Xhemail Ali PECI : DRENICA E PUSHKËS DHE E PENËS

 

(Vështrim për librin e Bedri Tahirit, Toponimia e Galicës)

 

Prelud

Pena mëmëdhetare gjithmonë u ngre një himn pushkëve liridashëse, krismave të saj që kumbuan si himne lirie, në mbrojtje të pragut stërgjyshor, prandaj në sfondin e një simbolike të veçantë, Bedri Tahiri bashkon tehun e sëpatës, grykën e pushkës dhe majën e penës. Ai bashkon në sfondin e penës së tij atdhetare, në qëllimin e tyre të shenjtëruar: Ahmet Delinë, Azem Galicën dhe Hasan Prishtinën.

Prandaj, kjo penë e cila e bën mishërimin e së djeshmes me të sotmen dhe gjithsesi edhe me të nesërmen e këtij trualli të larë me gjak fatosash të lirisë, kjo penë e cila përndritë flakët e pushkëve kryengritëse, është gjithë gjakim e frymëzim në shpalim të epikës së një heroizmi që rron ndër shekuj e që përkon aq shumë me atë të eposit të kreshnikëve.

Kjo penë, jo rastësisht, sikur takohet me lahutën për të gdhendur në kujtesë kronikat e ditëve të përgjakshme. Si nëpër mitet dhe legjendat, edhe pena e shkrimtarit dhe studiuesit ndalet tek numri shtatë. E përkushtimi për ta përshkruar Rrethimin e Shtatë të Galicës, nuk ka se si të mos na e përkujtoj përkushtimin e Marin Barletit për ta përshkruar Rrethimin e Shkodrës.

Galica kalon nëpër rrathët e ferrit që ia kanë ngritur hienat grabitqare, por kjo penë që u rri si një sogjetar amshimi kokave krynegritëse të Galicës sy-shqiponjë, dëshmon se Galica, e me të edhe e gjithë Drenica trime, ngjallet herë si feniks prej hiri e herë si salamander prej zjarri:

“Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.

Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike.”

Duke nxjerrë në sfondin e historisë kryetrimat e lirisë së mëmëdheut, Bedri Tahiri dëshmon se nuk shkruan për pupla të buta e as për sallonet mbretërore me shkëlqimin e tyre verbues. Përkundrazi, ai shkruan për fatosat e kombit, për prijësit legjendarë, për udhëheqësit dhe komandantët të cilëve, siç do të thoshte Bajroni për trimat e Sulit, armiku nuk ua pa shpinën kurrë.

Bedri Tahiri është studiuesi dhe kronisti që kujton emrat-emblemë, tek shpalos historitë e tyre. Ai dëshmon për dhembjen e murosur si nëpër mitet dhe legjendat, por në mënyrë të veçantë ai shpreh dashurinë e tij për çdo pëllëmbë të kësaj toke që e lindi dhe e rriti, madje-madje duke shënuar jo vetëm për rrjedhën e krojeve e të burimeve, por edhe për fatin e gurëve të vendlindjes.

Është prandaj e natyrshme të thuhet se ai ka shkelur çdo shteg e ka rrahur çdo rrugë, ka bredhur çdo mal e kodër të vendlindjes, duke mbajtur shënime e duke shpalosu kujtime brezash, në mënyrë që dëshmitë të mbesin jo vetëm përmes asaj që thuhet, por në mënyrë të veçantë edhe nëpërmes asaj që shkruhet.

* * *

Libri i Toponimia e Galicës, i shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit të pandalshëm Bedri Tahiri, nuk është thjesht vetëm një studim për toponiminë e Galicës. Më shumë se kaq, ky libër është një sintezë e një studimi të mirëfilltë nga aspekti gjuhësor, por gjithsesi i shkrirë aq bukur në një me historinë, mitin dhe legjendën. Libri në fjalë është dëshmi e qartë se autori ka shprehur gjakimin dhe dashurinë e tij, përkushtimin dhe krenarinë për Drenicën, duke shkruar se:

“Në qendrën e Dardanisë ilire, gjegjësisht të Kosovës së sotme, shtrihet Drenica heroike. Kjo trevë kreshnikësh, që në antikë njihej me emrin Klaptonik, na e përkujton çdoherë historinë tonë të lavdishme në shekuj.


