“Vatra” e Zvicrës, tash rrezaton edhe brenda kornizave të një monografie mbresëlënëse

Gazetari dhe publicisti Xhevdet Kallaba përmes botimit të tij më të ri “Çerekshekulli i Ansamblit VATRA në Bylah”, ka arrit me shumë sukses të përmbledh punën shumëvjeçare të kësaj trupe që ka afirmuar kulturën tonë jo vetëm në shtetin helvetik, ndaj edhe për të përgëzua këtë publikim në Höri të kantonin e Cyrihut, merrnin pjesë krahas udhëheqësve të grupeve simotra edhe përfaqësuesit e përfaqësive konsullore.- Manifestimi u përshkua edhe me një program tejet të pasur artistik nga vet ansambli mikpritës.

 Teksti Rexhep Rifati, fotot bashkë me Osman Osmanin 

Për fat të mirë viteve të fundit puna e grupeve dhe ansambleve artistike që veprojnë prej vitesh në Zvicër po regjistrohet edhe në libra monografik, për të mbetur në gur i çmueshëm, apo një dokumentar që nuk e bren shpesh koha. Një punë të mirë me shumë peshë e vlerë e ka bërë edhe vet Ansambli “Vatra” nga Bylahu duke i besuar hartimin e një monografie njeriut më të merituar që për dekada është i mishëruar me rrjedhat migratore të shqiptarëve e në veçanti me ecurit e kulturës shqiptare në shtetin helvetik, gazetarit, e publicistit e për mua edhe kolegut të respektuar, Xhevdet Kallaba, i cili edhe në rrethana mbylljeje nga pandemia ka arrit të nxjerr në dritë një vepër monumentale ku pasqyrohet veprimtaria e Ansamblit “Vatra”, që për më tepër se çerek shekulli reflekton dhe përfaqëson në mënyrë shumë të denjë në pjesë të kulturës sonë jo vetëm brenda kufijve të shtetit helvetik, por edhe brenda trojeve shqiptare deri te Festivali i Gjirokastrës.

Për punën dhe aktivitetin “Vatrës” ndër vite krahas fjalëve të përgatitura edhe me shkrim nga kryetari i deri tashëm dhe një nga shtyllat kryesore të ansamblit për rreth tri dekada, Nexhmedin Isufi e autori i librit Xhevdet Kallaba ( fjalët e të cilëve do ti botoj prointegra në tersi ditëve të ardhshme), folën edhe miqtë njohësit e punës shumëvjeçare të “Vatrës, krijuesit letrar, Ibish Neziri dhe Gani Bytyçi.

Nexhmedin Isufi nuk la pa përmend gjithë ata që i kontribuuan rritës dhe ngritjes së këtij ansambli në mesin e të cilëve edhe veprimtarët që tash prehen në amshim, por që do të kujtohen përherë për me pietet për ndihmën e pakursyer që dhënë.

Gjatë këtij manifestimi, fjalë përshëndetëse mbajtën, Udhëheqësi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, konsullja e Shukrije Ramadani, ish- konsulli i parë i konsullatës së Cyrihut, doktor Salih Sefa si dhe ambasadori i parë në Zvicër, Naim Mala. Me një fjalë përshëndetëse shumë mbresëlënëse të pranishmëve iu drejtua edhe njëra nga valltaret veterane që nga ansambli “Shota” në Kosovë, e cila për shumë vite ishte edhe koreografe e grupit të fëmijëve te “Vatra” Fatmire Kajtazi. Kryetari aktual i Ansamblit “Vatra”, Lulzim Krasniqi, përmendi me pak fjalë edhe detyrat që e presin “Vatrën” në të ardhmen. Me mirënjohje dhe libra krahas kryetarëve të ansambleve simotra u shpërblyen edhe disa nga dashamirët e saj që i kontribuan në çfardo forme “Vatrës”.   Gjatë këtij manifestim sa promovues aq edhe festiv u shfaq një program tejet i pasur artistik nga anëtarët e zellshëm të “Vatrës “ së Zvicrës që shpresoj se do të le gjurmë si edhe “Vatra e Amerikës” në raport me vet   përmasat e madhësisë së shtetit helvetik.