Xhemail Ali Peci: “Liria i prinë popullit” – recension

Xhemail Ali Peci: Pena e Bedri Tahirit në mes të kronikave të Mihal Gramenos dhe pikturës së Delakroas: “Liria i prinë popullit”

Bedri Tahiri me Penën e Tij ka Nderuar të gjithë Ata që janë Flijuar në Altarin e Atdhedashurisë, dhe duke Nderuar Ata, Ai e ka Nderuar Ardhmërinë Tonë, sepse Ai është Njeriu i Urtë e Profesori Largpamës, Kronisti i së Djeshmes dhe Vizionari i së Ardhmes, në Fjalën e të Cilit gjejmë Atdhedashuri dhe Bujari, Trimëri dhe Mençuri, gjejmë njëkohësisht Hilë Mosin dhe Mihal Gramenon me kronikat e tyre, sepse Dhuntia e Natyrës ia ka falur Ndjenjën për të Nderuar Breznitë Orëmira, të Cilave, Ai-BEDRI TAHIRI: U Falet Përjetësisht, duke u Përkulur me Krenari dhe me po aq Madhështi, përpara Mermerit Më Monumental, të Pagëzuar Shekujve të Lirisë Sonë, aq Shumë të Ëndërruar: ADEM JASHARI – LEGJENDË E LEGJENDAVE

 

 Nga Xhemail Ali PECI, Recension 

Me penën e tij të mprehtë, duke i skalitur në mermerin monumental të magjisë së fjalës shqipe që si himn i zjarrtë nderon Martirët e Lirisë, me kronikat e zërit të zemrës për të gjithë ata që me Gjakun e tyre të njomë e të kulluar iu falën Përjetësisë, me përshkrimet e tij të holla të përjetimeve dhe të tabllove të luftës, Bedri Tahiri m’i kujton Kronikat e Kryengritjes Shqiptare të Mihal Gramenos, si dhe tablon e Delakroas: “Liria i prinë popullit”.

Në mënyrë të veçantë, Bedri Tahiri ma kujton Klithjen e Njohur të Mihal Gramenos se: “Shqipërinë e bëri opinga”! E bënë pra Idealistët Zemërzjarrtë, Familjet e Mëdha-këto Emblema të Lirisë sonë, e cila është përgjakur aq shumë.

Duke lexuar  Kronikat e Bedri Tahirit për Martirët e Lirisë dhe për Ushtarët dhe Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më kujtohen vargjet prush të Tirteut, i cili frymëzonte djelmëninë e kohës së tij për veprime dhe organizime atdhetare.

Që në hyrje të librit të tij “FLAKADANËT E LIRISË 4”, Bedri Tahiri u ka ngritur një Obelisk të Përjetshëm, të gjithë atyre që kanë rënë fli në Altarin e Lirisë: ”Gjithë atyre që me gjakun e vet skalitën historinë dhe fituan pavdekësinë”.

Në shkrimin, me të cilin edhe hapet ky libër, Heroi që sfidoi historinë, si njohës i mirë e i hollë i letërsisë, i gjeografisë, dhe veçanërisht edhe i historisë, Bedri Tahiri i darovitë retë e errëta të misterit të mitit dhe të historisë, të cilat kishin mjegulluar historinë deri vonë.  Ai i kthehet Betejës së Kosovës të vitit 1389, përshkruan me hollësi historike kampet e luftës, ushtritë e tyre dhe qëllimet e tyre. Aty shpalosen interesa të kryqëzuara të shteteve fqinje e të superfuqisë së kohës, të carëve e të sulltanëve, të cilat mjerisht u shfaqën më 1999, e u zgjatën si hije të zeza mbi Kosovë, mu si atëherë kur:“Zëri i thekshëm i myezinëve çallmëkuq çau heshtjen e agut freskues në Fushën e Mëllenjave. Pas tyre tamtamet e daulleve të mëdha dhe lutjet çoroditëse të dervishëve marroçë. Edhe dy ushtritë ballë për ballë. Në krye kalorësit me krye ngritur lart. Shqipja dykrenare shikonte vëngër gjysmëhënën e zbehur dyllë”. Ky është stili poetik i përshkrimeve të Bedri Tahirit.

Milosh Nikollë Kopiliqi ka therur me thikë Sulltanin në çadrën e tij. Pastaj Miloshin e kanë grirë turqit me thika, copa-copa.  E në luftën e çmendur për pushtet, mbase tipari kryesor i aziatikëve dhe i sllavëve pushtues, Pajaziti ka urdhëruar që të vëllain, Jakupin- ta likuidojnë: “Përdhunshëm ia morën shpirtin, pa zhurmë”.

