Veprimtaria e shoqatës kulturore “BASHKIMI KOMBËTAR” në Itali – monografi që na ka munguar

Bedri TAHIRI Prishtinë, 23 maj 2020

(Avdi BEQIRI, Veprimtaria e shoqatës kulturore “BASHKIMI KOMBËTAR” në Itali, Lena, Prishtinë, 2020)

Tё nderuar mёrgimtarё!

Ju, bijtё dhe bijat mё tё devotshёm tё kombit, që pёrherё qёndruat afёr trungut kombёtar. Dje, mbajtët gjallё familjet tuaja, ndihmuat skamnorёt dhe shkollat shqipe nё Kosovё, ndihmuat UҪK-nё dhe luftёn e saj tё drejtё e ҫlirimtare, ndёrkaq sot, jeni potencial i pazёvendёsueshёm ekonomik, politik e intelektual

Respekt Ju mёrgimtarё tanё, që si ambasadorёt mё tё mirё, me punёn dhe veprat Tuaja, na bёni krenarё para gjithё botёs! Fjalёn e urtё suedeze: Kush dëshiron të këndojë, gjithmonë do ta gjejë këngën! Ju e kuptuat mё sё miri dhe, krahas mbjelljes sё farёs sё diturisё e kulturёs kombёtare tek brezat e ardhmërisë, atje ku jetoni e veproni, po tregoheni edhe organizatorё tё shkёlqyer, duke themeluar shoqata, klube, e asociacione mbarёkombёtare. Dhe, sot, lirisht mund tё flasim pёr njё pjesё tё rёndёsishme tё letёrsisё sonё kombёtare- Letёrsinё e mёrgatёs shqiptare.

Këtë urti, që nga dita e parë, sikur e mbajti vath në vesh edhe veprimtari mërgimtar në Itali, z. Avdi Beqiri, i cili nuk është i panjohur në letrat tona. Ai, krahas të tjerave, edhe më parë ka bërë sprova  në fushën e shkrimeve, duke na dhuruar librin “Kujtimet e një mërgimtari” (Prishtinë, 2013). Mirëpo, kësaj radhe ai shkoj më tutje, bëri një punë të madhe e të vyer, ngriti një lapidar përjetësie për gjithë mërgatën e Italisë, gjegjësisht për qytetin  Bassano del Grappa me rrethinë, duke ia afruar lexuesit kureshtar një monografi, që deri tani na ka munguar, librin dokumentar-historik VEPRIMTARIA E SHOQATËS KULTURORE “BASHKIMI KOMBËTAR” NË ITALI.

Historikisht e dimë se Italia përherë, qysh nga koha e të madhit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ka qenë vend, ku në njëfarë mënyre kanë gjetur strehim shqiptarët. Kujtojmë arbëreshët tanë që fill pas vdekjes së kapedanit të tyre dhe kur Shqipëria u nënshtrua nga otomanet, zunë vend në Kalabri e në Secili dhe, përherë, mbajtën të pashuar, si flakadanë lirie, zjarrin e atdhedashurisë për Motin e madh shqiptar dhe Atdheun matanë detit. Nga ky frymëzim lindën edhe veprat më të mira të Rilindjes sonë Kombëtare e të atyre që edhe sot gjëllijnë në ato vatra.

Librin “VEPRIMTARIA E SHOQATËS KULTURORE “BASHKIMI KOMBËTAR” NË ITALI”, e pata në dorë si dorëshkrim dhe e lexova me përkushtim, andaj edhe e tumira për botim. Ai, në fakt, është rezultat i një punë shumëvjeçare i të gjitha aktiviteteve kulturore-artistike e humanitare të veprimtarëve të palodhur, dashamirës të shkollës shqipe e të kulturës sonë kombëtare në Itali. Autori, duke qenë ndër bartësit kryesor i shumicës së atyre  aktiviteteve, me akribi fanatiku e me një dashuri përkushtuese, ka mëtuar të paraqes çdo gjë që ka të bëj me ato përpjekje titanike për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në mërgatë.

Më konkretisht, autori i librit, z. Avdi Beiqri, është përqendruar në formimin dhe aktivitetet e gjithmbarshme të shoqatës kulturore atdhetare “Bashkimi Kombëtar” në qytetin Bassano del Grappa, ku jeton dhe vepron që prej vitesh.

Në pjesën e parë të librit, jepet një kronologji të rrjedhave kohore, duke nisur qysh nga shkuarja e autorit  në Itali, gjegjësisht në Bossano del Grappa, për të vazhduar me nismën e mbarë për themelimin e një shoqate kulturore-atdhetare, që zë fill pikërisht më 12 mars 1995. Nisma u realizua me sukses, shoqata u formua dhe pagëzua me një emër të qëlluar e mjaft simbolik “Bashkimi Kombëtar”, veprimtaria e së cilës nuk do të pushoi për asnjë moment.

