Vezire Gjiraku Mezini, më 1942 mësuese në Prishtinë, që nxënës më të vogël pati Adem Demaçin (7)

 

Rrëfim në vetën e parë: “Kisha një nxënës shumë të mitur, Adem Demaçin, që ndonëse i vogël, ngulte këmbë që ta pranonim në klasë medoemos. Më pas ai më befasoj me zgjuarsinë dhe zellin e tij. Ishte trupvogël, kishte një fytyrë të mbushur, plot shëndet, por qe aq i vogël sa vetëm koka i dilte sipër bangos duke u munduar të mbante një gjysmë lapsi ( sepse lapsat dhe fletoret i ndanim përgjysmë).- Vite më vonë (1991) Ademi vjen e më takon në shtëpi dhe pastaj në vijim sa herë vjen në Shqipëri”.

Nga Rexhep Rifati

Disa fjalë rreth rrugëtimit jetësor të mësueses Vezire Gjiraku Mezini:  Ka lindur në Prishtinë ( Kosovë) në vitin 1922. I ati, Halil Gjiraku, për veprimtari patriotike, u përndoq me burg disa vjet nga regjimi mbretëror serb dhe u detyrua ta lërë vendlindjen së bashku me familjen prej 6 anëtarësh ( gruaja Belgjyzari, dhe katër fëmijë, më i vogli gjashtëmuajsh dhe më i madhi 5 vjeç). Erdhi në Tiranë, ku pas dy muajsh Halili vdiq i sëmurë në spital. Tre fëmijë i strehoi Kryqi i Kuq në Strehën Vorfnore në Tiranë.

Vezirja e kreu shkollën fillore dhe, pastaj Institutin femëror “Nana Mbretëreshë” në Tiranë. Në dhjetor 1942 e emëruan mësuese në Kosovë, në vendlindjen e saj, Prishtinë. Dha mësim në shkollën ” Hasan Prishtina” me drejtor Dervish Bejlerin. Dhe siç përkujtonte, bashkë me te, atëkohë në Kosovë shërbenin shumë mësues nga Tirana, si Reshat Bajraktari, Hasan Dylgjeri, Selman Kasapi, Shaqir Hoti, Agllai Plaku, Petraq Nase, Hysen Kola, Fatime Kola, etj. Natyrisht kishte edhe vendas, si Nimete Kabashi, Vitore Luka, Nica. etj.

Krahas dijes, ushqimi me ndjenja kombëtare

Mësuesja Vezire, në një interviste të më hershme që realizova përmes djalit të saj, Bardhyl Adem Selimit, në vetën e parë flet për disa peripeci të saj në rrugëtimin e saj thuaja se shekullor, nga e edhe shkëputa ca fragmente, si : “Të gjithë e bënin punën me përkushtim, për t´u dhënë nxënësve sa më shumë dije dhe për t´u ushqyer atyre ndjenjën kombëtare, përmes mësimit, këngëve, vjershave, valleve, etj. Edhe pse mjetet mësimore ishin të mangëta, po ashtu orenditë e papërshtatshme për moshën e nxënësve, këta mësonin me zell dhe etje për dije”.

Si ngulte këmbë, Adem Demaçin, ta pranoja medoemos në klasë!

Mësuesja Vezire tregon edhe një histori interesante për Adem Demaçin: “ Kishte raste kur prindërit sillnin në shkollë edhe fëmijë që s´e kishin mbërritur moshën shkollore, duke u lutur t´i pranonim ata. Ëndrrën që s´e patën realizuar prindërit vetë, donin ta realizonin për fëmijët e tyre. Ata prisnin të shihnin në duart e fëmijëve, me padurim, Abetaren e Gjuhës shqipe. Kisha një nxënës shumë të mitur, Adem Demaçin, që ndonëse i vogël, ngulte këmbë që ta pranonim në klasë medoemos. Më pas ai më befasoj me zgjuarsinë dhe zellin e tij. Ishte trupvogël, kishte një fytyrë të mbushur, plot shëndet, por qe aq i vogël sa vetëm koka i dilte sipër bangos duke u munduar të mbante një gjysmë lapsi ( sepse lapsat dhe fletoret i ndanim përgjysmë).

Vite më vonë (1991) Ademi vjen e më takon në shtëpi dhe pastaj në vijim sa herë vjen në Shqipëri. Mbaj mend edhe nxënës të tjerë si gazetari Rashid Krasniqi, që ishte tek unë gjatë krizës së luftës në Kosovë, së bashku me familjen; Hajredin Bytyçin, veprimtar i flaktë për lirinë e Kosovës, vdekur para disa vitesh në Izmir të Turqisë; Zekirja Dibra, etj.

Burgosja në Ferizaj, me Bardhylin dyjavor!

Më tej mësuesja Vezire tregon për pjesëmarrjen në demonstratën e Prishtinës dhe martesën me Adem Selimin si dhe kthimin  e saj në Shqipëri: “ Në maj 1943 u zhvillua një demonstratë e madhe në Prishtinë kundër pushtuesve italianë. Unë, së bashku me shoqen time, Agllai Plaku, gjithashtu mësuese, mbaja flamurin kombëtar në krye të vargut të demonstruesve. Atë kohë u njoha me një të ri kosovar, Adem Selimi, (vdekur më 2001, në mërgim, në Australi ) që sapo pat mbaruar studimet e larta në Zagreb e punonte në zyrën e bujqësisë në Prishtinë. U fejova dhe u martova me të më 1944. Më pas linda një djalë, Bardhylin, i cili u bë mësues sikurse unë. Ademi u bashkua me të gjithë luftëtarët e lirisë që nuk e donin më zgjedhën sllave në Kosovë, por donin bashkimin me atdheun amë. Për ca kohë, dola edhe unë me të në mal, por duke qenë shtatzënë u tërhoqa në fshatin e tij të lindjes, Gllavicë. Dy javë pasi linda djalin, më burgosën në Ferizaj bashkë me foshnjën, për shkak të Ademit. Kur më liruan, mora rrugën për Tiranë, por kjo qe bllokuar, prandaj punova ca kohë mësuese në Prizren, në shkollën ” Bajram Curri”, ku qe drejtor Tajar Hatibi. Kur më kërkuan në organet e punëve të brendshme të Prizrenit që të pajisesha me dokumente jugosllave, nuk pranova, por u nisa drejt Shqipërisë, së bashku me djalin. Si unë, vepruan edhe shumë arsimtarë të tjerë që kishin ardhur në Kosovë, për të shërbyer.