Heroi që ngritët mbi sfondin e mitit grek dhe që nuk kishte kalin e drunjtë për sulm, por mjeshtërinë dhe atdhetarinë për shtytje e qëllim, Millosh Kopiliqi, bëhet copa-copa: “Trupin e tij, të bërë copё-copë, ia bartën shokët deri në Rezallë”– vazhdon shkrimin e tij Bedri Tahiri, e ushtria turke: “Mllefin hakmarrës e shfreu mbi Drenicën e panënshtruar”.

Po trilli serb nuk mbetet i anashkaluar: “Milica, gruaja e Lazarit, vajzën e vet trembëdhjetëvjeçare, Oliverën, ia dhuroi “haremit të Pajazitit”.

Autori ka vërejtur me hollësi, se në rrjedhën e kohës, dikush e çmitizoi heroin, dhe përmbi tё hodhi aureolën e përhapjes së fesë si marshim të shenjtë, edhe pse ai kishte luftuar kundër atyre që kishin dashur dhe duan edhe sot, e edhe mot: ”Me na zanë hisen e diellit”. Prandaj, konstaton me të drejtë shkrimtari Bedri Tahiri: “As nata pesëqindvjeçare e krra-krrasë, as djallëzitë e ujqërve të stepave, nuk ia dolën mbanë. Heroi ynë mesjetar sfidonte historinë njerkë”.

Ky shkrim, aq i thukët dhe i thelluar në detaje historike, paraqet një kontribut të ri në sfidimin e miteve serbe për Kosovën, prandaj ia vlen të përkthehet e të botohet gjithandej globit ku frymon njerёzia.

Në ciklin e shkrimeve për të bëmat historike të gjithë atyre që rrethimin e çanë përmes grykës së pushkës (Mbijetesë përmes grykëhollave), autori e ngre lart figurën e Bajram Tërnafcit (i cili siç na bën të ditur Bedri Tahiri, i kishte thënë Ceroviqit në Kuvendin e Zhabarit: “Mos kujtoni se në vend të gjakut në dej kemi ujë”), një luftëtar i paepur i Azem Galicës e hero i gjallë tek Epopeja e Arbërisë së Vogël.

Nga degët e kësaj familjeje atdhetare, ka rrjedhur gjak për Atdheun dhe Kombin, në luftë me çetnikë e me pushtuesit e tokave tona. Nga ta pati njerëz që i rropën për së gjalli e pati edhe Lokemadhe, si vajza e Bajram Tërnafcit, Gjyla, e cila i dha atdheut tre djemtë e saj…

Mursel Ahmeti është vigani tjetër, portretin e të cilit na e shpalosë Bedri Tahiri, duke e quajtur atё me të drejtë “Kreshniku i Prekazit”, por edhe duke shfletuar kronikat e të tjerëve: Shkencëtari i njohur anglez Eadham Peococh, duke folur për serbët konstaton: “Hapja serbit derën e shtëpisë e ai të nesërmen ta kërkon gjysmën e saj se është e tij, kurse të pasnesërmen përpiqet të të hedhë jashtë nga dritarja”- nënvizon Bedri Tahiri.

Bedri Tahiri ka vënë përballë thjeshtësinë dhe trimërinë e burrave luftëtarë të Drenicës, përballë mizorisë dhe dhelpërisë së Nikolla Pashiqit, ka vënë përballë dinakërinë e Agmet Zogut dhe atdhetarinë e Azem Bejtë Galicёs e të Mursel Ahmetit gjatë takimit që kishin me tё në Tiranë, e ku krejt çka kërkonin prej tij ishte: ARMË.

Bedri Tahiri ka shumë të drejtë kur na porositë që ta mbajmë mirë mend mësimin e historisë, sepse: “Dora e zezë organizoi helmimin e tij”-të Mursel Ahmetit, prandaj thotë ai: “Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë”.

