Zgjedhja që çon te zgjidhja

Shkolla dhe puna e vendosin statusin që kanë emigrantët në shoqëri. Një shoqatë i ndihmon ata të bëjnë zgjedhjen e duhur. Për më shumë – falas. Nëse është nevoja, edhe në shqip.

Kujtim SHABANI

Një shoqatë, një projekt, një këshilltare, tre anëtarë kryesie dhe treqind raste në tre vjet. “Starke Eltern – Starke Jugend”* zë fill para pesë vjetësh. Nga 2017-ta shoqata e ushtron aktivitetin e saj në zyrat e veta në Zürich. Giuliana Lamberti, udhëheqëse e projektit dhe bashkëthemeluese e shoqatës, i këshillon prindërit si t’i përcjellin fëmijët e tyre më së miri në kalimin nga shkolla në botën profesionale. Ajo angazhohet t’u ofrojë një zgjidhje atyre që nuk kanë gjetur një zanat, apo shkollë në mbarim të njërit cikël. Sikur që u jep informacionin e nevojshëm se ku duhet të drejtohen për ndihmë në rast vështirësish gjatë zanatit. “Shkolla dhe profesioni”, janë kryefjalët e Lambertit.

Një projekt, një shoqatë

Nuk ka asnjë dyshim: “Prindër të fortë – Rini e fortë” angazhohet për integrimin e të rinjve në jetën profesionale. “Qëllimi ynë është thjesht integrimi në shoqërinë zvicerane”, i bie shkurt Lamberti. Ajo kishte 20 vjet që merrej me të rinjtë në fazën e kapërcimit nga shkolla në zanat, si kryetare e zyrës për të rinj “Job Shop/Info Shop”. Giuliana Lamberti fillimisht e ka kryer një shkollim për administratë. Formimin e saj profesional e plotësojnë pastaj kualifikimet në fushën e kompetencave transkulturore, ato për drejtim të shoqatave jofitimprurëse dhe mësimdhënie për të rritur. Ajo bashkëbisedon në italisht, në gjermanisht dhe në frëngjisht.

Projekti për forcimin e të rinjve nëpërmjet forcimit të prindërve ofron shërbimet e tij në çdo gjuhë që klienti e kupton më së miri. Për orët e konsultimit këshilltarja angazhon përkthyes. Për më tepër, këshillimet janë falas. “Klienti nuk paguan asgjë”, siguron Lamberti. Për financimin e projektit janë ofruar disa fondacione. Sponsori kryesor i tij është Departamenti Social i Qytetit të Zürichut. “Jemi të siguruar njëherë për vitet që vijnë”, raporton me kënaqësi udhëheqësja e projektit. Ajo deri më tani ka shërbyer rreth 300 raste, përkatësisht familje. Këshillimet e një prindi dhe të fëmijës regjistrohen si një rast. Çdo rast do mesatarisht dy seanca. “Raste të veçanta duan shtatë-tetë të tilla”.

Giuliana Lamberti, drejtore e projektit S.E.S.J.

Ka vetëm një kusht për t’u konsideruar dhe këshilluar në shoqatën “Starke Eltern – Starke Jugend”: Kandidatët duhet të jenë nga qyteti ose kantoni i Zürichut. Të tjerat, shpjegon drejtoresha e projektit, shkojnë në mënyrë krejt joburokratike. “Merr në telefon, lë një takim dhe vjen. Kaq!” Ajo pohon: “Jemi e vetmja zyrë e tillë në këtë fushë”. Lamberti thotë se ka klientë nga 25-30 vende të ndryshme të botës. Shumica e tyre vijnë nga vendet e Amerikës Latine, nga Italia, nga Spanja… Ka edhe shqiptarë. Sigurisht! Nga të gjitha viset prej nga vijnë shqiptarët në Zvicër. “Ata i kanë të njëjtat shqetësime, sikur të tjerët”, pohon Giuliana Lamberti.

