Vrasjet për nder

Burrat kosovarë, që nuk mbrojtën dot nderin e 20.000 femrave të dhunuara nga forcat fashiste serbe gjatë viteve 98-99, tani po kujtohen se nderi i shkelur, qoftë edhe pas një dyshimi të pavërtetuar, duhet larë me gjak.
Nga Bislim Elshani
Të zhytur në injorancën e tyre shekullore, ata konceptin e nderit e kuptojnë si të dhënë një herë e përgjithmonë, qoftë nga kanuni mesjetar i Lekës, qoftë nga një kanun i shekullit të VII i një profeti arab. Adresimi tek policia si fajtore kujdestare, qoftë nga protestuesit në sheshin Nënë Tereza, qoftë nga politikanët apo analistët, është krejtësisht i gabuar. Mjafton një argument: vrasjet për nder kosovarët i ushtrojnë njësoj, si në terrenin ballkanik të Kosovës, si në një shtet të mbuluar krejtësisht nga kontrolli policor siç është Zvicra. Dhe kjo ka një shpjegim: asnjë polici në botë nuk mund të depërtojë dot në raportet e brendshme familjare. E vetmja roje e jetës së qytetareve, të rinjve e të rejave të familjeve tona, janë ndryshimi radikal i koncepteve tona mbi nderin dhe mbi ligjin. Përkatësisht, duhen hedhur poshtë konceptet kanunore e fetare, qoftë islame, qoftë të krishtera, mbi nderin, dhe duhet krijuar një vetëdije e re mbi qasjen ndaj ligjeve të shtetit, si të padiskutueshme dhe të parelativizueshme nga normat paralele mesjetare.
Si shpjegohet që televizionet kosovare, që për çdo ditë harxhojnë orë të tëra me pallavra të cekëta politike, nuk janë të zonjat që të zhvillojnë ndonjë bisedë profesionale mbi zgjidhjen e kulturuar të konflikteve familjare, siç bëjnë psh. disa televizione të tjera shqiptare, (bie fjala bisedat e njohura në TV-Klan me juristen Eni Çobani). A ka pasur psh. ndonjë emision televiziv, ku burrave kosovarë t’u shpjegohej se ekzistojnë zgjidhje të tilla, si psh. analiza e ADN-së, që heqin çdo dilemë mbi atësinë biologjike për një fëmijë? Dhe që në secilin rast, zgjidhje nuk është vrasja, por ndarja. Në vend të kësaj, TV-të tona preferojnë të ftojnë në biseda imamë kokëshkretë predikimet e të cilëve nuk çojnë askund tjetër pos në krime brenda-familjare. Sepse konceptet e tyre mbi nderin sipas sheriatit, ku gratë dhe fëmijët konsiderohen jo si individë të pavarur, por si pronë e burrit, janë në kontrast dhe në kundërshtim të plotë me konceptet etike moderne dhe me të drejtat dhe liritë e individit, të cilat po i synojmë me aspiratat e shpallura për integrime evropiane. /facebook.com