Kërcënimet e diversantëve në Shullaz të Krujës

Më emëruan mësuese në fshatin Shullaz të Krujës. Atje, përveç mësimdhënies, zhvillonim kurse kundër analfabetizmit, luanim pjesë teatrale, etj. Mësimin e zhvilloja në një dhomë të vogël përdhese, pa banka dhe dritë të mjaftueshme. Ajo kishte qenë më parë teqe dhe rreth e përqark saj ishin varret e fshatit. Unë banoja në shtëpinë e Kryetarit të Këshillit, Hysen Tare. Në atë kohë, në fshat hynin herë pas herë diversantë. Një natë, disa syresh, me ballë apo qafë të lidhur me shami të kuqe, me kostume kombëtare, hynë në shtëpinë ku banoja duke thirrur: ku është mësuesja. Madje ata i ranë me tytën e pushkës derës së dhomës ku flija duke më urdhëruar ta hapja derën, sa më parë. S´pata kohë, as të vishesha, vetëm pallton e hodha krahëve. Shkuam në dhomën e miqve. Ishte dimër e bënte ftohtë. Po dridhesha nga frika, nga ndonjë e papritur e keqe, isha vetëm 22 vjeçe… Më kërcënuan se, po t´i vazhdoja veprimtaritë e mija jashtëmësimore, ata do hakmerreshin. “Nuk ke punë me gratë dhe vajzat e fshatit‘, më thanë”!.

Këto ishin vetëm ca rrëfime të shkurtra nga historia e bujshme e mësueses atdhetare Vezire Mezini- Gjiraku e cila ndërroi jetë në Tiranë më 3 Qershor 2018, në moshën 95 vjeçare, duke lënë pas vete fëmijë të shkolluar e edukuar, por edhe një vepër jetësore dedikuar shkollës shqipe dhe kombit përgjithësisht, për tu kurorëzua edhe me dy dekorata: nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 1994 për kontributin e dhënë në arsimin e Kosovës me urdhrin ”Naim Frasheri” klasi I  dhe nga presidentja e Kosovës, me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë, më 28 nëntor 2012 . Por medaljonet më të mëdha, që do të shkëlqejnë përherë janë ato që ruhen në kujtesën e qindra nxënësve që kaluan përmes duarve të saj.

Rrëfim mbresëlënës i Ilirana Mezinit, për ritakimin e  Vezires me Adem Demaçin

Se sa ka ndikim të përhershëm në jetën e njeriut një nënë apo mësuese e devotshme, këtë më së miri e ilustron rrëfimi i Iliriana Mezinit, të bijës së mësueses Vezire,. Ja si e përshkruan ajo takimin pa 46 vjetëve të mësueses me ish- nxënësin e saj, Adem Demaçin pas 46 vjetëve:

Ja se si e përshkruan këtë takim emocional vajza mësueses Vezire -Iliriana Mezini, në një shkrim të saj dërguar mikut tim dhe veprimtarit të shquar me prejardhje nga Ferizaj që jeton në Danimarkë, Ibrahim Xhemaili :

“Isha ne shtëpi me mamin kur ra zilja deres . E hapa derën dhe një burrë i ri në moshë na tha” Po vjen baca Adem”. Unë bacën e kisha takuar ne Prishtine ato dite qe doli nga burgu. I shkova vizite ne shtëpi dhe ai u gëzua qe isha bije e mësueses se tij Vezire. Pra Ademin e njihja.

Therrita mamin dhe ajo erdhi te dera. I shkëlqenin sytë e fytyra nga gëzimi. Ndërkaq Ademi u duk te hyrja dhe me nxitim ngjiste shkallet. Edhe fytyra tij ishte e qeshur, filloi te thërriste me zë te larte” PO KU JE MESUESJA IME E DASHUR”, mami nga lart i thoshte” Mirëserdhe nxënësi im”

U përqafuan me njeri tjetrin dhe së bashku hynë ne shtëpi”.

Dhe, pastaj mësojmë se Adem Demaçi sa herë që shkonte në Tiranë nuk e lente pa takuar mësuesen e tij ideale, e cila në ndërdinë tij qysh si fëmijë mbolli frymën e dashurisë atdhetare. A ka fryt më të mirë për një edukatore e mësuese që të nxjerr nxënës si Adem Demaçin, por a ka kënaqësi për një nxënës se të kishte mësuese një Vezire Gjiraku Mezini ?!  

Kjo mësuese do të ndriçojë si ylli polar mbi qiellin shqiptar, me kujtimin e mirë tek brezat që ngriti, mësoi dhe edukoi. I përjetshëm qoftë kujtimi për mësuesen atdhetare, Vezire Gjiraku Mezini !

Nesër: Mësuesi 97 vjeçar, Abdullah Shabanaj, që shërbeu në Ferizaj, jeton në Elbasan