Një përvojë shqiptare

Sh. Kodra** ka pasur disa këshillime me Giuliana Lambertin. Përgjatë dy-tre muajve të vitit të kaluar ato janë takuar dy-tri herë në ambientet e shoqatës. “Kurse nëpërmjet telefonit kemi komunikuar shumë shpesh”, dëshmon ajo. Zonja Kodra e kishte hallin e të birit, i cili e kishte humbur fokusin, rrezikonte ta humbiste zanatin që e kishte gjetur dhe ta flijonte një vit të tërë. Paralelisht me Lambertin është këshilluar – në zyrë dhe nëpërmjet telefonit – edhe i biri. Nga njëra anë, nëna ka ndërmjetësuar në mes të të birit dhe Lambertit. Në anën tjetër, Lamberti ka ndërmjetësuar në mes të nënës dhe të birit. Nuk i thonë kot: “Prindër të fortë – Rini e fortë”!

Zonjën Lamberti ia kishte rekomanduar nënës së merakosur vetë punëdhënësi i të birit, tek po shihte sesi shkonin dëm energjia e një të riu dhe përpjekjet e prindërve. “Ajo ka qenë një mbështetje e madhe për mua!”, shprehet Kodra. Informacionet e vyera që ka marrë për orientimin e të birit kanë qenë edhe një kurajë për të. Si përfundim, i biri e kishte braktisur zanatin, por arrin të gjejë një tjetër dhe pa e humbur një vit. Lamberti e definon suksesin kështu: “Ne jemi të lumtur kur kandidati ndahet nga ne i informuar për mundësitë që ekzistojnë”. Kurse zonja Kodra është ende në komunikim me të. Tani për vajzën, e cila ka shkuar mirë me mësime dhe kërkon një perspektivë tjetër.

Kufizimet dhe mundësitë

“Shqiptarët gjithsesi e përbëjnë pakicën e klientëve tanë”, konstaton Giuliana Lamberti. Osman Osmani, bashkëthemelues dhe anëtar i kryesisë së shoqatës “Starke Eltern – Starke Jugend”, e mbështet këtë të dhënë: “Shqiptarët, duke mos qenë mirë të organizuar, nuk janë as mirë të informuar për ofertat dhe shërbimet e dobishme që ekzistojnë në Zvicër”. Osmani, me një sfond profesional interdisiplinar dhe përvojë të bujshme pune në Zvicër me emigracionin, sidomos me shqiptarët, e di: “Nga një orientim i mirë i komunitetit do të përfitonin të gjithë, do të përparonte cilësia e jetës në të gjitha aspektet”. Ai i levërdis, si emigrantëve, ashtu edhe shoqërisë zvicerane, në tërësi.

Osman Osmani, anëtar kryesise i Shoqatës S.E.S.J.

Sipas Osman Osmanit, “komuniteti duhet të informohet patjetër për të drejtat e tij, pasi detyrimet që ka i kryen, deshi apo nuk deshi”. Të drejtat janë ato, të cilat duhen kërkuar dhe shfrytëzuar. Dhe, “Zvicra e ka një traditë të gjatë dhe pozitive të krijimit të grupeve vetëndihmuese”. Motivi i angazhimit të Osmanit në shoqatën “Prindër të fortë – Rini e fortë”, me një fjalë, është sensibilizimi i prindërve për disavantazhet që ka modeli zviceran i shkollimit, por edhe për mundësitë e shumta që ofron ai. Si dhe për shërbimet që ekzistojnë për ta kapur hapin kur ke dështuar në një segment të rrugës së shkollimit dhe aftësimit profesional.

Përmbledhtazi, “Starke Eltern – Starke Jugend” u bën derman atyre që nuk gjejnë zanat, apo që për çfarëdo arsyeje e kanë ndërprerë atë; atyre që duan t’i njohin mundësitë për zgjedhjen e shkollës, apo të profesionit; atyre që duan të informohen për sistemin shkollor dhe profesional zviceran; atyre që duan të informohen se ku mund të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje edhe për probleme të ngjashme. Lamberti thotë se hapësirat e shoqatës lejojnë kuvendimin pa asnjë vështirësi të dy-tre vetave. Se mund të sigurohen distancat e kërkuara fizike, ka maska dhe dezinfektues… Kurse, në rast frike, këshillimi mund të zhvillohet edhe nëpërmjet telefonit.

* Prindër të fortë – Rini e fortë.
** Emri i vërtetë është i njohur për redaksinë.

 

Verein S.E.S.J.
Weberstrasse 21
8004 Zürich

044 242 27 27
www.sesj.ch