Ka tash e disa muaj që zyrtarët e institucioneve të Kosovës që njëherit janë edhe anëtarë të Partisë së Pavarur Liberale serbe, po ndalohen në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, nga vet strukturat e sigurisë së Serbisë.
Rasti i fundit është shënuar më 11 maj të këtij viti, pra vetëm pak ditë më parë, kur autoritetet e Serbisë në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, i kanë ndalur dy anëtarët e kësaj partie, njëri prej të cilëve është edhe këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Me këtë rast, ka pasur reagime të shumta nga krerët e shtetit, sepse një ndalesë e tillë është edhe shkelje e marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, sepse cënon rëndë frymën evropiane të bbashkëpunimit dhe të idesë së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky gjest, nga analistët politik është vlerësuar si shumë i rrezikshëm, sepse nuk kuptohet se si Serbia guxon të marrë një veprim të tillë, vetëm për ti arritur agjendat e veta politike. Ndalimi, marrja në pyetje, kërcënimi dhe frikësimi i personave të komunitetit të tyre që mendojnë ndryshe, është në shkelje të cdo marrëveshje që është arritur deri më tani dhe i ngjason shumë politikave të Slobodan Milosheviqit, kanë thënë analistët.
Për Serbinë duket se të mirë janë vetëm ata që i përkasin Listës Serbe, strukturë kjo e formuar dhe udhëhequr vetëm nga Beogradi.
Më 26 prill, pjesëtarët e Partisë së Pavarur Liberale, të prirë nga lideri i tyre, Slobodan Petroviq, në shenjë proteste ndaj ndalimeve që u bëjnë strukturat serbe të sigurisë, kanë kaluar në këmbë kufirin Kosovë-Serbi, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë.