“Vëllezërit Arbëreshë”, që emocionuan mijëra adhurues në Arbëri e mërgatë   

 

Në vazhdën e grupet artistike, kësaj radhe prointegra, prezanton Shoqatën Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit Arbëresh” të Frasnitës në Kalabri, e cila kudo që është paraqitur, si në trojet shqiptare e mërgatë ka magjeps me interpretime të shkëlqyeshme të këngës së bukur arbëreshe-.  Presidenti, Mimmo Imbrogno, thotë se ideja është për zgjerimin e bashkëpunimit të grupit “Vëllezërit Arbëreshë” me vëllezërit tanë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë, por realizimi i tyre pritet pas periudhës së pandemisë

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Portali ynë Prointegra pas prezantimit të një ansambli artistik nga Kosova e Zvicra, kësaj të shtune prezanton Shoqatën Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit Arbëresh” të Frasnitës në Kalabri, të cilën kam pas rastin ta përcjelli nga afër gjatë shfaqjeve të programeve që ka dhënë para mërgimtarëve tanë qoftë në Zvicër apo Francë, meqë rast ka impresionua publikun artdashës në mërgatë, i cili jo vetëm se ka mall e dashuri për këngën arbëreshe, por edhe nga fakti se programet kanë qenë të atij niveli artistik, që kanë bërë që publiku që ka mbushë sallat, thuaja se çdo këngë e ka përcjell me duartrokitje apo edhe duke u ngrit në këmbë, si në rastin e programit në Friburg të Zvicrës.

Bashkëpunim sa artistik aq edhe vëllazëror

Në disa raste artistët arbëresh nga Kalabria janë shoqëruar edhe me artistët tanë në mërgatë dhe kështu e kanë fuqizua jo vetëm programin por edhe bashkëpunimin sa artistik aq edhe vëllazëror. Në këtë kuadër do shikua ndër të tjera edhe programin e përbashkët më 29 Shtator 2018, do të mbahet gjatë në mendjen e gjithë atyre spektatorëve që ishin prezent në koncertin e shkëlqyeshëm në lokalitetin në Sant Julian en Genevois të Francës ( jo larg Gjenevës), ngjarje kjo kulturore që kishte bërë bashkë dy grupe artistësh që me paraqitjen e tyre brilante, ngjallën jo vetëm emocione e dashuri të paparë ndërvëllazërore, por edhe ngritën publikun e pranishëm në këmbë për tu duartrokit gjatë.
Ishte merita e Shoqatës Shqiptare “Iliria”  në Sant Julian en Genevois, që drejtohet nga një grup entuziast në krye me zonjën, Luljeta Hoxha e cila edhe prezantoi programin e dy grupeve artistike. Ishte ky një model i zgjedhur dhe i qëlluar i dy grupeve artistike: “Vëllezërit Arbëresh” nga Frasnita e Kalabrisë dhe Trio muzikore nga Gjeneva në përbërje nga Mimoza Nazarko- Canto, Ermira Lefort- Piano dhe Volfi Haxhiaj- violinë. Programin i gërshetuar nga këto grupe, filluar nga kostumet dhe këngët më të vjetra, ato arbëreshe, që datojnë me shekuj dhe këngëve e ditëve të sotme të përcjella me muzikën e artistëve të një kalibri siç ishin Ermira Lefort- Piano dhe Volfi Haxhiaj- violinë.

Po ashtu një program i përbashkët është mbajt edhe në Wil të Zvicrës mes Shoqatës “Vëllezërit Arbëresh” dhe Ansamblit “Arbëresha”, në kuadër zbulimit të bustit të Nënës Terezë dhe të 550 vjetorit të kryetrimit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ku ishte i pranishëm edhe personaliteti i shquar arbëresh At Antonio Belushi (Bellusci).

Përpjekjet titanike për ruajtjen e gjuhës dhe traditës arbëreshe  

Krahas këngës dhe lojës së bukur të instrumentistëve, ishin fjalët dhe mesazhet e grupit arbëresh, që krijuan emocione të veçanta. Sidomos, drejtuesi i grupit, profesor Michele Grecos, me një të folme të shkëlqyeshme shqipe, përmendi përpjekjet titanike të arbëreshëve që ndër shekuj të ruajnë me xhelozi, gjuhën, veshjet, këngën dhe traditat e të parëve edhe atë për rreth 6 shekuj me radhë.

Vetë vëllezërit arbëresh, siç është edhe emri i trupës artistike, të ardhur nga Frasnita, tashmë kanë bërë emër jo vetëm para artdashësve shqiptarë në dy anët e Adriatikut apo Jonit, por edhe në disa nga qytetet evropiane, si për zërin, melosin, ashtu edhe për kostumet stërgjyshore, që ruajnë e kultivojnë prej shekujsh si në Kalabri ashtu edhe në Sicili, krahinë kjo ku jeton një komunitet prej 50 fshatrave arbëreshe.

Siç mësojmë nga drejtuesit e shoqatës, Shoqata Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit arbëreshë” nga Frasnita e Kozencës së Kalabrisë është themelua qysh në vitin 2016. Me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, të gjuhës e traditave, për të mos harruar rrënjët dhe origjinën arbëreshe.

