“VERSER I EXIL – VARGJE NË MËRGIM” LIBËR I FETAH BAHTIRIT SHQIP – SUEDISHT

260

Nga Hysen Ibrahimi 

Sot doli nga shtypi libri i titulluar “VERSER I EXIL – VARGJE NË MËRGIM”, autor Prof. Fetah Bahtiri, botues: Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, që një libër karakteristik me poezi paralelisht në gjuhën shqipe dhe suedeze.

Që në fillim, autori gjen rastin të shprehë falënderimin e sinqertë për Lidhjen e Shkrimtarëve të Suedisë, Qendrën e Shkrimtarëve Väst (Författar centrum Väst) për mbështetjen e përkthimit të këtij libri nga gjuha shqipe në gjuhën suedeze.

Autori falënderon ngrohtësisht edhe përkthyesin e librit, albanalogun e dalluar suedez Ullmar Qvick për përkthimin e poezive të tij.

Falënderimet janë si vijon:

  • Falënderoj shumë Lidhjen e Shkrimtarëve të Suedisë, Qendra e Shkrimtarëve Väst në Göteborg për mbështetjen e përkthimit.
  • Falënderoj përzemërsisht mikun tim të vjetër Ullmar Qvick që i përktheu kaq bukur poezitë e mia nga gjuha shqipe në atë suedeze

Vlen të ceket se zotëri Ullmar Qvick është edhe redaktor i librit.

Kështu, pra, lexuesit suedezë të cilët janë tradicionalisht të shumtë, tani e tutje kanë mundësi që të pajisen edhe me një shkrimtar shqiptar, i cili me poezitë e tij kryesisht i përkushtohet Kosovës, por aty hasim edhe disa vjersha të bukura dhe interesante me motive dashurie.

Nëse duhet ta pormendim ndonjë poezi, atëherë medoemos do t´i veçoja tri prej tyre: ”Aromë shqiptarie”, ”Hyjnori me shall” dhe ”Shpëtimtari i Dardanisë”.

Se si i ka parë e përjetuar këto poezi Ullmar Qvick, përkthyes i tyre dhe redaktor i librit, po e paraqesim këtu pa asnjë ndërhyrje fjalën e tij nga parathënia e librit:

“NË VEND TË PARATHËNIES

Ka qenë një sfidë interesante të interpretosh poezitë e mikut Fetah Bahtiri në suedisht.

Puna me përkthimin e poezive edhe nuk është çështje e lehtë. Një përkthim i fjalëpërfjalshëm është zakonisht i pasuksesshëm, por poezitë duhet të interpretohen sa më afër gjuhës, përmbajtjes dhe qëllimit të autorit sa më shumë që të jetë e mundur. Gjatë 50 vjetëve të përkthimit nga gjuha shqipe unë kurrë nuk kam arritur të të mbetem i qetë. Çdo përkthim i ri është një sfidë e re.

Një interpretim i poezisë shqipe në suedisht do të thotë probleme me dallime të mëdha në shprehje, metafora dhe mentalitetin gjuhësor që ekziston midis dy gjuhëve.

Në punën time unë gjithmonë jam përpjekur të jem besnik ndaj përmbajtjes dhe mesazhit të autorit, por shumë nga interpretimet janë të lira nga zgjedhja e fjalëve të origjinalit. Rezultati është, natyrisht, i pabarabartë.

Mjaft më për këtë problem. Tani unë po hyj në thelbin e këtij teksti: Unë dua të shkruaj diçka për autorin dhe sfondin e shkrimit të tij.

Ajo që e dallon krijimtarinë poetike të Fetah Bahtirit është se zemra e tij është e mbushur me pasionin dhe dashurinë e tij për atdheun – Kosovës. Ai ia hap zemrën lexuesit dhe shpreh krenarinë, pikëllimin dhe shpresat e tij për atdheun   e vet. Një person me zemër dhe emocione që jeton në mërgim ka gjithmonë një problem: mos të mungojë, por tëjetë i pranishëm, jo ​​i largët, por, prapëseprapë i largët. Kjo shkapërderdhje është e dukshme edhe në vargjet e Fetah Bahtirit. Këtu e kemi tërë atë që e ka mbushur jetën e tij me zemërim, neveri, admirim, vlerësim, gëzim, mirënjohje dhe shpresa.

Fetah Bahtiri është shumë i respektuar dhe i dashur për përpjekjet e tij në mërgatën shqiptare në Suedi. Prandaj ka qenë një kënaqësi e veçantë për mua që pata mundësi t´i interpretoj poezitë e tij në gjuhën suedeze. Tani më kanë kaluar rreth 28 vjet prej kur Fetah Bahtiri dhe unë kishim kontaktin e parë, atëherë me telefon. Ai mua më përkushtoi një vëmendje të veçantë duke përpiluar dhe botuar një monografi për mua dhe jetën time. Energjinë të cilën ai e shkriu për të gjetur sa më shumë materiale të përdorshme për librin unë e përjetova si diçka jashtëzakonisht prekëse. Prandaj do të dëshiroja ta kthej këtë dhuratë miqësie përmes këtij përkthimi tim këtu. Unë shpresoj, pra, që ky botim do të japë rezultate në rritjen e mirëkuptimit të mjedisit për problemet dhe gëzimet të cilat përcjellen nga poezitë e këtij libri. Nëse lexuesi, sikur dhe autori, hap zemrën e tij për ato mendime, ndjenja dhe mesazhe të përcjella nga Fetah Bahtiri, atëherë kjo do ta rrisë mirëkuptimin për një vend dhe një popull që ka kaluar nëpër një fat krejtësisht të ndryshëm nga Suedia.

Norrköping, shkurt 2020.

Ullmar Qvick,
Redaktor dhe përkthyes i librit”.

Autorit i dëshirojmë suksese të reja në krijimtarinë e tij letrare me vlera të larta, duke thënë se ndryshe nga poetët tjerë, Prof. Fetah Bahtiri, në poezinë e tij atdhetare, para se gjithash në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij, krijon poezi që njeh tematikën dhe origjinën kombëtare shqiptare. Duke i vlerësuar në këtë nivel, edhe nga poetë suedez, me shumë të drejtë janë përkthyer nga Lidhja e Shkrimtarëve të Suedisë, Qendra e Shkrimtarëve Väst në Göteborg-Suedi. Ndaj, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, falënderon sinqerisht Lidhjen e Shkrimtarëve të Suedisë, Qendra e Shkrimtarëve Väst në Göteborg-Suedi dhe Albanologun e shquar mikun e popullit Shqiptar, Prof. Ullmar Qvick, për përkthimin e poezive, kurse prof. Fetah Bahtirit, I urojmë shëndet dhe suksese të tjera të reja në fushën e krijimtarisë.

WIKIPEDIA: https://sq.wikipedia.org/wiki/Fetah_Bahtiri