Xhemë Tërnafci- Sugari i Çetës, është fatosi tjetër i maleve kreshnike, “prijës i urtë e strateg luftarak”, i cili ka luftuar në mbrojtje të shqiptarëve, në  ”Pazar, në Sijenicë, në Rozhajë, në Tutin e deri në Plavë e Bihor”- shkruan Tahiri, i cili nuk e le pa e shpalosur edhe portretin atdhetar të Isuf Rexhë Fazliut, i cili me pushkë në dorë luftoi kudo që e kërkoi trualli që e lindi dhe e rriti. Një ditë: “Mirë Stojani, oficer i UDB-ës, në stacionin e policisë në Dubofc, i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorë puthadorë shqipfolës, e maltretuan aq shumë sa e dërmuan fare…Vdiq më 10. 2. 1981 nga pasojat e torturave të rënda”, nënvizon autori, duke konkluduar se: “Vajti në atë botë me brengën që nuk e pa Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë, ideal ky, për të cilin ai dhe shokët e tij, dhanë shumë”.

Sadri Kapiti është “atdhetar i përbetuar” i brezave që atdhedashurinë e kanë trashëgim, i cili ndonëse i ndodhur, siç vëren Bedri Tahiri, mes “zezonave enveriste” dhe “cerberëve karpatianë”, nuk u dha e nuk u gjunjëzua, edhe kur: “Koha ecte me hapa ujku”, siç shkruan autori. Ai ishte bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës, të cilit nga Shqipëria zemra i rrihte plot shpresë për Kosovën: “Kryet më ka lindur në Kosovë, trupi mu burrërua në Shqipërinë nanë”, por që besonte thellë se një ditë do të vinte liria: “Lum kush ta shikojë e ta gëzojë, more lum miku!”. Me të drejtë Bedri Tahiri, ka kërkuar që hotel “DRENICA” të shpallet “SHTËPI MUZE”!

Vendbanimet rrëzë Qyqavicës, që formojnë krahinëzën etnografike të quajtur Artakoll, të freskuara me ujin bilur të Krojeve të bardha e të mëkuara prore me qumështin dëborë dhe me këngët e bukura të shtojzovalleve belholla, përherë qenë të gatshme për t’u kacafytur me pushtuesit sojzinj që lakmonin dhe synonin vatrat tona”. Kjo është poetika e perlave të penës së Bedri Tahirit, me të cilën ai e fillon shkrimin: Abdullah Haliti-emër që duhet rikujtuar. Ai vinte nga një: “Trung rrënjëthellë”, e luftoi me “çakej e ujqër të batërdisur”, me “cerberët karpatianë” e “bajlozë sypërgjakur”, duke shpërthyer herë-herë si vullkan i pashuar’, e “ tamam racë ilire e malësor i motit”. Epitete si këto, kaq bukur i ka radhitur veç Fishta në “Lahutën e Malëcis”.

Abdullah Brahim Haliti, na kujton Bedri Tahiri me penën e tij të hollë, luftoi: “Flakë për flakë e gjak për gjak” me hordat çetnike, e edhe sot, na thotë ai, nuk i dihet varri, prandaj na le një mesazh prej rilindësi: “Po i harruam ata, kemi harruar historinë, kemi shkelur gjakun e pavdekësisë dhe, mbase, nuk e meritojmë as lirine”.

E “kënga e grykëhollave të tyre liridashëse”,- thekson Bedri Tahiri, jehoi edhe te Zymer Haliti e Bektesh Haliti, të po të njëjtës derë, heroizmi i të cilëve e bën krenar shkrimtarin: “Gjakun nuk e tretë as shiu, as bora, as dheu, as koha. Atë e mban fshehur edhe toka dhe, kur nuk ka dëshmitarë nga bota njerëzore, atë e zbulon edhe ferra!’.

Në pjesën vijuese Qëndresë e pashuar, autori e shprehë shqetësimin e tij me vend se historia na është përsëritur aq shpesh. Ai hyn nëpër dokumentet historike dhe nëpër analet e historisë, ku masakrat dhe djegiet, vrasjet dhe reprezaljet, përsëriten! Plojë e gjak, hakmarrje e kasaphana mbi popullsinë e pafajshme. Varreza të përbashkëta si në Vërncië (34), Zhilivodë (78).

E në gjithë këtë plojë, ngritët në piedestalin e lirisë së Ilirisë, Ruzhdi Abit Hyseni: “Nga kjo derë atdhetare e fisnike”, i cili, siç shkruan Bedri Tahiri, “ra në Altarin e Pavdekësisë”, duke e mbyllur shkrimin me një Himn Atdhetarie, nga fjalët e babe Abitit:”Për hajr o bir plagët e lirisë, për hair diploma e pjekurisë, për hair se u bërë i teti me radhë në Altarin e Lirisë!…Ne jemi mësua që sa here të jetë nevoja të vdesim për Kosovën. Vdekja për lirinë e Kosovës është për ne shpërblimi më i madh, është pavdekësi”.

