Lëvizja Vetëvendosje! pas operacionit të ndërmarrë në komunat veriore të Kosovës, nga forcat e njësisë speciale të policisë, ka reaguar duke thënë se veprimi I sotëm, tregon se Kosova ka kapacitete dhe aftësi për të luftuar krimin, por mungojnë urdhërat dhe vullneti politik për të bërë një gjë të tillë.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Lëvizes Vetëvendosje!:
“Kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë, përfshirë këtu pjesën veriore të vendit tonë.
Kjo dëshmon se policia jonë ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhërat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucional.
Komunat në veri të Ibrit janë në Republikën e Kosovës sikurse të gjitha komunat e tjera. Sa më pak që zyrtarët e Serbisë flasin për çështjet e Kosovës aq më shumë paqe dhe siguri për të gjithë do të kemi.
Në anën tjetër, nuk duhet harruar se krim të organizuar e korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri por gjithandej vendit tonë. Edhe komunat në jug të Ibrit janë në shtetin tonë dhe askush nuk bën të jetë mbi ligjin apo jashtë tij.
Të gjithë të arrestuarve duhet t’iu garantohet trajtim ligjor, në ruajtje të dinjitetit njerëzor, dhe, gjyqësi e drejtë, e paanshme dhe profesionale.
Pjesëtarëve të plagosur të policisë sot, u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.”