Ky emër (emri Drenicë lidhet me antroponimin Dren-i) kaq i dashur dhe krenar për ne, gjithmonë ka qenë dhe është tmerr për armiqtë tanë. Sa e sa herë pushtues të ndryshëm provuan ta zhduknin nga faqja e dheut, por i lanë kokat e eshtrat në të. Kjo fole trimash u bë sinonim i rezistencës dhe i qëndresës mbarëshqiptare për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.”

Librit i prinë kapitulli i parë Drenica, ndërsa autori i qaset studimit të tij edhe nga prizmi i përfshirjes administrative të kësaj treve, të përbërë nga 107 fshatra, duke i renditur ato me përpikmëri të veçantë.

Bedri Tahiri duke shkruar kështu për toponiminë, ai dëshmon njëkohësisht edhe për historinë. Ai e bën këtë në një mënyrë sa origjinale po aq edhe simbolike, duke lënë të nënkuptuar faktin se Drenica është e butë si dreni në ëndrrën e saj të bukur për liri, por në qoftë se dikush guxon dhe ia prish këtë ëndërr, Drenica merr gjak në vetull. Nga ky prizëm, ai shpalos të vërtetat historike në pikëpamje kronologjike:

“Sidoqoftë, Drenica në historinë tonë kombëtare, mbetet territor i qëndresës shqiptare, që secilit pushtues i rezistoi me armë në dorë. Që nga Beteja e Kosovës (1389) e deri më sot, nga kjo trevë dolën njerëz që, me pushkë e me penë, luftuan për çlirim, pavarësim e bashkim kombëtar. Kështu në luftën e parë kundër Osmanëve, në Betejën e Kosovës, të qershorit të vitit 1389, trimi drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi (nga Kopiliqi i Skënderajt) do ta plagosë për vdekje sulltan Muratin I.

Edhe në luftën e mëvonshme antiosmane, që e udhëhoqi Austria, morën pjesë shqiptarët. Më 1689, pas Pikolomenit, kishte rreth 6000 shqiptarë, shumica drenicas.

Emri Drenicë ua shtinte frikën të gjithë armiqve me sy lakmitarë. Edhe vetë sulltanin nuk e linte të qetë në Stamboll. Sa e sa fermane u nënshkruan e sa e sa koka pashallarësh u prenë për të, por kot. Tërë Ballkani dhe Europa ishin qetësuar e në Drenicë ende s’kishte pushtet të plotë turk. Edhe atëherë kur provuan ta vënë pushtetin, më 1891, dështuan: Saraji HAMIDIE, midis Llaushës, Polacit e Prekazit, u rrënua plotësisht, ndërsa kajmekami, Kahreman beu, me gjithë nëpunësit e tjerë u dëbuan brenda natës.”

Duke iu referuar më tej hegjemonisë serbe, studiuesi dhe publicisti Bedri Tahiri ka përmendur faktin se: “Pushteti borgjez serb ia kishte dronë kësaj ane aq shumë saqë e quante “vend graizish”, për të përkujtuar tutje edhe eleboratet e rrangallave akademike serbe për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve, në sytë e të cilëve, siç shprehet autori: “Drenica parashikohej si vendi më i rrezikshëm, prej nga duhej larguar masovikisht popullsia (shqiptarët). Vetë mbreti Aleksandër pat propozuar që ky territor të shkatërrohej plotësisht.”

Një kronikë në vete paraqet fakti se në këtë truall jetik kaluan ushtri të egra, por përballë tyre gjithmonë koha nxori trima dhe heronj sypatrembur, të cilët dolën nga gjiri i këtij populli martir, dhe të cilët pena e Bedri Tahirit i kujton me krenari të ligjshme:

“Numri i atyre që luftuan dhe rezistuan kundër pushtuesve turq, austrohungarezë, bullgarë e posaçërisht kundër atyre serbë, është shumë i madh. Nga treva e Drenicës u dalluan: Bejtë Galica, Ahmet Delia, Ramadan Bajraktari, Shaqir Smaka, Azem Bejtë Galica, Shotë Galica, Bekë Galica, Mehmet Delia, Lec Gradica, Zenel Baica, Ilaz Reçaku, Fazli Berani, Bajram e Xhemë Tërnafci, Halit Bajrami, Mehmet Gjeli, Shaban Mangjolli, Shaqir Pirraku etj.”

