Pranverë e stërpikur me të bardha
Të bardha
Lulet e pemëve
Të drunjëve
Të gëmushave
Të bardha
Maje malesh
Re të qiellit
Dhe vendbanime
N’largësi e n’lartësi
Zogjtë këndojnë përreth
Për këtë stërpikje bardhësish
Për mirësi e për mbarësi
Me tinguj të bardhë
Sa dhe ky gjelbërim
E kjo kaltërsi
Iu duket e bardhë
Vjelje vere
Po përpiqem të shkruaj ca vargje
Më duket se e gjeta një titull
Për verën që erdhi plot shkëlqim
Dhe me mallëngjim është duke ikur
Mëmëdhe të duam fort edhe
Për mozaikun e mrekullueshëm të stinëve
Veç një grimë e një gram më shumë
Kur toka e qielli ynë po mbushet dallëndyshe
Shije e verës po mbetet në ne
Pak dallëndyshe tash në qiell
Në rrugë më pak njerëz vetura e targa
E volëm verën edhe sivjet
Me urimin e bukur në gjuhën njerëzore
Na priftë e mira dhe e mbara
Pragvjeshte
Në qiell u shtrua një qilim i bardhëllimtë
Paksa i hirtë me ca njolla kaltërsie
Dallëndyshet më s’po lodrojnë
Mbi ballkone banesash
Kjo do të thotë se vjeshta po na vije
Qiell i përzier një shtrojë artistike
Varg varg i lirë, diku dhe me rimë
I këndshëm, i butë, i pastër, i larë
E tund, e shkund e tremb zhyllkaosin
Si dordolec prej kashte diku në një arë…
Borëzim
Fije merimange
Mbështjellur
Me borë
Buzëqeshje e kacavarur
Për degësh gjethedushk
Njëkohësisht dukesh
E brishtë dhe e fortë


















