Libri si dritë në oborrin e dijës dhe fjalët që mbeten rrënjë në shkollë
Sot, në një atmosferë mikpritjeje dhe respekti, vizitova shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Qëndresa” në Qëndresë (Gllarevë). Në hyrje u mirëprita nga drejtori i shkollës zoti Uran Hasanaj, i cili me përzemërsi më uroi mirëseardhje dhe më shoqëroi gjatë gjithë vizitës.
Rrugëtimi filloi me prezantimin e ambienteve të shkollës. Pashë sallat e mësimit, bibliotekën, hapësirat e brendshme dhe oborrin e gjerë të shkollës. Zoti Hasanaj më tregoi me krenari edhe fushat sportive, ku nxënësit e shkollës zhvillojnë aktivitetet e tyre fizike, duke e bërë kështu shkollën jo vetëm vend të dijes, por edhe hapësirë të shëndetshme për zhvillim të gjithanshëm.
Në shenjë respekti dhe përkushtimi ndaj shkollës dhe nxënësve, për bibliotekën e shkollës dhurova disa nga librat e mi. Ndër ta gjendet edhe përkthimi im në gjuhën gjermane i veprës “Kanuni” – “Der Kanun”, një libër i cili bart vlera të mëdha historike, kulturore dhe juridike. Dhurimi i librave kishte për qëllim që të pasurojë fondin e bibliotekës dhe t’u shërbejë nxënësve dhe mësimdhënësve në rrugën e tyre të dijes.
Vizita në shkollën “Qëndresa” ishte një përjetim i veçantë, sepse aty ndjeva jo vetëm frymën e dijes dhe punës së palodhur të mësimdhënësve, por edhe gjallërinë dhe energjinë e brezit të ri.
Në fund, dua të shpreh mirënjohjen time për mësimdhënësit, që me mund e përkushtim mbajnë gjallë shkëndijën e dijes, dhe t’i inkurajoj nxënësit të ndjekin me pasion rrugën e shkollimit. Dija është arma më e fortë që një njeri mund të ketë, dhe shkolla është tempulli ku kjo armë formohet. Shpresoj që librat e dhuruar të jenë një ndihmesë e vogël në këtë rrugëtim të madh.
Një falënderim i posaçëm shkon për drejtorin e shkollës z. Uran Hasanaj, i cili me mikpritjen dhe përkushtimin e tij dëshmon se udhëheqja e një institucioni arsimor është mbi të gjitha një akt dashurie ndaj dijes dhe brezit të ri.
Bardhec Berisha – Bardhi




















