Vëllezërit arbëresh, ngritën në lartësi krahas këngës edhe emocionet e publikut

Grupi artistik “Vëllezërit Arbëreshë” nga Frasnita e Kalabrisë, në koncertin e organizuar në Friburg të Zvicrës, në kuadër të 11 vjetorit te Pavarësisë së Kosovës, bashkë me artistë shqiptarë në Zvicër, ngritën atmosferën në nivel spektakli, si edhe vet publikun në sallë.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati, Friburg

Për çerek shekulli, që përcjelli ngjarjet dhe manifestimet kulturore në shtetin helvetik, nuk kam pa e përjetua një atmosferë aq të zjarrtë e entuzisate, si mbrëmë në Friburg të Zvicrës ( më 16 Shkurt 2019), ku kënga arbëreshe përplot nostalgji e mall, për tokën e të parëve, arriti një efekt të papërshkrueshëm, sa e tërë salla tu duartrokas artistëve arbëresh, me prejardhje të një trungu, gjuhe e gjaku.

Krahas këngës, ishin fjalët dhe mesazhet e grupit arbëresh, profesor Michele Greco, që krijuan emocione të veçanta, sidomos kur ai foli për përpjekjet titanike të arbëreshëve që ndër shekuj të ruhet me xhelozi, gjuha, veshja, kënga dhe traditat e të parëve edhe atë për rreth 6 shekuj me radhë.

Mbrëmë,  Shoqata Kulturore Folklorike  “Vëllezërit Arbëreshë” nga artist të spikatur nga Frasnita e Kalabrisë, në krye me procesor Micheke Greco në një anë dhe nga Zvicra: këngëtarja e shquar lirike, Mimoza Nazarko, me trion muzikore Gjon Guralumi, violinistin Edmond Basha dhe flautisten Dori Sota, bënë ky program të jetë i një niveli që ja vlen të mbahet gjatë në mend.

Vetë vëllezërit arbëresh, siç është edhe emri i trupës artistike, të ardhur nga Frasnita, tashmë ka bërë emër jo vetëm para artdashësve shqiptarë në dy anët e Adriatikut apo Jonit, por edhe në disa nga qytetet evropiane, si për zërin, melosin, ashtu edhe për kostumet stërgjyshore, që ruajnë e kultivojnë prej shekujsh si në Kalabri ashtu edhe në Sicili, krahin kjo ku jeton një komunitet prej 5 fshatrave arbëreshe.

Sa për njoftim: Shoqërinë kulturore-folklorike “Vëllezërit Arbëresh e përbëjnë: kryetari i shoqatës Profesor Michele Greco, si dhe anëtarët: Domenico Imbrogno, Soprano lirik, Maria Cristina-Imbrogno, Backup Emiljana Oriolo, Backup Francesco Durante, Mjeshtrit e  fizarmonikës Camillo Mafia dhe Pasqualino Mitidieri dhe Pedagog e violinist Daniela Fusha.

Koncerti i mbrëmshëm pos që kishte tërheq interesimin e publikut artdashës shqiptar nga Zvicra e shtetet e tjera, aty merrnin pjesë dhe përshëndetën duke ju uruar mirëseardhje si drejtues vendor, zviceranë e shqiptarë, por edhe diplomatët tanë të akredituar në shtetin helvetik: ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni dhe Valbona Fazliu-Rrecaj – Ministre-Këshilltare pranë ambasadës së Kosovës. Po ashtu nga Parisi kishte udhëtuar poeti , Musa Jupolli, nënkryetar i LIDhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë dhe sekretari i po kësaj shoqate, Mentor Thaqi që jeton në Gjermani. Derisa i pari recitoi një poezi i dyti i dhuroi një plis të bardhë njërit prej vëllezërve arbëresh.

Ky koncert u mbështet nga Komuniteti Shqiptar i Friburgut, që drejtohet nga veprimtari Bajram Mehmeti, i cili edhe artistët arbëresh dhe ata shqiptarë në Zvicër i shpërbleu me mirënjohje të veçanta, ndërsa që në veçanti falënderoi drejtuesit e dy grupeve z. Michelo Greco dhe zonj. Mimoza Nazarko, që bënë çmos që të bashkohen përmes një koncerti artistë që koha i ka tretë në dy vende të huaja Itali e Zvicër), por ku kanë mundësi në mënyrë të lirë e demokratike të zhvillojnë pa pengesa kulturën e tyre kombëtare.