Në qasjen e tij prej studiuesi të përkushtuar autori përballë lukunisë së çmendur të “sllavokominsitëve çetnikë”, vë amanetin gjithmonë aktual të Azem Bejtë Galicës, se “besë me shka nuk ka”. Përballë besimit që kishte Fadil Hoxha në ta, ai vë sërish mençurinë e përfaqësuar nga plaku Tair Berisha, i cili duke u përballur me Fadil Hoxhën në fshatin Berishë, do t’i rikujtonte atij porosinë e madhe të breznive orëmira: “Mos kij besim te serbët! Gjithmonë na kanë mashtrue e kanë me u mashtrue”.

Duke shpalosur më tej emrat e mermerit monumental të qëndresës heroike dhe duke radhitur hartën e Shqipërisë natyrale, studiuesi Bedri Tahiri e shpalos atdhetarizmin e popullit, atdhetarizëm që si një pe i kuq koinativ e përshkon gjithë historinë e Drenicës trime dhe heroike:

“Brenda muajve janar-shkurt 1945 u bë ploja mbi Drenicë. Gjatë kësaj periudhe të ndërlikuar historike në mesin e shumë të tjerëve u dalluan: Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Ahmat e Rifat Galica, Sadik Lutani, Azem Aruqi, Imer Fazli Radisheva, Ajet Gërguri, Zymer Bajraktari etj.”

Kjo atdhedashuri është shpalosur me mjeshtri në prizmin e kundrimit të historisë edhe përmes faktit se populli është ai që i nxjerr prijësit nga gjiri i vet, kurse janë prijësit atdhetarë – ata që krenarinë për lirinë e vënë përmbi lumturinë, interesat kombëtare përmbi pasurinë dhe interesat personale:

“Nga treva e Drenicës, nga Polaci, ishte edhe familja e Hasan Prishtinës. Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjeve të përgjithshme për Pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë dhe jetën e dha për të mirën e kombit dhe atdheut. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatitën ngritjen e Flamurit në Vlorë.

Dhe, sërish e njëjta gjë. Amaneti i brezave, më mirë se gjetkë, u ruajt pikërisht këtu, në Drenicë. Në hirin e Feniksëve të lirisë u rilind fara jonë çlirimtare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin legjendar, ADEM JASHARIN, e cila kurorëzoi suksesshëm aspiratat tona shekullore, pra solli Dritën e Bardhë, solli L I R I N Ë dhe P A V A R Ë S I N Ë!”

Kapitulli i dytë, i titulluar Galica në faqet e historisë, është gjithashtu një kronikë me përmasa të një poeme të mirëfilltë, në të cilën shpaloset qëndresa epike e galicasve. E gjithë kjo e paraqitur me një prolog kaq të bukur:

“Në vazhdën e luftërave qindvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona, u veçuan disa lokalitete dhe vendbanime për një qëndresë dhe rezistencë të përhershme. Ato, nëpër vite e shekuj, u përballuan rrebesheve dhe stuhive shkatërrimtare e robëruese, për çka bënë emër dhe zunë vend nderi në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.”

“Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.

Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike.”

Studiuesi futet kështu plot pasion edhe tek e kaluara e emrit Galicë, tek origjina e tij, duke dëshmuar sërish përkushtimin dhe seriozitetin në studimin e tij të veçantë, ku vërehet edhe prirja prej historiani të formuar:

“Me patronimin e toponimit të parë, pra me emrin Kolë lidhet edhe vetë emri i Galicës. Kështu në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk, të vitit 1445, si Kalica dhe Kaliça. Edhe në regjistrimin e vitit 1455 del si katund i madh, me 30 shtëpi e me emrin Kalica.”