Autori me përvojë, Avdi Beqiri, që në fillim prezanton të gjithë ata që kontribuuan për shoqatën dhe veprimtarinë e saj, duke u dhënë të gjithëve hise e hapësirë thuajse të barabartë. Ata janë të shumtë, por në libër janë paraqitur diku 27 shqiptarë dhe një vendas, miku i madh i shqiptarëve dhe ndihmuesi i palodhshëm në të gjitha aktivitetet, Prof. Vittorio Andolfato.

Fill pas formimit, krahas ndihmave, punë parësore e shoqatës, ishte të sigurohej arsimi në gjuhë amtare për fëmijët shqiptarë. Edhe kjo do të realizohet shumë shpejt nga mërgimtarët vullnetmirë. Siç mësojmë në kapitujt vazhdues, kjo gjë arrihet,  më 7 shtator 2002, kur në Bassano del Grappa, nisi punën shkolla e parë shqipe, me 33 nxënës e me dy mësues. Kontribuuesit kryesor që i dhanë shpirt kësaj fitoreje të madhe historike, ishin: Sonja Viktor Kraja-BUDINA nga Tirana, Bashkim Bekteshi nga Dibra e Maqedonisë, Laura Kura nga Durrësi, Beqir Cikaqi nga Theranda, Merita Bërdica-KASTRATI nga Shkodra,  Ragip Thaçi nga Drenica etj. Kjo dritare ndriçoi dhe hapi rrugë edhe për shumë aktivitetet të tjera.

Paskëtaj, në ndërkohë, u formua edhe Këshilli i Arsimtarëve për rrethinën e Venetos, u angazhuan nxënësit në aktivitete të lira, ku do të organizoheshin manifestime të llojllojshme kulturo-argëtuese, për kremtimin e festave kombëtare, për fund vitet shkollore etj. Në fund, autori nuk harron t’i përmend me emër e me mbiemër shumicën e nxënësve të kësaj shkolle.

Në kapitujt vijues të librit VEPRIMTARIA E SHOQATËS KULTURORE “BASHKIMI KOMBËTAR” NË ITALI shpjegohet bashkëpunimi i shoqatës Bashkimi Kombëtar  me shoqatat e tjera simotra në Itali, bashkëpunimi me vendorët dhe me institucionet e Kosovës, pjesëmarrja nëpër seminare të ndryshme, organizimet e manifestimeve e kremteve kombëtare,  organizimin e dhënies  së ndihmave etj. Por, nuk mbetën pa u përmendur edhe ndihmat e të tjerëve që i dhurohen shoqatës, qoftë ato individuale, grupore, të agjencive apo edhe ato institucionale nga Republika së Kosovës.

Një pjesë e konsiderueshme e librit u kushtohet organizimeve dhe ushtrimeve të aktiviteteve kulturore, muzikore e sportive. Në kuadër të kësaj shoqate funksionojnë për mrekulli Grupi i rapsodëve, Grupi muzikantëveGrupi i valltarëve, Kori, Grupi i futbollistëve (futboll të madhe e futboll të vogël), të cilët, për mrekulli, zhvillojnë aktivitete dhe shpesh zënë vendet e para, duke fituar edhe çmime e dekorata. Ka pastaj vizita të ndryshme të ndërsjella si dhe manifestimet e rregullta për çdo festë kombëtare, të cilat e begatojnë përmbajtjen e librit.

Të gjitha këta shkrime e materiale janë ilustruar edhe me foto e faksimile, të cilat flasin vetë dhe ia shtojnë vlerën librit, i cili do të mbetet një dëshmi e rëndësishme e kohës dhe udhërrëfim e frymëzim për brezat e ardhmërisë.

Në të përfunduar, pa u lëshuar në analiza më të hollësishme, këtë e bëjnë vetë lexuesit, pa modesti mund të konstatojmë se libri monografik  “VEPRIMTARIA E SHOQATËS KULTURORE “BASHKIMI KOMBËTAR” NË ITALI i autorit Avdi Beqiri, është një realizim i bukur shkrimor, një monografi që na ka munguar, për një pjesë të rëndësishme të trungut tonë, për mërgimtarët në Itali, për çka edhe meriton një falënderim të veçantë!

Librit i dëshirojmë lexueshmëri e depërtim nëpër bibliotekat tona e në çdo shtëpi (veçan te mërgimtarët), ndërkaq autorit suksese, shëndet dhe vepra të reja!