Viti 2022- vit i xhubletës shqiptare në UNESCO!

Shkrimin për futjen e Xhubletës Shqiptare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), që paraqet tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë, po e filloi me një rrëfim nga Thethi, kur një nën mbi të 80- tatë, më shpjegoi se si një xhubletë shekullore ndodhet si relikt në Kullën e Ngujimit dhe se kur do të vdes ajo,  do ta mbulojnë arkivolin me te derisa të kryhet ceremonia e pastaj xhubleta do të kthehet  në kullë për tu shërbyer edhe grave të tjera (!).- Po postoj disa foto nga arkivit im, të shkrepura  në Festivalin mbarëkombëtar “Rapsha” Malësi e Madhe apo edhe në muzetë arbëreshe.-

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Siç dihet botërisht, xhubletë shqiptare, tash e tutje e mbrojtur edhe nga UNESCO, paraqet veshjen më të hershme në trojet tona etnike, diku rreth 4 mijë vjeçare, si dhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë. Në këtë mënyrë tash e tutje Xhubleta është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore.  Nga njoftimet që kam siguruar xhubleta është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, mbi lumin Drin, Nikaj-Mërturi e Rugova, Malësi e Madhe dhe shqiptarë të Malit të Zi, në zonën e Nën Shkodrës deri në Breg të Matit ku malësorët e Malësisë së Madhe kanë zbritur.

Sa i përket formës xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malsorët e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti ,dashurinë dhe thekson bukurinë e femrës malësore.

Gjatë pjesëmarrjes sime nëper festivalet e grupeve artistike sidomos në ato në Festivalin mbarëkombëtar “Rapsha” Malësi e Madhe, kam has në disa grupe që xhubletën e kanë veshjen kryesore femrat e tyre dhe krahas xhubletës kujdes të veçantë i kushtojnë edhe frezuarës së flokëve rregullimi i së cilave ua merr artisteve së paku dy orë para se të dalin në skenë.  Po ashtu modele të xhubletës kam has edhe në disa muze në trojet shqiptare por edhe në Kalabri, sidomos në katundin Vakarici (Vaccarizzo Albanese).