“Vëllezërit arbëreshë” shquhen me zëra autentikë

Sipas profesor  Bexhet Asani : “Brenda Shoqatës Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit arbëreshë” dallohen zëra autentikë, të cilët në tridhjetë vitet e fundit kanë kapërcyer pothuajse të gjitha vendet arbëreshe të Italisë, si dhe disa qytete të Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Zvicrës, Francës dhe Greqisë. Shoqata gjithashtu: promovon, praktikon dhe rrit aktivitete në lidhje me këndimin, muzikën dhe vallëzimin përmes shfaqjeve publike; kryen iniciativa kërkimore, kulturore, muzikore dhe promovuese rekreative; rrit dhe përhap për publikun e gjerë kulturën tradicionale arbëreshe të pranishme në jug të Italisë, vlerat e përbashkëta të kulturës së njëjtë për të forcuar identitetin italo-shqiptar dhe evropian, duke bashkëpunuar me të gjitha shoqatat me të cilat ndan parime dhe qëllime të caktuara; bashkëpunon me të gjithë organet institucionale, kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat synojnë të mbrojnë traditat e pakicave gjuhësore, si dhe të gjitha urdhëratë dhe gradat në sektorin e shkollës.

Një nga shoqatat themeluese të FAA

Për më tepër, Shoqata Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit arbëreshë” e Frasnitës së Kozencës, është një nga shoqatat themeluese të FAA (Federata e Shoqatave Arbëreshe) e cila mbledh së bashku federatat e shoqatave që veprojnë në territorin kombëtar dhe që ka për qëllim mbrojtjen, dhe promovimi e gjuhës arbëreshe, si dhe trashëgimia jo-materiale dhe materiale e bashkësive arbëreshe të Italisë.”

Një histori në vete për “Vëllezërit Arbëresh”, ka presidenti aktual Mimmo Imbrogno, të cilin për herë të parë e kam takuar në, Çifti (Civita), një qytezë perle e  vërtetë arbëreshe, ndonëse edhe ai i përkiste një familje mërgimtare arbëreshe të migruar në Zvicër ku edhe ka lindur dhe pastaj është kthye për të krijuar familje në Çiftin e mrekullueshëm

Një sërë koncertesh në trojet shqiptare e mërgatë

Ai në një intervistë për startnews.al, ndër të tjera thotë se: “Unë, Mimmo Imbrogno, vajza ime Maria Cristina, Camillo Maffia, një mjeshtër profesionist në fizarmonikë dhe një miku ynë, Michele Greco, filluam nga prezantimet artistike në Kalabri.

Më pas realizuam një projekt që grupi “Vëllezërit arbëreshë” filloi me koncertin e parë në Zagreb 2016, për festën e flamurit” Më pastaj përmend prezantimet e ndryshme me grup, siç ishte një koncert në Zagreb në vitin 2017, e më pas grupi që u zgjerua me artistë si Emiliana Oriolo, Daniela Fusha, Francesko Durante, Pasqualino Mitildieri dhe bëmë koncerte në Sirnach të Zvicrës në vitin 2018, një projekt me titull “Nga kënga antike arbëreshe, te lirika shqiptare”, në bashkëpunim me artistë shqiptarë, që u prezantua në “Kështjellën e Krujës” në, Francë, Gjenevë e Friburg të Zvicrës.” Ai përmend po ashtu edhe pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik në Gjirokastër si dhe një vizitë me grupin në Kosovë.

Grupi u përcjell edhe me mirënjohje të ndryshme si brenda Kalabrisë ashtu edhe jashtë saj, siç ishte edhe rasti i fundit nga Lidhja ndërkombëtare e Shkrimtarëve dhe artistëve “PEGASI” Albania e cila dha me plot meritë titullin e lartë pegasian ” Këngëtare e vitit 2020″ këngëtares Maria Cristina Imbrogno Çifti (Civita) Kalabri.

“Vëllezërit arbëresh” një urë e fortë sa kulturore aq edhe ndërvëllazërore

Krejt në fund të këtij shkrimi do theksuar se anëtarët e Shoqatës “Vëllezërit arbëresh”, që janë njohës të shkëlqyeshëm të gjuhës dhe traditës arbëreshe, me angazhimin dhe punën e tyre kanë bërë jo vetëm që të afirmohet kënga dhe tradita e vjetër arbëreshe, por edhe që të krijohen ura miqësie e bashkëpunimi midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të trojeve etnike e të mërgatës, madje edhe në një stad më të lartë në atë të artit e kulturës, si pjesë e pandashme e kulturës së përgjithshme shqiptare. Ndaj edhe “Vëllezërve arbëresh”, ju dëshirojmë suksese edhe më të mëdha si nga ana ime si individ e dashamirës i tyre ashtu edhe redaksia e portalit tonë prointegra.ch, me dëshirën që këtë trup artistike ta kemi sa më shpesh në mesin tonë, qoftë në mërgatë apo trojet etnike shqiptare, vendi i prejardhjes dhe origjinës se  arbëreshëve. Synim këtë të cilin e ka objektiv edhe vet Presidenti i shoqatës Mimmo Imbrogno me artistët e këtij grupi që shquhen me suksese në fushën e  artit e muzikës.