të duhej të ishin: “Pakësohen ( e jo zvogëlohen) trupat amerikane në Evropë”, ose “ Një grup senatorësh amerikanë i propozoi Kongresit që të pakësohet numri i ushtarëve në Evropën Perëndimore ( e jo: …të zvogëlohet numri i ushtarëve). Pakësohet numri i dëftesave ( e jo zvogëlohet…) . “ U pakësua importi” ( e jo u zvogëlua importi), “U pakësuan shpenzimet (e jo u zvogëluan shpenzimet), “U pakësua sasia e ujit” , por kur është fjala e nivelit të ujit , p.sh në bazene, pishina, liqene, detëra (batica ose zbatica) thuhet “U zvogëlua niveli i ujit”. etj.