Bedri Tahiri dëshmohet kështu kështu si studiues me vëmendje të veçantë kushtuar fakteve të rëndësishme, por ai njëkohësisht e dëshmon veten edhe si historian e publicist që nuk lë anash as detaje të tjera, të cilat i shpalos nga thellësia e shekujve dhe tek flet për lashtësinë e vendbanimit Galicës në raport me toponimet që e dëshmojnë vetvetiu një gjë të tillë, siç ishte toponimi Katuni i moçëm:

“Sipas të gjithë rrëfimtarëve, pleq që tashti kanë vajtur në atë botë, si: Vesel Rexhepi-Haxha, Zenel Haxha, Rushit Syla, Vesel Ujkani, Rrahim Shabani etj., të parët e Galicës kanë jetuar afër Sukës së Madhe, në lindje të vendbanimit të sotëm. Mirëpo, meqë aty ishte mal i madh, ujqit i kishin sulmuar disa herë, duke e mbytur edhe një fëmijë, andaj u detyruan të tërhiqen më poshtë, këtu ku janë sot. Vërtet, siç rrëfenin më të moshuarit, një mbrëmje dimri të egër, një vajzë e mitur kishte vajtur për të marrë ujë te Kroni i Çezmës, i cili ishte thellë në bjeshkë, dhe në atë kohë bënte fërfëllizë e madhe dhe atypari kishin kaluar ujqërit dhe e kishin rrëmbyer…Dhe, sot e atë ditë ai vend quhet Katuni i moçëm.”

Nuk ka dyshim se nën petkun e simbolikes, vendin e rrëfimtarëve të djeshëm e zë studiuesi i sotëm, dhe se vendin e vajzës së mitur përballë ujqërve e zë Galica, e gjithsesi edhe Drenica gjatë historisë, e zënë breznitë orëmira për ta shuar etjen e lashtë tek kroi i bekuar i lirisë së ëndërruar aq shumë.

Në mënyrë të veçantë, duke iu qasur toponimit të emrit Galicë, nga prizmi i një studimi krahasimtar, përmenden emra studiuesish shqiptarë dhe të huaj, për të kaluar pastaj tek përkatësia fetare dhe shtrirja gjeografike e fshatit:

“Se galicasit e hershëm, si të gjithë shqiptarët, i përkisnin krishterizmit, dëshmojnë gjurmët e varrezave të vjetra, të cilat ruhen ende mu në varrezat e sotme, me emrat: Vorret e moçme, Vorret e vaktit t’moçëm, Vorret e katolikëve.


Galica kap një sipërfaqe prej 443 h, 41 ari e 62 metra katrorë. Ajo kufizohet me Mikushnicën, Prekazin, Lubovecin, Ashlanin, Taraxhën dhe Dubocin. Ka pozitë të mirë gjeografike dhe strategjike, gjendet në një fushëgropë nga të gjitha anët me male e kodra gjysmë të zhveshura shkëmbore.”

Me theks të veçanta, autori është ndalur tek përkatësia e fisit, duke dëshmuar sërish përkushtimin e tij të veçantë rreth një studimi sa të rrallë po aq edhe origjinal:
“Të gjithë banorët e Galicës i përkasin një barku dhe një fisi, fisit KUÇ…Të këtij fisi janë edhe Prekazi, Tërnafci, Abria, Murga, Lutogllava e Pejës, një pjesë e Tërdecit, një pjesë e Lushtës dhe një pjesë e Mikushnicës, andaj edhe sot e kësaj dite pjesëtarët e këtyre vendbanimeve i ruajnë këto lidhje dhe nuk lidhin krushqi e martesa.”

Pena i ngre më tej një himn pushkës, krismave të saj që kumbuan si himne lirie, në mbrojtje të pragut stërgjyshor, prandaj në sfondin e një simbolike të veçantë, Bedri Tahiri bashkon tehun e sëpatës, grykën e pushkës dhe majën e penës:

“Galica është histori në vete. Sakica e Prekazit e Pushka e Galicës janë të vizatuara në derë të mbretit, – thoshte mulla Brahimi i Polacit. Në fakt, siç dëshmon Mehmet Rukiqi, këtë mendim e kishte thënë Osman Kryshevci në vitin 1954.

Dhe, kishte të drejtë. Vërtet pushka e Galicës nuk pushoi që nga koha e Perandorisë pushtuese otomane. Më 1908 është vrarë Bejtë Galica, në Betejën e njohur kundër Shemsi Pashës, që u zhvillua në afërsi të Deviçit. Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja.

