Zangarona apo Xingarona, ngulim arbëresh që ka harruar shqipen  

Si çdo të hëne edhe këtë fillim javë me një fshat arbëresh. Kësaj radhe me katundin Zangarona apo në gjuhën arbëreshe: Xingarona, ishte po ashtu cak i vizitës sime të fundit më Më 21 Gusht 2021. – Ky është një ngulim arbëresh në krahinën e Catancaros që ka vetëm disa qindra banorë e që gjendet rreth 550 me mbi nivelin e detit, si pjesë e komunës Lamezia Termo, ku edhe ndodhët aeroporti më jugor i Italisë.- Nga Lamzia e deri në qendër të këtij lokaliteti lypsen 5-6 kilometra duke bërë një rrugëtim gjarpëror.

 Nga Rexhep Rifati, me foto autoriale

Aktualisht, mësojmë se shqipja këtu shumë rrallë flitet, ndërsa që edhe vet riti ortodoksë ka humbur ndër shekuj. Gjatë vizitës nga qendra dhe në lagje shumë pak banorë arritëm të takojmë, pasi pjesa dërmuese e rinisë ka migruar në pjesët më të zhvilluara të vendit. Ajo që e karakterizon këtë vendbanim është vetë qendra historike dhe prania e shtëpive që kanë ruajtur origjinalitetin e tyre, por që nuk i janë nënshtruar mirëmbajtjes, prandaj ato janë në gjendje mjaft të vështirë, pasi që ju përgjatë rrugëve të ngushta mund të shihni ballkone të vogla që hapen nëpër shtëpi të vogla, por edhe objekte në rrënim e sipër.

Historikisht Zangarona ka origjinë arbëreshe dhe është një nga qendrat më të vjetra arbëreshe në provincën e Catanzaros dhe si dëshmi më e mirë për këtë janë toponimet dygjuhëshe që hasëm gjatë vizitës sonë, ca nga të cilat edhe i kapëm me objektivin tonë. Një mbishkrim të tillë e hasëm edhe në ballinën e kishës argjendarike të Zangaronës kushtuar Santa Maria delle Grazies, apo: Klisha Kryepriftërore Shumbëria dhe Graxjevet.  

Me të njëjtin emër quhet edhe vet sheshi apo Piazza “Santa Maria delle Grazie” ( Sheshi Shumbëria dhe Graxjevet) , që siç mësuam nga një shkrim dikur quhej Piazza Romagna dhe madje edhe para Piazza Zangarona, më 2 korrik 2016, me kërkesë të famullitarit Don Carlo Ragozzino, u përurua me këtë emër me rastin e katërqind vjetorit të konstruksionit të kishës së Madonna delle Grazie. Pra në shesh ka një mbishkrim në arbërishte të emrit të sheshit. Ndërsa që edhe rrugët janë shkruar në dy gjuhë. Ata ruajnë kostumet tradicionale dhe këngët arbëreshe. Në vitet ’70, në Zangarona flitej shqip. Sidoqoftë është një komunitet shqiptar në të gjitha aspektet, pavarësisht  faktit se gjuha e folur thuajse ka humbur. Më e rëndësishmja është ky rreth i lezetshëm i bregdetit Lametian është i lidhur fort me kulturën shqiptare nga e cila trashëgoi edhe emrin.

Ndërsa nga libri i porsabotuar : “Rrugëtim në ngujimet arbëreshe”, të autorëve Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka, mësojmë se: “pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe me pushtimin osman, erdhën emigrantë të tjerë nga territori i Shqipërisë e i Moresë dhe u vendosën në Zangarona. Në ditët e para, shqiptarët nuk u  panë me sy të mirë nga popullsia vendase dhe termi i tyre “ciganë” bart konotacion poshtërues. Me kalimin e kohës, ky paragjykim u tejkalua dhe arbëreshët u integruan plotësisht në Xingarona”.

Një karakteristikë tjetër për këtë fshat është se në: Agimin e shekullit të 16-të, strehoi hebrenjtë e dëbuar nga qyteti i Nicastrese pas Ediktit të madh. Këta u vendosën rrëzë rrethit, duke i dhënë shkas lagjes e cila edhe sot njihet si “Judeca”.

Edhe gjatë kësaj vizite si edhe në të gjitha vizitat e mija të fundit në mesin e ngulimeve arbëreshe kam qenë i shoqëruar nga profesor Michele Greco, ndaj edhe e falënderoj edhe me këtë rast.