E përmasave të tilla është edhe familja Hajrizi, në shkrimin ZENEL HAJRIZI– një emër që nuk harrohet, nga “Strofci rrëzëbjeshkor”, “një çerdhe e pashuar e zjarrit liridashës që denbabaden ka qenë djep i atdhetarizmës e i trimërisë”. Edhe kjo familje, e nderuar dhe e ngritur lart nga Bedri Tahiri, na e kujton Laokontin me gjarpërinjtë rreth trupit të tij. Si nëpër legjenda, shtatë dëshmorë dha Familja Hajrizi. Ja, ky është çmimi i lirisë së larë me gjak.

Në pjesën Kurorëzimi i luftërave shekullore, shpaloset figura atdhetare dhe mendja intelektuale e Bahri Haxhës, përballë “cerberëve përtej Tunës”, të cilët siç përkujton Bedri Tahiri me shkrimin e tij, të dielën, mё 2 maj 1999, ishin nisur për në Studime të Vushtrrisë, për të bërë plojën. Profesori bie në Altarin e Lirisë.  E Zemër- Klithja e së bijës, Bahrijes, tingëllon gjithë krenari të ligjshme: “UÇK- ja është shpirti im!”.

Cerberët e stepave kaukaziane, të cilët qëkur u zvarritën këtej Dardaneleve, i patëm mbi kurriz”; “bishat gjakatare serboçetnike”,- shkruan Bedri Tahiri, vrasin vajzat në lule të rinisë, dhe bëjnë plojën mbi Familjen Gërxhaliu.  Ditët e majit u lanë me gjak të njomë shqiptarësh të pafajshëm (shkrimi Maji i Përgjakur).

I veçantë është portreti i Hamdi Sheremetit, i dhënë në shkrimin Snajperisti Sypatrembur, një djalë i pajisur me virtyte e tipare atdhetarie të trashëguara ndër breza. Me gjakun e tyre, shkruan Bedri Tahiri, u lanë gurët e kufirit: ”Ata trima të zgjedhur po ecnin drejt vdekjes pa ia pasur frikën fare…Lulëkuqet kishin çelur nën dëborë…Kënga e snajperit të tij përzihej me këngën e Bilbilit në Shkëlzen…Gjaku i tij i valë ujiti shkrepat e thepisur”.

Stoike del edhe figura e nënës së tij: “Edhe kur ia pata gjetur një vajzë të bukur për nuse, më refuzoi, duke më thënë se nuk martohem pa u çlirua Kosova!…Gjaku i tij i qoftë falë lirisë së Kosovës!”.

E me të drejtë, Bedri Tahiri e ka shprehur shqetësimin, i cili nuk është vetëm i tij: “Vallë a kemi bërë sa duhet për ata që dhanë jetën për LIRI?!!! Sigurisht, jo! Ata meritojnë më shumë…Një shenjë jo e mirë për fatin e ardhmërisë sonë, sepse nuk thuhet kot: Kush nuk e mëson mirë historinë, duhet ta përsërisë vazhdimisht!

Trimi i Gollakut-Rrahman Dini, është atdhetari tjetër që vije në kujtesën tonë përmes penës së Bedri Tahirit. Mё 1921, shkruan Tahiri, “cerberët e përtej Tunës dogjën fshatin dhe vranë e masakruan 530 veta”. Babai i tij, Dini, nënvizon autori, i kishte pështy gjakatarët serbë: ”Jo, nuk dua të më mëshironi ju gjakpirës, se nuk mund të jetoj pa të dashurit e mi, dhe të shpëtojë vetëm unë, sepse nëna shqiptare prapë do të lindë shqiptarë edhe më të mirë se ne”.

Rrahman Dini “i habiste edhe vetë mësimdhënësit”, e kur e deshi koha, “përkundër shëndetit të pamjaftueshëm, fluturonte nga beteja në betejë…ku pyeste mali për erën…Thuhet se trimat nuk vdesin kurrë, kjo është e vërtetë. Ata i merr kënga në krahët e saj dhe fluturojnë bashkë në qiellin e pavdekësisë”.

Bedri Tahiri është një njohës i hollë i çështjeve për të cilat shkruan. Si ligjërues i letërsisë shqipe, padyshim forma më e veçantë e vetëdijes sonë kombëtare, si njohës i historisë, i ngjarjeve dhe i rrjedhave historike, Bedri Tahiri gjithë vëmendjen e përqendron tek kujtesa dhe nderimi i drejtë që duhet bërë historisë: “Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë”…