Pra, nga Galica, që atëherë nuk kishte më tepër se njëzet shtëpi, shkuan për të luftuar për të tjerët njëmbëdhjetë veta, prej të cilëve arritën të kthehen vetëm dy (Tahir Shabani e Hajdar Salihu)…”

Kjo penë e cila e bën mishërimin e të djeshmes me të sotmen dhe gjithsesi edhe me të nesërmen e këtij trualli të larë me gjak fatosash të lirisë, ka radhitur pastaj emrat e atyre që mbetën “diku në Karpate”. Kjo penë është gjithë gjakim e frymëzim në shpalim të epikës një heroizmi që rron ndër shekuj e që përkon aq shumë me atë të eposit të kreshnikëve:

“Kurse, që nga viti 1912 e deri më 1924, gjegjësisht 1926, Azem Galica me Nusen e Maleve-Shotë Galicën udhëhoqën çetat çlirimtare në luftërat dhe betejat kundër pushtuesve të ndryshëm: kundër serbëve, kundër austrohungarezëve, kundër bullgarëve dhe sërish kundër serbëve.

Më 15 korrik 1924, me qëllim të shtypjes së rezistencës disavjeçare, ushtria serbe filloi sulmin kundër Arbërisë së Vogël, e cila, që nga fundi i vitit 1923, përfshinte vetëm fshatrat: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.

Beteja qe e përgjakshme. Ushtria dhe xhandërmia serbe pësuan humbje të mëdha. Nga luftëtarët e lirisë u varën pak, por, në shenjë hakmarrjeje u dogjën të tri fshatrat dhe u masakruan mbi 80 veta, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Vetëm në Galicë u vranë 34 veta.”
Bedri Tahiri nuk ka reshtur së shpalosuri faqe lavdie të një historie përplot të bëma heroike, e ku pa dyshim vend ballor zë figura epike e Azem Bejtë Galicës:

“Edhe kryetrimi mori plagë vdektare dhe, më 25 korrik 1924, vajti në përjetësi. Bashkëluftëtarët dhe Shota besnike ia plotësuan dëshirën e tij të fundit, e lëshuan në shpellën e thellë 74 metra në malet e Përçevës të njohur si Çuku që kërcet. Aty qëndroi deri më 1971, kur atdhetari sypatrembur, mësuesi Abdyl Krasniqi nga Drenoci i Vlashit, e nxori dhe e solli në Galicën e tij të dashur. Shota me Plakun e Çetës, Bekë Hysenin e Galicës dhe me ca jetimë kaluan në Shqipëri, për të vazhduar edhe më rezistencën e armatosur, derisa vdiq në mjerim, në Fushë-Krujë, më 4 korrik 1926.”

Pasi ka dhënë në detaje numrin e të vrarëve dhe të plagosurve “të asaj dite” të qëndresës heroike për liri a vdekje në Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë (e ku shquhen emra si: Hys Popova-Popovë, Sadik Rama), apo edhe Hafie Avdiu (5 vjeçare), autori i këtij studimi të veçantë, ka shpalosur në stilin prej publicisti dhe përmes simbolikës së shprehjes, fletë për fletë luftërat që kanë bërë galicasit për liri e tërësi tokësore:

“Galicasit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhanë ndihmesë për çlirimin e vendit. Ata luftuan në Jeni Pazar, në Kolashin, në Artakoll dhe paskëtaj kudo me Brigadën e Shaban Polluzhës. Ata përjetuan edhe masakrën e Tivarit dhe marshimin për në Vërshac dhe Banat. Edhe pas mbarimit të luftës, shumë trima ngelën maleve, duke vazhduar edhe më tutje të mos pajtoheshin me pushtetin e ri, të veshur me lëkurë qengji e që vepronte të shqyente me dhëmbë ujku. Galicasit vazhduan edhe më tutje. Grupe-grupe vajtën edhe në luftërat e Kolashinit, Sanxhakut, Pazarit të i e deri te Rashka.”

