Vehbi Miftari: “Antroposofia arbereshe – Rrëfimet e Caterina Beluscit”, shpalos jetën e vërtetë të arbëreshëve të Italisë

 

 Libri i Ornela Radovickës, Antroposofia arberesheRrëfimet e Caterina Beluscit është përmbledhje e rrëfime të një zonje arbëreshe, Rinës, mbi kulturën arbëreshe, traditat e tyre, këngët, vallet, ritet e zakonet, mitet e gjuhën, mbledhur e përpunuar me pasion nga znj. Radovicka. ( Parathëna e librit nga redaktori, Vehbi Miftari).

Libri është dëshmi autentike, nga një zonjë që vetë e ka përjetuar çdo ditë jetën arbëreshe, e ka kultivuar ndjenjën dhe traditën e tyre dhe është shndërruar në model përfaqësimi të kësaj tradite e kulture kaq të pasur. Me mallin për dheun e Arbrit, me vështrimin – sikur thosh’ De Rada, “matanë detit”, ajo i këndon Gjergjit (Kastriotit), miti i të cilit u formësua ndër arbëreshë dhe u shndërrua në strumbullar mbijetese të kulturës shpirtërore.

Veçse, këndimin për Gjergjin, për mallin e të parëve, ajo e shoqëron me rrëfim për të panjohurën, për atë që e përbën shpirtin e vërtetë arbëresh, për antroposofinë[1] e këtij populli, i cili u mbijetoi shekujve falë gjuhës, riteve e zakoneve të veta, por mbi të gjitha falë përkushtimit për ta ruajtur të paprekur një kulturë shpirtërore, pavarësisht mallit të pafund e sfidës së mbijetesës, nën moton: “të huaj jemi te ky dhé”.

Rina, e motra e veprimtarit të jashtëzakonshëm, at Antonio Belushit, rrëfimtarja e përkryer, arrin që botën arbëreshe ta përmbledhë në rrëfim, duke qenë vetë bartësja autentike e kësaj kulture. Ajo rrëfen e dëshmon, duke u alternuar vazhdimisht, nga personazh në autore e anasjelltas. Nëpërmjet rrëfimit e këndimit, këndimit e dëshmisë, ajo na e jep pasqyrën më autentike për karakterin e kulturës arbëreshe e trashëgiminë e pasur shpirtërore të tyre, e cila ka arritur të mbijetojë dhe të ruhet ndër shekuj.

Ajo na mëson se shpirti arbëresh rron, ai mbahet gjallë falë përkushtimit të palëkundur arbëresh për ta mbajtur të gjallë e kultivuar më tej kulturën e veçantë, të lidhur për shenjash trashëgimie të pasur shpirtërore. Ajo na e shpalos jetën e vërtetë të arbëreshëve të Italisë, më saktësisht të atyre të Frasnitës, katund arbëresh në zonën e Kozencës, në Kalabri, nga mënyra e organizimit të jetesës, rolin e familjes e sidomos të gjyshes, përkatësisht nënave, në ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit, për dhimbën e pafund për shkak të tjetërsimit të ngadaltë (pas afro gjashtë shekujsh) të kulturës arbëreshe, për shkak të zhvillimit teknologjik, migrimit e pafuqisë për ta mbajtur të paprekur këtë botë aq të pasur, për kulturën e jashtëzakonshme të shprehur nëpërmjet këngës, valles e kostumeve arbëreshe, për  argalinë/vekun dhe traditën e tjerrjes, për traditat familjare e rolin e kishës (ruajtjes së ritit bizantin) në kultivimin e identitares arbëreshe.

***

Botimet “Koliqi” e kanë meritën që po e nxjerrin në dritë një rrëfim të jashtëzakonshëm mbi një botë të pazakonshme. Nëpërmjet këtij libri, lexuesi shqiptar do ta njohë botën që e ëndërroi vazhdimisht, por pa e njohur kurrë mirëfilli. Brenda botës së rrëfimeve të Rinës, ai do ta përjetojë sa realitetin e dhimbshëm, po aq edhe historinë e pabesueshme të një dege të popullit shqiptar, të shkëputur afro gjashtë shekuj më parë. Ai (lexuesi) do ta përjetojë njëherësh modernitetin e vrazhdë e mitologjinë e pasur, duke e pasur të pashmangshme një ndjesi: mahnitjen e vazhdueshme. Ai do t lëvizë sa në botën moderne e do të shtrojë pyetjen: si të mbahet gjallë kjo kulturë?, po aq në mitologji e do të stepet nga pasuria e kësaj bote të pafund.

Ngase, kthimi në botën arbëreshe është i tillë, krejt i ngjashëm me kapërcimin në mitologji: aty koha është e pamatshme, ëndrra zgjat përjetësisht e kânga e ripërtërin shpirtin. Je mes hyjnish e njerëzish të zakonshëm njëkohësisht; mes ritesh e traditash qindravjeçare, të cilat shndërrohen lehtësisht në kulturë, në frymë… Aty njeriu ndien se është brenda kulturës së vet origjinare e, në të njëjtën kohë e sheh të largët, të mjegullt, të paprekshme, ngaqë rrethanat për shumicën e njerëzve të këtejdetit Adriatik kanë qenë të tilla që i kanë mbajtur larg nga kjo botë plot ngjyra.

Por, nuk ka qenë kështu për arbëreshët. Ata e kanë ruajtur të pashkëputur lidhjen me tokën e Arbrit, për afro gjashtë shekuj, si pakkush tjetër në historinë e njerëzimit. Arsyet janë të shumta. Ata e kanë bartur kulturën origjinare me vete dhe e kanë konservuar atë, sa për ta mbajtur të gjallë mallin për Arbërinë, po aq për t’i ruajtur të pashprishur identitetin e tyre në dhe të huaj.

Prandaj, sot, teksa marrim në duar këtë libër, kuptojmë atë që na mungon: pikëprekjen me kulturën tonë të hershme, e cila për shumë shekuj është ruajtur thuaja e paprekur.  Nëpërmjet tij ne kuptojmë jo vetëm kulturën e hershme të arbërve e traditat e pasura të tyre, por edhe rolin e arbëreshëve në mbajtjen gjallë të kulturës sonë.

Arbëria e patjetërsuar duhet kërkuar matanë detit, në krahinat jugore të Italisë, e në ngulmimet që e ruajtën të paprekur kulturën e hershme të arbrit. Libri i Radovickës, rrëfimet e Rinës, e shpalosin ëmbëlsisht dhimbshëm (figurë lasgushiane) këtë botë.

Lexim të këndshëm!

Vehbi Miftari,

Romë, shkurt 2024

 

[1] Antroposifia – Doktrinë teozofike, e zhvilluar nga filozofi austriak R. Steiner (1861-1925), e cila njeh aftësinë e njeriut për t’u ngritur në njohjen e së padukshmes dhe për ta përmbushur funksionin e tij të nevojshëm në univers.