Duke nxjerrë në sfondin e historisë kryetrimat e lirisë së mëmëdheut, Bedri Tahiri dëshmon se nuk shkruan për pupla të buta e as për sallonet mbretërore me shkëlqimin e tyre verbues. Përkundrazi, ai shkruan për fatosat e kombit, për prijësit legjendarë, për udhëheqësit dhe komandantët të cilëve, siç do të thoshte Bajroni për trimat e Sulit, armiku nuk ua pa shpinën kurrë. Një nga ata ishte edhe tribunët popullor Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, luftën e të cilëve populli nuk do ta harronte kurrë por do ta vazhdonte me shpresën dhe besimin e pathyer se megjithatë, liria një ditë do të vinte në trojet stërgjyshore të lara me gjakun më të kulluar të bijve dhe bijave të këtij vendi:

“Pas rënies heroike të Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, forcat gjakatare serbosllave u vunë në ndjekjen e të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të atyre që me armë në dorë i kishin kundërshtuar e rezistuar.”

I përmasave të tilla është edhe episodi i kapjes së “27 ballistëve të armatosur në një zgafellë të minierës së magnezitit në Galicë…Atë ditë kobtare, më 9 mars 1945, para tytave të cerberëve karpatianë e panë vdekjen me sy”.

Duke përkujtuar me krenari të ligjshme se “as Reforma agrare nuk pati sukses në Galicë. Kështu, gjatë gjithë historisë së kësaj mortaje të zezë, në Galicë u vendosën vetëm gjashtë kolonistë”, profesori, studiuesi dhe publicist që dëshmon për historinë, e sheh këtë luftë brezash të tërë si vazhdimësi të një ideali, luftë të pareshtur të cilën e bartën mbi supet e tyre shtresa të gjëra të popullsisë:

“As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndruan duarkryq. Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe fromuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”. Në korrik të atij viti, më 18 korrik 1998, në kufirin ndarës shqiptaro-shqiptar, te Rrasa e Zogut, në Padesh, ra edhe dëshmori i parë galicas I UÇK-së, djaloshi sypatrembur, Adem Ramadan Ademi. Ndërkaq, më 2 maj 1999, në Studime të Vushtrrisë ra dëshmori tjetër galicas, profesori Bahri Rexhep Haxha.”

E në shpalim të një historie sa të lavdishme po aq edhe të dhimbshme, histori për të cilën që moti poeti romantik anglez Bajroni kishte shkruar se “në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat”, pena sikur takohet me lahutën për të gdhendur në kujtesë kronikat e ditëve të përgjakshme. Si nëpër mitet dhe legjendat, edhe pena e shkrimtarit dhe studiuesit ndalet tek numri shtatë. E përkushtimi për ta përshkruar Rrethimin e Shtatë të Galicës, nuk ka se si të mos na e përkujtoj përkushtimin e Marin Barletit për ta përshkruar Rrethimin e Shkodrës. Në penën e publicistit Bedri Tahiri, Galica kalon nëpër të shtatë rrathët e një ferri që përmban krime makabre:

“Gjatë kësaj lufte, Galica pësoi shumë. Më 17 mars 1999 e tëra u rrafshua me tokë. Ishte kjo djegia e shtatë e saj gjatë historisë qindravjeçare. Mu për këtë edhe nuk arriti të shtohet shumë popullata e saj dhe thuajse kurrë burrat e saj nuk arritën të mplaken a të vdesin me kokë në jastëk. Popullata u dëbua dhe u degdis gjithandej trojeve shqiptare e në mërgatë, mbetën vetëm burrat dhe luftëtarët e lirisë, të cilët për asnjë çast nuk u larguan nga shkrepat e Arbërisë së pamposhtur. Pos tjerash, Galica lirisë ia fali edhe 18 veta (14 meshkuj e 4 femra) dhe pati 6 të plagosur (Fidaim Ademi, Halim Ademi, Sami Zena, Mexhit Zena, Nexhmedin Tahiri-ky ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte marrë pjesë në thyerjen e kufirit, ku edhe ishte plagosur) e 4 të burgosur (Sejdi Lahu, Ismet Lahu, Mujë Shabani e Fazli Ademi, i cili nga torturat vdiq fill pas daljes në liri).”

Megjithatë, Galica është ringjallur nga hiri i vet, si Feniksi dhe, përkundër vështirësive të shumta, sot gjallon në trojet e veta stërgjyshore.”

Kapitulli vijues (i treti me radhë), titulluar Etnokultura dhe agrokultura, me përshkrimin e detajuar si dhe me përkushtimin e theksuar, sikur shpalos një nga fletët e veprës së Virgjilit Bukoliket dhe Gjeolgjiket, apo edhe atë të Lukrceit Mbi natyrën e sendeve. Bedri Tahiri përshkon me poetikën e penës së tij florën dhe faunën e vendlindjes së tij…

Duke interpretuar domethënien e veçantë të ritit, autori është ndalur edhe tek festat e Shën Gjergjit:

“Sidomos dy fesat e para (Shën Gjergji e Shën Markut-Shmarkut) përcilleshin edhe me rite të ndryshme. Ato dy ditë, njerëzit vesheshin me rrobat më të mira që i kishin dhe nuk punohej fare, veçan nuk lavrohej me qe e me kuaj dhe nuk përdorej gjilpëra, sepse besohej se do të pësonte bagëtia nga helmimi i gjarprinjve.

Për Shën Gjergj zonja e shtëpisë përgatiste një lloj uji magjik a të bekuar, me hithëra, shelgje, gjethe e barëra, ngjashëm me atë në Dhjatën e Vjetër 3500 vjet më parë dhe, ende pa gdhirë, i stërpikte të gjithë anëtarët e familjes në mënyrë që të kenë shëndet të mirë. Ushqimi përgatitej enkas, përshesh me qumësht e misërnike, flija e gjësende të tjera të posaçme.”

Përveç riteve, ai nuk ka lënë pa përmendur as traditën e pasur të kësaj ane, traditë e cila ndërthuret edhe me filozofinë jetësore:

Në pjesën Mikrotoponimia (Pika e orientimit: Ftojtë e Tahirit), në hyrje të së cilës autori ka vënë shënimin: Gjatë hulumtimit disavjeçar në terren arrita të regjistroj 157 toponime, që ndarë në grupe, duken kështu: male e fusha (43), ara (48), kroje e burime (18), rrugë (9), lugje e livadhe (14), kodra (10), dhe varre (15), jepet një kontribut i çmuar jo vetëm për të lënë të shkruar si dëshmi gati-gati çdo gjë që lidhte me Galicën, por në radhë të parë një kontribut me vlera të veçanta gjuhësore.

Pena lartëson sërish pushkën, adhuron zemrat e forta dhe nderon mendjet e urta që rrahën dhe punuan pa reshtur, për lirinë e mëmëdheut.

Drita e penës dhe flaka e pushkës bëhen një dhe se duke qenë i brumosur me një atdhedashuri të tillë, Bedri Tahiri përkulet jo vetëm sikurse në betimet e lashta ilire, përpara lisave shekullorë e përpara gurëve të truallit stërgjyshor.

Ai shkon shumë tej se kaq, sepse ai e ka fatin dhe privilegjin e veçantë, të cilin e hasim rrallë, prandaj është sa kënaqësi po aq edhe krenari ta themi se ia kemi lakmi, sepse Bedri Tahiri në nderimin e tij krejtësisht të veçantë, e vë në praktikë vargun e madh të poetit të himnit kombëtar Aleksandër Stavri Drenova-Asdrenit, i cili u përkujtonte shqiptarëve porosinë e madhe të heronjve dhe dëshmorëve të të gjitha kohëve, porosi aktuale edhe sot e edhe mot: Amanet ju lëmë shpirtat tanë!

Duke lartësuar këta shpirta me veprat e tij të njëpasnjëshme, Bedri Tahiri përkulet jo thjesht para monumenteve të heronjve apo busteve të dëshmorëve, jo përpara statujave por si rrallëkush, ai përkulet përpara shpirtrave të tyre të përjetshëm.

Këtu, edhe qëndron madhështia e një kombi të vogël por me zemër të madhe lirie, tek sheh se si një nga pinjojtë e breznive orëmira, me penën e tij të denjë u thurë kurora lavdie pikërisht atyre të cilët ai ka pagëzuar aq bukur si flakadanë të lirisë, gjaku i të cilëve e bën shumë më të shenjtë atdheun dhe flamurin tonë; emrat e të cilëve ndriçojnë rrugën e lirisë sonë, duke i dhënë kuptim jetës sonë dhe krenarisë sonë të ligjshme prej së qenunit: shqiptarë e bij shqiptarësh….